Cili mendoni se është problemi më i madh i bashkisë së Lezhë dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?
Në fakt ne gjatë këtyre viteve kemi punuar shumë për t’i ndryshuar pamjen këtij qyteti, duke ndërhyrë në të gjithë problemet që ka pasur Lezha në çdo fushë. Është e pamundur që hallet që kanë qytetarët të zgjidhen me shkop magjik, por neve jemi munduar. Ajo çfarë mbetet një problem për ne është punësimi në qytet dhe prej vitesh jemi në tratativa me kompani të huaja për të ndërtuar parkun industrial. Kjo do të thotë punësim për qindra qytetarë të Lezhës dhe tashmë gjithçka është gati dhe shumë shpejt investitorët do të bëjnë të mundur realizimin e këtij projekti madhor në bashkinë e Lezhës dhe kjo do të ndikoje fuqishëm në zhvillimin e qytetit. Probleme të tjera në qytetin e Lezhë s’po marrin zgjidhje të shpejtë, pasi investimet që kanë nisur prej 1 viti nuk janë kryer prej 20 vitesh dhe Lezha në këtë mënyrë po bëhet një qytet europian.
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë Lezhë?
Gjatë 8 viteve në drejtimin e bashkisë Lezhë kemi bërë shumë dhe ky është një model që do na udhëheqë edhe Bashkinë e Madhe tashmë të Lezhës. Gjatë gjithë këtyre ditëve po punojmë për programin dhe po shikohen të gjitha problemet që kanë njësitë vendore të deritanishme. Ka probleme të shumta me infrastrukturën rrugore në disa fshatra, në godina shëndetësore por dhe ato arsimore. Të gjitha këto po shikohen dhe do të jenë një prioritet i imi për t’ju dhënë sa më shpejt zgjidhje, nëse qytetarët do të më votëbesojnë mua për të drejtuar bashkinë e Lezhës.
A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Lezhë dhe cilat janë ato?
Po do të ketë disa kritere në lidhje me këtë çështje. E para do të jetë arsimimi që ata kanë dhe aftësitë menaxhuese që ata do kenë për t’ju shërbyer komunitetit. Unë mendoj se edhe administratori do ketë përgjegjësi të madhe, për t’u njohur me hallet e komunitetit me qëllim që t’ju jepen zgjidhje sa më shpejt. Kjo do të na udhëheqë në punën tonë dhe ata do të jenë njerëz të zotë të cilët kanë dhënë prova në menaxhim të njësive vendore, pasi nëse ndonjëri prej tyre nuk e kryen detyrën siç duhet do të zëvendësohet.
Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)
Këtë ne e kemi aplikuar prej vitesh në bashkinë e Lezhës. Buxheti i bashkisë është hartuar në bazë të problemeve të komunitetit. Për këtë gjithmonë janë pyetur qytetarët për të shkuar më pas në vendimmarrje. Mendimi dhe problemet e tyre na kanë ndihmuar shumë në punën tonë dhe gjithmonë është vepruar mbi nevojat e tyre. Tani do jenë banorë më shumë dhe kjo do të na udhëheqë na çdo fshat dhe asgjë nuk do miratohet pa dëgjuar zërin e tyre, pasi ata i njohin më mirë problemet e zonave të tyre.
Çfarë masash do të ndërmerrni për hartimin e një plani urbanistik në Lezhë dhe Shëngjin si dhe për të ndaluar ndërtimet pa leje në zonën e Kalasë së Lezhës dhe në zonat natyrore të mbrojtura në bregdet?
Ne do të veprojmë në çdo rast në bazë të ligjit dhe nuk do të lejojmë që askush të veprojë mbi ligjin. Tashmë plani urbanistik i Lezhës është gati, por na penguar ndryshimi i ligjit për urbanistiken dy vite më parë që ne ta miratojmë. Është një plan që është hartuar nga urbanistët më të mirë italianë dhe një gjë të tillë do ta bëjmë edhe për zonën bregdetare të Shëngjinit. Kjo do të ndihmoje në parandalimin e masakrës urbane të deritanishme, pasi do të ndaloje ndërtimet pa kriter dhe gjithçka do të bëhet mbi bazë të planit rregullues.
A mundet që banorët e Lezhës të shpresojnë që brenda mandatit tuaj, grykëderdhja e lumit Drin apo e lumit Mat të mos ketë më plastikë të sjellë aty nga lumi?
Kjo është një çështje shumë e ndërlikuar, pasi burimi i këtyre lumenjve është në territore që nuk i përkasin bashkisë së Lezhës. Ne do të bëjmë të pamundurën që një gjë e tillë të mos ndodhë. Në territorin që na përket ne si Bashki do të kemi një monitorim të rreptë, madje do të aplikojmë edhe gjoba për ata që hedhin mbeturina në këto lumenj deri në ndjekje penale. Në këtë mënyrë do të zgjidhet ky problem, pasi kjo problematikë është prezente në gjithë lumenjtë e vendit tonë.
Çfarë hapash do të merrni për zgjerimin e hapësirave të gjelbra në Lezhë dhe Shëngjin?
Ne kemi dhënë shembull gjatë këtyre viteve në qytetin në vëmendjen që i kemi kushtuar mjedisit. Së fundmi kemi nisur disa projekte të rëndësishme për qendrën e Lezhës ku janë të parashikuara edhe hapësirat publike të cilët do të ndërtohen me standarde bashkëkohore, duke i dhënë një pamje tjetër qytetit të Lezhës. Janë konkretisht dy lulishte të cilat po ndërtohen në Lezhës, duke shtuar ndjeshëm hapësirat publike për të pushuar qytetarët dhe vizitorët. Të njëjtin shembull do të ndjekim edhe për Shëngjinin, pasi kjo është prioriteti i ynë nëse do drejtoj sërish bashkinë e Lezhës.
