Interview1 Jun 2015

Luljeta Dollani: Do të përcaktoj prioritetet e zhvillimit

Kandidatja e majtë për Bashkinë Gramsh premton se do të asfaltojë rrugët drejt ish-komunave që janë ende të paasfaltuara.

Author: Bardha Nergjoni BIRN Gramsh
Print

luljeta-dollaniCili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Gramshit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Që në krye të programit të hartuar për 4 vitet e ardhshme në drejtimin e kësaj bashkie unë kam shënuar se me mua Gramshi do të shoh punë, vepra e shërbime të mira.

Është një sipërmarrje për një ecje të sigurt, drejt të mirës publike, të mirës sonë të Gramshit në të cilin duam të jetojmë.

Natyrisht tani që krijohet një hapësirë territoriale më e madhe në pjesën dërmuese të së cilës janë fshatrat e rrethit tonë problemet janë të shumta. Selektimi i prioriteteve si dhe zgjidhja e tyre me një shpërndarje të studiuar sipas afateve kohore ka qenë synimi ynë në këto ditë të fushatës zgjedhore.

Problemin më madhor do ta formuloja: Zhvillimi i qëndrueshëm dhe afatgjatë ekonomik. Kjo do të bënte të mundur zvogëlimin e vështirësive sociale, uljen e papunësisë, varfërisë, duke konverguar rritjen e buxheteve familjare.

Ne bëjmë fjalë për një zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës duke krijuar vende të reja pune dhe duke vënë në eficencë të gjitha burimet dhe resurset ekonomike dhe natyrore që treva jonë i ka me bollëk.

Nëse do të bënim një kategorizim të tyre do ta nisnim me një rivlerësim për zonat ekonomike publike siç është uzina mekanike e Çekinit e cila me një projekt bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes dhe një Fondacion ekonomik gjerman është hartuar projekti për përshtatje destinacioni gjë që do të krijonte një numër të konsiderueshëm vendesh pune të reja.

Rivlerësimi për zonat ekonomike private siç është vënia në funksionim e fabrikës së punimeve artistike prej thupre, druri etj. si dhe sigurimi i tregjeve të shitjes së tyre përbën një element të dytë të zgjidhjes së problemit ekonomik të banorëve të Gramshit.

Bujqësia mbetet dega prioritare në fshat duke zgjidhur çështjen e pronës, negocimin me qeverinë për zgjerimin e bazës ligjore që garanton tregtimin  e tokës bujqësore si dhe përcaktimi i strukturave optimale të kulturave bujqësore dhe blegtorale që do të prodhojnë me cilësi dhe standarde konkurruese.

Mbështetur në faktin që tek unë si përfaqësuesja e drejtimit të duhur për këtë bashki janë alternuar bindshëm vlerat individuale si dhe përfaqësimi politik , produkt i Partisë Socialiste dhe Koalicionit për Shqipërinë Europiane do të kemi garant mbështetjen e Qeverisë me burime financiare mbi baza projektesh si dhe programe me kredi të volitshme nga BE.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Gramshit?

Nëse shënuam disa aspekte për problemin më madhor të qytetarëve të Gramshit atë ekonomik , është e kuptueshme që ai nuk mund të realizohet nëse nuk i përgjigjet një infrastrukturë efektive. Dhe pasja e një infrastrukture efektive nuk është thjesht një dëshirë por është një nevojë, nevojë për të dalë nga shtëpia e për t’i thënë vetes: “po, unë banoj në Gramsh dhe ky është një qytet i mrekullueshëm”, nevoja për të shkelur në një vend, i cili të bën të ndihesh mirë në çdo gjë të ofron për punësim, mirëqenie, argëtim e gjithçka.

Vetë qyteti të ofron në përgjithësi një infrastrukturë të mirë, ka rregullime të dukshme në mjaft lagje por kjo nuk do të thotë se ne do të mjaftohemi me kaq. Për lagjen “Sporti 2” është hartuar tashmë projekti për lulishte, sistemim, asfaltimin, ndriçimin e rrugëve si dhe ambienteve midis pallateve.

Po kështu grupi i ekspertëve po punon për një ndërhyrje më të studiuar në lagjen “Ish reparti ushtarak”, lagjia poshtë agjencisë së udhëtarëve e cila më parë ka qenë jashtë juridiksionit të bashkisë për efekt të përmbytjes nga H/C Banjë.

Infrastruktura rrugore përbën një tjetër problem madhor për bashkinë tonë.

Aktualisht shkohet me rrugë të asfaltuar vetëm në dy qendra ish komuna Pishaj dhe Kodovjat ndërsa të tjerat janë vetëm të xhavoruara dhe jashtë standardit për transport rrugor qoftë për njerëz apo edhe mallra.

Ne kemi hartuar një paketë të plotë së bashku me projektet e tyre për rrugët: Gramsh-Porocan, Gramsh–Tunjë, Gramsh-Skënderbegas, Gramsh–Kukur, Gramsh–Lenie, Lubinjë–Sult, Gramsh-Zgjupë, Gramsh-Silare etj.

Për godina arsimore është në përfundim rikonstruksioni i shkollës së mesme të bashkuar Kukur për të cilën është bërë edhe një plan i pajisjes më bazë material didaktike dhe mësimore bashkëkohore. Janë hartuar projektet për rikonstruksion dhe ndërhyrje në shkollat Tunjë, Grabovë , Tërvolë, Kushovë etj. Po kështu edhe ne 4 qendra shëndetësore.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Gramsh dhe cilat janë ato?

Është e natyrshme që filozofia e punës time do të jetë puna në grup . Unë natyrisht që kam dhe do të pranoj çdo lloj përgjegjësie dhe nuk i shmangen asaj, por “NE”-ja do ti marre meritat.

Është konceptuar një skuadër e cila ka filluar punën me hartimin e programit duke e pasuruar me dëgjesa publike sipas grupeve te interesit. Puna ime është ta bëjmë skuadrën të funksionojë. Mendoj se do ta kem të lehtë këtë, pasi Gramshi ka me bollëk intelektualë dhe profesionistë të shkëlqyer.

Dhe nëse e specifikojmë problemin tek administratorët që thoni Ju ata do të jenë nga njerëzit që njohuritë , aftësitë e tyre janë të gatshëm ti vënë në shërbim të komunitetit për një jetë më të mire ekonomike sociale e më gjerë që udhëheqin drejt progresit .

Do të jenë të tillë që jo vetëm do të përfaqësojnë vetëdijen e trevës ku jetojnë dhe punojnë por do të jenë në gjendje t’i japin përmbajtje çdo veprimtarie publike.

Çdo komunitet përfaqësohet nëpërmjet intelektualëve vlerësohet për aq sa ka bërë veprimtari intelektuale, pranohet për aq sa i ka dhënë më gjerë shoqërisë për zhvillim dhe progres.

Pra arsimi, përkushtimi ndaj punës, përgjegjshmëria, aftësia menaxhuese në shërbim të nevojave të komunitetit do të ishin disa kritere prioritare të administratës së re në një bashki tashmë të madhe.

Të mos harrojmë se në këtë angazhim një pjesë e madhe do të jenë gra dhe vajza të kualifikuara dhe të përkushtuara për drejtimin e punëve në këtë bashki. Ju e dini tashmë që roli i gruas në zhvillimin e shoqërisë e ne përparimin e kombit është i pazëvendësueshëm.

Me gruan fillon jeta, historia e njerëzimit dhe e çdo kombi . Ne mësuesit e filozofisë përdorim shprehjen: “Sa mund të ekzistoj toka pa diellin , aq mund të ekzistoj njerëzimi pa gruan”.

Ndërkaq ndëshkueshmëria do të jetë e barabartë për të gjithë ata që do të shkelin ligjin dhe normat morale të angazhimit të tyre në administratë. Jam e hapur për angazhimin e çdo qytetari gramshiot që plotëson kritere të tilla dhe përjashtimisht kundër dallimeve politike në këtë proces.

Unë do të jem kryeqytetasja e kësaj bashkie , kryetarja e institucionit e cila do të respektoj dhe zbatoj përfaqësimin e vlerave më të spikatura qytetare tëtë gjithë kategorive njerëzore , të majtë e të djathtë , socialiste, LSI-stë, socialdemokrat, demokrat, republikan, balliste, monarkiste, te pa parti, etj.

Dhe natyrisht kjo që po them s’është për politikë, por politika ime për Gramshin.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Unë përfaqësoj drejtimin e duhur për Gramshin. Dhe në këtë kuptim përmbajtja e këtij slogani tregon se Gramshi do të gjej më së fundi vendin që meriton, dëshirën e çdo qytetari dhe në radhë të parë të djemve dhe vajzave të reja për ta ndërtuar vetë të ardhmen.

Në këtë kuptim qeverisja e re do të dallohet për marrje vendimesh të drejta në shërbim të qytetarëve pa interesa personale dhe vetjake duke siguruar një gjetje koherence midis qytetit dhe fshatrave pjesë përbërëse; pra një zhvillim i ri ekonomik i drejtë, i barabartë për të gjithë banorët.

Pjesëmarrja qytetare nënkupton përfshirjen e qytetareve, grupeve te interesit, komunitetit ne përgjithësi, ne proceset vendimmarrëse me qëllim krijimin ose përmirësimin e politikave publike, procedurave dhe praktikave lokale në favor të krijimit mirëqenies së tyre. Për ta siguruar këtë ka funksionuar një praktike e mirë pune nga drejtuesi i mëparshmi baskisë pse jo edhe nga disa drejtues socialist në komuna me ngritjen e komisionit qytetar të cilin do ta ruajmë dhe do ta shtrijmë përfaqësimin e tij edhe me anëtar nga çdo fshat pjesë përbërëse e kësaj bashkie.

Unë jo vetëm pohoj arritjet e kolegëve të mi por së bashku me ata do të përsosim përvojat pozitive dhe natyrshëm do të nisim së bashku rrugë të reja në administrimin e kësaj njësie vendore.

Nga na tjetër për tërheqjen e mendimit qytetar në programin e punë që unë së bashku me grupin e ekspertëve dhe specialistëve më të mirë , grupet e interesit dhe partnerët e tjerë social kemi hartuar një organigramë më të plotë duke vendosur afate konkrete për takimet periodike mujore, tremujore dhe vjetore në çdo pjesë përbërëse të komunitetit tonë.

Këto afate përkojnë si për fazat e diskutimit dhe hartimit të buxhetit ashtu edhe për problemet e tjera të karakterit ekonomik, social etj. Do të siguroj në këtë kuptim angazhimin e çdo qytetari për të guxuar dhe thënë hapur problemin .

Mua në këtë kuptim më lispset edhe fuqia kundërshtuese jo vetëm e intelektualëve të cilët për mua përfaqësojnë guximin e personave me bagazhin e duhur për t‘i thënë gjërat hapur, pa dorashka, edhe atëherë kur kërcënohen privilegjet e përftuara si rezultat i punës individuale.

Drejtime të tilla si: Informimi periodik i publikut, edukimi dhe këshillimi , dialogu publik apo dëgjesat qytetare, do të jenë aspektete thelbësore të pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje.

Ndërkaq metoda të tilla si: Menaxhimi transparent, i përgjegjshëm, efektiv dhe efikas i buxheteve dhe shpenzimeve publike; Monitorimi dhe vlerësimi i shërbimeve publike; Mbikëqyrja publike, liria e informimit një e drejtë themelore e njeriut dhe qasja e qytetarëve në informacion do të jenë pjesë përbërëse e punës së çdo sektori në bashki.

Nëpërmjet komiteteve të mbikëqyrës qytetare apo borde konsultative në çdo njësi pjesë përbërëse e bashkisë së madhe do të nxitim transparencën dhe llogaridhënien në lidhje me financat publike, ndërtimin e mbrojtjeve kundër korrupsionit, për të siguruar që paratë publike janë ndarë në pjesë të barabarta dhe që interesat dhe nevojat e të varfërve dhe grupeve të margjinalizuara janë adresuar në mënyrë adekuate.

Cili është afati kohor brenda të cilit premtoni se do të zgjidhni përfundimisht problemin e furnizimit me ujë të pijshëm të zonës? Çfarë do të bëni konkretisht për rikonstrucionin dhe mirëfunksionimin e depos së ujit që pavarësisht investimeve të mëdha është ende jashtë funksionit?

Për qytetin ky problem është i zgjidhur pasi Gramshi furnizohet me ujë të pijshëm 24 orë.

Ndërkaq së bashku me drejtorinë e Ujit të Pijshëm në Gramsh ne kemi hartuar një kontratë bashkëpunimi me projekte të gatshme për rikonstruksionin e rrjetit të brendshëm pasi ka nevoja urgjente ndërhyrje duke negociuar me qeverinë apo kompani investitore brenda vendit apo edhe të huaja.

Po kështu edhe për depon e ujit që ju me të drejt e keni nënvizuar si shqetësim. Vënia në funksionim e saj kërkon një angazhim në radhë të parë të strukturave ligjore për të parë amortizimin , sigurinë, ndërhyrjet e nevojshme e më gjerë. Ndërkaq për fshatrat së bashku me grupet e interesit kemi hartuar një database të plotë për gjendjen aktuale të ujit të pijshëm në to. Me një plan të detajuar në fund të mandatit të parë, referuar edhe resurseve të bollshme që ka rrethi jonë me ujë të pijshëm ta zgjidhim përfundimisht furnizimin me ujë të pijshëm për çdo banorë të kësaj bashkie të madhe.

Cilët hapa konkretë do të ndërmerrni në ndihmë të rehabilitimit të numrit të madh të përdoruesve të substancave narkotike në këtë zonë? Në cilën mënyrë do të mbështesë bashkia qendrat sociale në ndihmë të tyre dhe a do të ngre bashkia e re qendra rehabilitimi ose sociale nën administrimin e saj?

Fillimisht më duhet të them se në këtë drejtim na vjen në ndihmë si ligjshmëria e cila rregullon aspektet e lidhura me prodhimin, trafikimin dhe aksesin ndaj substancave narktoike si dhe një përvojë e mirë bashkëpunimi midis shkollave, organeve të policisë, komiteteve të prindërve, strukturat qeverisë të nxënësve etj.

Ekziston edhe një program i ri, pjesë e kurrikulës baze te detyrueshme, e quajtur “aftësitë për jetën dhe aftësitë për karriere” nëpërmjet të cilit afrohet një shërbim dhe mbështetje e duhur në këtë drejtim.

Elementë të tillë ne do t’i bëjmë pjesë të programit tonë sensibilizues dhe edukues për të rinjtë për të mos rënë preh e dukurive të tilla. Natyrisht unë nuk mund të them që në këtë drejtim nuk ka probleme.

Ka ende të rinj që përdorin substanca të lehta narkotike por e theksoj se në rrethin tonë nuk ka pasur kohët e fundit asnjë rast të kultivimit të tyre. Lidhur me këtë situatë reale që ekziston në rrethin tonë ne nuk e shohim të nevojshme çeljen e qendrave sociale për këtë çështje por do te vijojmë te hartojmë projekte për të sinkronizuar të gjithë faktorët edukativ në këtë drejtim.

Në programin tonë është shënuar kontratë e përbashkët midis shkollave sidomos të qytetit , punonjësve të shëndetësisë si dhe atyre të policisë për zbatimin e një platforme edukimi e cila do të na çojë padyshim në përmirësimin e kësaj dukurie. Të rinjtë duhet të kenë sa më shumë informata për pasojat e përdorimit të substancave narkotike ,programe për dëmet shëndetësore.

Ndërkaq për shtresat në nevojë në Gramsh funksionojnë dy qendra prej të cilave ajo për fëmijët me aftësi të kufizuara që menaxhohet dhe financohet nga bashkia si dhe ajo e shëndetit mendor e inkuadruar në shërbimin shëndetësor. Këto dy qendra do të vijojnë të funksionojnë duke rritur kapacitetet si dhe standardet e shërbimit ndaj njerëzve në nevojë.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me nxitjen e turizmit malor dhe ekoturizmit të qendrueshëm në këtë bashki gjatë këtij mandati?

Gjithnjë e më shumë turizmi po shndërrohet në furnizuesin kryesor të ekonomisë me të ardhura. Mirëpo zhvillimi spontan i pa mbështetur në strategji të qarta, nuk mund të shndërrohet në një mjet të qëndrueshëm për të garantuar ritme të larta rritjeje. Në këtë kuptim edhe ne kemi filluar të përpunojmë një strategji të zhvillimit të turizmit në bashkinë tonë.

Synojmë që të zhvillojmë imazhin si destinacion turistik nëpërmjet sloganit “Gramshi juaj për t’u zbuluar”. Për këtë gjatë vitit të parë të mandatit do të përfundojmë strategjinë e plotë të zhvillimit të turizmit kryesisht atij malor specifike për resurse tona si dhe kushte mjaft ideale për ekoturizmin e individit , grupeve të vogla dhe ekoturizëm popullor.

Hartimi i një guide turistike për promovimin e resursve të tilla si:

  • Hapësira liqenore që formohet nga ndërtimi H/C Banjë dhe Moglicë.
  • Liqeni i Dushkut dhe Uji i ftohtë i Lenies.
  • Ujëvara e Sotirës dhe Pylli i Skënderbegasit së bashku me Teqene e kësaj treve.
  • Rovja e Kukurit Grabova dhe Kërpica per akomodimin privat te turisteve.
  • Sporti dimëror i skive në Grabovë-
  • Vendbanimet e hershme, Kalaja e Tunjës, tumat ilire , Vendbanimet e herëshme shpellore si ai i Tërvolit etj, japin një material të pasur arkeologjik që tregojnë për kulturën e popujve, ritet, zakonet dhe traditave mrekullueshme të kësaj treve.

Nxitja e emigrantëve për investime , përkrahja e prodhimeve vendore, shndërrimi i turizmit malor dhe veror në degë bazë të ekonomisë lokale drejt një ekonomie me bazë trinomin : ekonomi-mjedis – shoqëri janë pjesë të programit tonë në vijim.

Citova vetëm disa pjesë të programit tonë të punës për bashkinë Gramsh duke shënuar faktin se jam e nderuar që në zgjedhjet e 21 qershorit 2015 do të garoj për të drejtuar këtë bashkim në katër vitet e ardhshme.

Unë kam zgjedhur të jetoj në këtë qytet, të ndërtoj këtu jetën time dhe të familjes time. Kam zgjedhur të jetoj në këtë trevë së bashku me gëzimet , hallet , shqetësimet dhe problemet jetësore të banorëve të Pishaj, Porocanit,Kukurit, Lenies, Kodovjatit, Skënderbegasit, Kushovës, Tunjës, Sultit dhe në çdo fshat dhe lagje të tyre.

Lumturohem kur gjërat shkojnë mbarë dhe ndjehem keq kur punët nuk ecin mirë, kur ka ende mungese të infrastrukturës rrugore, kur ka ende papunësi, kur ka ende mjerim të tregjeve në qytet dhe në fshatra, kur ka ende toka të pambjella për pamundësi, neglizhencë etj. Pikërisht, prandaj këto zgjedhje janë jetike për të ardhmen e qytetit tone të madh tashmë Gramshit tonë të dashur.