Profile15 May 2015

Profili i bashkisë Mallakastër

Bashkia e re e Mallakastrës kthehet në një zonë thuajse rurale, pasi qyteti i vetëm i Ballshit përbën 28 për qind të popullsisë së kësaj njësie.

Author: Ina Baçinozi BIRN Mallakastër
Print

Harta e re territoriale e Bashkisë Mallakastër

Harta e re territoriale e Bashkisë Mallakastër

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re: 

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-mallakaster/

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Bashkia e re kufizohet në veri dhe perëndim me bashkinë Fier, në jug me bashkitë Selenicë dhe Memaliaj, në lindje me bashkitë Poliçan dhe Berat, ndërsa në veri me bashkitë Patos dhe Fier. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Ballshit.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re ka një popullsi prej 27.062 banorësh ndërsa në regjistrin civil rezultojnë 43.033 vetë si popullsi. Sipërfaqja e bashkisë së re është 329.19 km2. Në bazë të censusit, densiteti i popullsisë është 82.45 banorë për km2, ndërsa në bazë të regjistrit civil densiteti është 130.72 banorë për km2.

Kjo bashki përbëhet nga 9 njësi administrative, të cilat janë: Ballsh, Qendër Dukas, Greshicë, Aranitas, Hekal, Ngraçan, Kutë, Fratar dhe Selitë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Mallakastrës dhe qarkut Fier. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 41 fshatra.  Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i bashkisë

Zona e Mallakastrës është kodrinore me lartësi mbizotëruese 200-300 metra mbi nivelin e detit ndërsa pika më e lartë e krahinës është maja e Shëndëllisë në nivelin 712 metra.

Mallakastra është një zonë e rëndësishme e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese të naftës, si dhe një zonë bujqësore e blegtorale me përqendrim te drurët frutorë si ullinj, qershi, dardha e fiq.

Rafineria e Ballshit është aktiviteti kryesor ekonomik i zonës me disa qindra të punësuar ndërsa rafineria dhe fushat naftëmbajtëse janë edhe burimet kryesore të ndotjes për këtë bashki. Pas ndërtimit të superstradës së re Levan – Tepelenë disa vite më parë, Zona e Mallakastrës humbi funksionin e saj si zonë tranzitore në aksin nga Fieri drejt Gjirokastrës.

Për shkak të kushteve të vështira ekonomike gati gjysma e popullsisë së zonës ka migruar Shqipërinë qendrore ose ka ikur në emigrim. Bashkia e re e Mallakastrës do të jetë pothuajse tërësisht një zonë rurale pasi qyteti i vetëm, Ballshi, kishte në censusin e vitit 2011 vetëm 7600 banorë ose vetëm 28 për qind të popullsisë të të gjithë bashkisë së re. Disa prej njësive administrative, si Ngraçani apo Selita, kanë popullsi të vogël prej pak qindra banorësh. Gjendja e infrastrukturës rrugore në këtë zonë është shumë e vështirë dhe kjo e vështirson jetën e qytetarëve gjithnjë e më shumë, por edhe rrit në mënyrë të ndjeshme kostot e mirëmbajtjes së pjesës tjetër të infrastrukturës, si shkolla, qendra shëndetësore dhe ujësjellës/kanalizime

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Sfida kryesore e bashkisë së re pritet të jetë ofrimi i shërbimeve publike bazë në kushtet kur ekonomia e zonës është e varfër në burime dhe rrjedhimisht e varfër në të ardhurat fiskale. Investimet e domosdoshme për të ofruar shërbimet bazë janë të larta për shkak të terrenit të thyer kodrinor të zonës dhe largësisë së shumë fshatrave nga kryeqendra e bashkisë.

Një sfidë tjetër me të cilën pritet të përballet bashkia e re është  dhe mirëmbajtja e infrastrukturës vaditëse të krijuar gjatë kohës së komunizmit përmes ndërtimit të disa dhjetërave rezervuarëve të vegjël, të cilat janë shumë të domosdoshme në kushtet kur zona është e varfër në burime ujore dhe të ardhurat lëvrohen kryesisht nga bujqësia dhe blegtoria.

Pastrimi dhe rikuperimi mjedisor nga ndotja e shkaktuar nga puset e naftës që tashmë janë drejt tharjes është gjithashtu një sfidë, por nga ana tjetër, marrja dhe mirëmenaxhimi i rentës minerare nga puset funksionale pritet të jetë një nga burimet kryesore të bashkisë së re.

Një nga sfidat e identifikuara nga popullsia e zonave rurale të kësaj bashkia lidhet veçanërisht me krijimin e sistemeve komunitare të grumbullimit dhe tregtimit të prodhimeve të drurëve frutorë, për të cilën bashkia e re nevojitet t’a përfshijë në politikat e saj integruese, duke balancuar në këtë mënyrë mbështetjen për zonën urbane dhe atë rurale në përbërje të saj.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Mallakastrës kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 31,705 votues. Votuesit janë të ndarë në 56 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 21 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.

Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Mallakastrës janë:

–        Agron Kapllanaj, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e  Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–        Shyqyri Kapllani, kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pjesë e  Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)