Interview3 Jun 2015

Adem Lala: Do të vë në punë burimet natyrore

Kandidati i Partisë Socialiste për kryetar në bashkinë Has premton se puna e tij e parë do të jetë ndërtimi i një selie të re për bashkinë në qytetin e Krumës si dhe ndërtimi i rrugëve të fshatrave.

Author: Bashkim Shala BIRN Krumë
Print

Adem Lala

Adem Lala

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Hasit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh i bashkisë së Hasit është varfëria dhe papunësia. Për zgjidhjen e këtyre problemeve, mendoj se gjatë mandatit, sidomos në vitin e parë dhe të dytë të ngjallen të gjitha ato resurse që ka zona jonë si bujqësia, blegtoria, pemëtaria, minierat dhe disa ndërmarrje siç është fabrika e pasurimit kromit, deri edhe në një fabrike shkrirjeje, administrimi i ujërave të cilat janë burime që duke u aktivizuar do të sjellin punësim dhe rritjen e mirëqenies në zonë. Unë mendoj që krahas resurseve tjera në zonën tonë janë edhe parqet eolike (Energjia e erës), por edhe e ujit. Por me projektet e hartuara në vitet 2009-2011 nuk arritën që të zbatoheshin. Mendoj që këto projekte t’i riaktivizojmë për të bërë të mundur ngritjen e parqeve eolike në zonën e Qafës së Prushit. Njëkohësisht edhe ndërhyrjet në infrastrukturë që duke shtuar investimet në infrastrukturë edhe kjo e fundit do të përmirësohet, por edhe njerëzit do të punësohen dhe të rritet mirëqenia dhe zbutet varfëria. Edhe çështjet sociale janë një problem në vete, sepse zona jonë është një zonë e varfër, ku shumica e familjeve trajtohen me ndihmë ekonomike. Për këtë qëllim edhe në këtë aspekt do të shikohet duke ndërhyrë pranë qeverisë që të rishikohet forma dhe mënyra e dhënies që ndihma të shkojë te ai që i takon.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Hasit?

Para se do të kandidoja unë kam hartuar një plan, por kam edhe një ëndërr që në ditët e para të mandatit tim të ndërtoj një strehë për administratën e bashkisë Krumë, pasi ka rreth 25 vite qe administrata e Bashkise Krumë nuk e ka ngrehinën e saj. Aktualisht administrata e kryen funksionin e saj në pallatin e Kulturës që mund të them se është i pushtuar nga Bashkia. Pra hapi i parë do të jetë ngritja e një godine të mirë dhe funksionale për administratën e Bashkisë. Për sa i përket infrastrukturës puna e parë që do të bëj, do të marr të gjitha projektet e hartuara nga njësitë vendore, ku më imediate janë këto: E para është rruga e Vlahnës e cila është në mes të investimit, e dyta që pritet të fillojë shumë shpejt, është rruga e fshatit Zahrisht që është me financim të Fondit të Zhvillimit Shqiptar. Prioritet do të jenë rrugët e fshatrave që kanë banorë më shumë, pasi edhe investimi do të jetë në raport me numrin e banorëve që përfitojnë. Prioritet do të jenë edhe rrugët e fshatrave siç është rruga e Nikoliqit, rruga e fshatit Dobrunë që lidhet me Kosovën ku ka edhe një program me qeverinë e Kosovës në kuadër të projektit IPA për marrëdhëniet ndërkufitare. Mendoj që edhe kjo rrugë i shërben shumë komunitetit të zonës. Njëkohësisht është edhe rruga e Bjeshkës , pikërisht rruga që të çon në Cahan, pasi kjo rrugë mund t’i shërbejë edhe turizmit, në veçanti atij speleologjik, ku në këtë zonë është i ngritur edhe një kamping që i shërben turizmit. Por ky turizëm duhet të promovohet që të bëhet sa më i njohur. Prapë kam një plan ku mendoj që brenda mandatit katër vjeçar t’i realizoj këto sapo thashë më lart. Besoj se unë kam dhënë prova se i mbaj premtimet.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të   njësive administrative të bashkisë Has dhe cilat janë ato?

Parimi bazë do të jetë kriteri profesional, siç është niveli arsimor i secilit administrator, aftësitë menaxhuese e drejtuese, komunikimi me publikun dhe aftësitë që kanë ata për të rigjeneruar të gjitha ato resurse që kanë zonat e tyre . Pra kriter bazë nuk do të jetë linja partiake, pra personi i emëruar do të jetë administrator që me punën e tyre në shërbim të qytetarëve të jenë gjatë gjithë kohës në shërbim të tyre. Për sa i përket administratës bashkisë me hyrjen e Statusit të Nëpunësit Civil edhe në njësite vendore, i cili është kriter bazë dhe këtu hyn përgatitja profesionale, arsimimi si dhe kurset e trajnimet dhe eksperienca që ka kaluar vetë nëpunësi, por edhe aftësitë komunikuese me publikun në mënyrë që këto persona t’u shërbejnë qytetarëve në çdo kohë. Për mua nuk do ketë shumë rëndësi kriteri partiak. Politika është në periudhën e zgjedhjeve. Me përfundimin e tyre nuk ka më politikë, por ka vetëm punë.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?

Vetë ligji i pushtetit vendor ka parashikuar këtë pjesëmarrje. Pushteti vendor është i ndarë në dy lloj qeverisje, po të themi ai legjislativ dhe ekzekutiv. Pra legjislativi është Këshilli i Bashkisë, ndërsa ekzekutivi është Kryetari me administratën. Unë mendoj dhe kam shumë dëshirë që Këshilli i Bashkisë të dalë nga këto zgjedhje të jetë sa më funksional dhe sa më i arsimuar. Duke qenë profesional dhe të arsimuar dhe me vizion unë do të kem një bashkëpunim mjaft të frytshëm me ta që të kemi një gjithpërfshirje të zonës në përshtatje me zonën sipas terrenit dhe resurseve që kanë të gjitha zonat. Në bashkëpunim me Këshillin e Bashkisë si dhe me banorët, këshillat e fshatrave dhe kryepleqtë e fshatrave, do të shikojmë mundësitë që të investohet dhe të marrim vendime të qarta dhe të sakta në shërbim të komunitetit.

Si do të përdoren të ardhurat nga renta minerare nga bashkia?

Në rrethin e Hasit ka shumë minerale, veçanërisht mineral kromi, bakri e hekur nikeli. Rezervat e kromit në fshatin Vlahën janë të mëdha, por edhe në fshatin Perollaj, Zgjeç e Helshan. Këto janë rezerva të çertifikuara të cilat janë të pashfrytëzuara. E keqja më e madhe gjatë qeverisë së mëparshme ka qenë se këto rezerva janë shfrytëzuar pa kriter duke dëmtuar shumë territorin, pasi këto minerale janë kryesisht në zonat kullosore të cilat janë dëmtuar madje shkatërruar nga shfrytëzimi ka kriter. Pra me marrjen e mandatit mendoj që këto ndërhyrje duhet të disiplinohen që secili subjekt që ka marrë një pjesë të territorit për shfrytëzim, të shfrytëzojë me kritere dhe ne të marrim masat që në radhë të parë të mos ketë probleme me banorët e zonës, si me lëndë plasëse, zhurmat, ndotjen e ambientit, prishjen e kullotave. Mendoj që me të ardhurat që do sjellin këto vendburime të përdoren për ato zona. Renta minerare me Vendim Qeverie është e përcaktuar për pjesën që do marrë pushteti vendor dhe në rrethin e Hasit mendoj që pjesa kryesore e të ardhurave të jetë nga renta minerare. Njëkohësisht kemi edhe një fabrikë pasurimi që ka të punësuar rreth 40 punëtorë që është një e ardhur për banorët e zonës që do të ketë një mbështetje nga pushteti vendor për t’u krijuar lehtësira, pasi punësimi ndikon shumë në mirëqenien e zonës ku ajo ndodhet.

Çfarë politikash do të ndiqen për të zhvilluar pemëtarinë në zonën e Krumës?

Zona e Hasit dhe përbërja e tokës në këtë zonë është e përshtatshme për pemëtari. Pavarësisht drejtimeve që kanë pasur njësitë vendore, çdo qeveri e ka mbështetur pemëtarinë duke investuar në këtë sektor me subvencione. Të gjithë ato fermerë që kanë mbjellë pemë kanë marrë subvencion. Ka filluar mbjellja e kumbullave, mollëve, arra dhe vreshtave. Mendoj që kjo veprimtari ende të stimulohet. Krahas angazhimit të njerëzve në punë në këtë sektor zhvillimi i pemëtarisë do të ndikojë në furnizimin e tregut me prodhim vendas . Por vështirësitë qëndrojnë në daljen në treg për shkak të mungesës së infrastrukturës, ku pemët që prodhohen në Has zakonisht tregtohen në Kukës, pasi edhe konsumi në këtë zonë është i vogël për shkak të numrit të paket të banorëve.

Çfarë do të bëjë bashkia për mbrojtjen dhe rigjenerimin e pyjeve në bashkinë Has?

Pyjet me vendim qeverie dhe ligjit të Parlamentit pjesa më e madhe janë në pronë të njësive vendore. Hapi i parë që duhet të bëhet është që këto pyje të futen në kadastër e hipotekë që të hipotekohen si pasuri. Pra të njihet si pasuri të njësisë vendore. Duke e pasur pasurinë mund të investosh pa i marrë leje askujt, pasi është pronë e bashkisë. Në zonën tonë ka shumë pyje të dushkut. Lisi i dushkut zhvillohet shumë. Në këtë drejtim është investuar edhe nga Banka Botërore. Ka shumë pyje që janë të rigjeneruara, të pastruara e sistemuara. Por në të ardhmen kërkohet që të mbillen edhe fidanë të ri dhe të mbrohen ato. Duke zhvilluar pyjet dhe duke jua dhënë banorëve në administrim, këtyre të fundit u vilet një taksë që do të shërbejë për të mirëmbajtur pyjet, vendosjen e rojeve, mbrojtjen nga zjarri etj. Por përveç pyjeve të dushkut në këtë zonë kemi edhe ahun dhe në lartësi të mëdha edhe pishën sidomos në zonën e Pashtrikut. Mendoj që në të ardhmen të investohet edhe në këto masive pyjore nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit, pasi bashkia nuk ka kapacitete.

Cilat janë politikat ekonomike dhe ato bujqësore që ju do të ndërmerrni për të nxitur shfrytëzimin e tokave bujqësore që janë lënë djerrë?

Sipërfaqe të mëdha toke në Has kanë funksionuar që para viteve 90-të. Kane ekzistuar dy ndërmarrje bujqësore, ndërsa pjesa tjetër kooperativa. Problemi më i madh i kësaj sipërfaqe te madhe toke është shpërndarja që i është bere pas viteve 90-të. Ka shumë sipërfaqe toke pa dokumentacion. Hapi i parë është sistemimi i dokumentacionit të këtyre tokave dhe njohja e pasurisë që ka çdo familjar. Duke pasur një pronë çdo banor, atëherë edhe mund të investosh në atë tokë. Sepse “A”-ja e një investimi është pronësia mbi token e shoqëruar me dokumentacionin e duhur. Pa këtë dokumentacion në atë pronë nuk mund të investohet. Por një problem tjetër në zonën tonë është vaditja e tokës, pasi e gjithë vaditja e tokës behet me ujëmbledhës. Në të ardhmen detyra ime është që këto ujëmbledhës që janë të vihen në eficencë, duke i ruajtur digat, duke i mbushur gjatë dimrit, duke sistemuar e pastruar kanalet vaditëse. Pra problem kryesor në këtë zonë në sektorin e bujqësisë është vaditja, pasi ndër vite kësaj zone “Hasi i Thatë i kanë pas thanë”. Edhe në sektorin e bujqësisë duhen subvencione nga qeveria si në kulturat e misrit, grurit, por edhe perimeve.

Rrethi i Hasit njihet edhe për racën autoktone që është “Dhia e Hasit”.Çfarë do të behet për shtimin e numrit të krerëve me dhi në këtë zonë me traditë për mbarështimin e të dhirtave?

Edhe para viteve 90 në rrethin e Hasit ka qenë e zhvilluar blegtoria, ku dhia zinte vendin e parë, delja e racës Bardhokë dhe komplekset e gjedhit. Pas viteve 90 si pasojë e ndryshimeve krerët në blegtori u pakësuan në maksimum. Por shikoj që këto vitet e fundit është rritur interesi për mbarështimin e blektorisë. Shumë emigrantë që kanë shkuar jashtë shtetit kanë ruajtur dhitë apo delet në ato vende ku kanë shkuar dhe me atë eksperiencë që kanë marrë atje janë kthyer dhe kanë filluar të mbarështojnë blegtorinë sidomos dhinë ku bjeshkët e zonës së Hasit janë mjaft të favorshme për mbajtjen e tyre. Shumë fermerë kanë krijuar minifermat me një numër të madh krerësh dhe këto janë subvencionuar nga qeveria, sidomos për dhinë, lopën dhe delen, por dhe për bletarinë, pasi në zonën tonë edhe bleta mbarështohet. Pra mendoj duke parë që në shumë zona po rritet numri i krerëve me dhi, gjedhë e dele, kërkohet ngritja e linjave të përpunimit të qumështit, pasi në gjithë rrethin e Hasit ekziston vetëm një baxho për përpunimin e qumështit në fshatin Cahan. Në të ardhmen me rritje e prodhimit duhet të shtohet numri i linjave të përpunimit. Por një punë e madhe duhet bërë edhe në drejtim të marketingut në mënyrë që prodhimet e bulmetit bio të kësaj zone të mund të çajnë edhe tregjet evropiane.

Si do veproni me koncesionet që kanë dhënë ish kryetaret e komunave/bashkive në ish tokat publike me kontrata klienteliste sidomos për shfrytëzim mineralesh?

Duke qenë se jemi zonë në periferi nuk ka pasur shumë investime dhe kontrata koncesionare. Siç e thamë më lart është bërë një fabrikë e pasurimit të kromit. Një koncesion është dhënë në fshatin Vlahen për kromin. Në periudhën që unë kam qenë kryetar komune kam pasur shumë debate lidhur me këtë koncesion, pasi i gjithë dokumentacioni nuk i përshtatej ligjit. P.sh firma nuk ishte konsultuar me banorët në territorin ku do të ushtronte veprimtarinë ashtu siç shkruhej në ligj. Në kundërshtim me ligjin firma ushtron edhe sot aktivitetin mes qendrave të banuara ku nuk lejohet me ligj. Me marrjen e mandatit do të rishikohen kontratat koncesionare në drejtim të zbatimit të ligjshmërisë për ato pika që ne na përkasin pasi jemi angazhuar para komunitetit në mbrojtje të pronës, mjedisit dhe jetës tyre.