Interviste16 Qer 2015

Basir Çupa: Plan rregullues dhe infrastrukturë për Klosin

Këto janë përgjigjet e kandidatit të Partisë Demokratike për bashkinë e re Klos.

Autor: Hysen Likdisha BIRN Klos
Printo

Basir Cupa

Basir Cupa

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Klosit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Mendoj se problemi më i madh i Bashkisë Klos është Plani i Përgjithshëm Rregullues dhe zbatimi i tij konkret i shtrirë në kohë sipas mundësive reale, hap pas hapi deri në realizimin e plotë të tij. Me këtë është e lidhur pazgjidhshmërisht ngritja me ritme sa më të shpejta e infrastrukturës së plotë rrugore që do të lidhë me qendrën e bashkisë çdo fshat e çdo lagje fshati.

Për ta zgjidhur këtë problem do të ndërmarrim me përgjegjësi të plotë hapat e nevojshëm me afate kohore të studiuara mirë, si më poshtë:

Së pari, për të realizuar këtë objektiv që mbart shumë përgjegjësi e kërkon angazhim e përkushtim serioz duhet një administratë efiçente, e aftë dhe po aq e përgjegjshme. Për këtë administrata, si në qendër edhe në njësitë e veçanta, do të formatohet e tillë që të jetë e sigurtë dhe e vendosur jo vetëm për të hartuar saktë planin rregullues, por mbi të gjitha për  të marrë këto përgjegjësi. Pra do të vendosen kudo njerëz të aftë e plotësisht të përgjegjshëm.

Së dyti, Plani i Përgjithshëm Rregullues do të hartohet duke thithur mendimin intelektual, i bazuar tërësisht në nevojat komunitare dhe do të jetë i studiuar shumë mirë dhe me përgjegjësi të plotë.

Së treti, përshkallëzimi i hapave deri në realizimin e plotë do të bëhet në përputhje me mundësitë reale.

Së katërti, nuk mund të ketë as plan rregullues as realizim të tij pa krijuar infrastrukturën e nevojshme që do e mundësojë këtë. Për këtë, problem më i ngutshëm është lidhja sa më optimale e çdo njësie, e çdo fshati dhe lagjeje me qendrën e bashkisë. Vetë pozicioni ku është qendra është i artë, pra është vërtet qendër në raport me distancat në gjithë territorin ku shtrihet kjo bashkësi. Kjo na vë para detyrimit për të ndërtuar rrugë të reja të nevojshme për të mundësuar këtë lidhje të artë. E kam treguar edhe më parë se ura e re që do të ndërtohet në vendin ku është pasarela te ish Pazari i Urës, do të mundësojë që njësia Xibërr të harmonizohet në distancë me njësitë e tjera në lidhje me qendrën e bashkisë, duke ndërtuar rrugën e re automobilistike që do të përshkojë itinerarin nga kjo urë, nëpër lagjen Ballosh të Fshatit drejt Qafë-Shkallesë e Xibrrit. Po ashtu lidhja e fshatrave të Gurrës me Urën e Shulbatrrës, e fshatrave të zonës së Kurdarisë me Suçin etj., pra me një projekt të menduar mirë të lidhet harmonikisht çdo skaj i territorit të kësaj bashkie me qendrën e saj.

Gjithsesi, në kuadrin e Njësise se Re të krijuar,  Bashkia Klos ka një numër të madh problemesh, por më kryesoret janë:

  • Hartimi i Planit Urban (Planit të Përgjithshëm Rregullues)
  • Infrastruktura rrugore që lidh Qendrën me Komunën Xibërr
  • Infrastruktura rrugore e lagjeve te seicilit fshat
  • Infrastruktura e sistemit të vaditjes
  • Sistemi i furnizimit me ujë të pijëshëm
  • Mungesa e tregut industrial dhe të mishit
  • Terrenet sportive në shkolla
  • Mungesa e sitemit të AITISE në Bashki
  • Krijimi i zyrës me një ndalesë pranë hollit të Bashkisë
  • Mungesa e pallatit të kulturës në qytet
  • Mungesa e lulishtes në qytet
  • Mungesa e një baxhoje
  • Mungesa e depozitave frigoriferike
  • Mungesa e zyrës multifunksionale për moshën e tretë
  • Mungesa e një qendre pritjeje për trajtimin e problemeve me natyrë sociale.
  • Mungesa e terreneve sportive në çdo shkollë
  • Krijimi i qenrdrës Rinore

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Klosit?

Në dy vitet e para, unë si kryetar bashkie do të shtroj me çakull mali të gjitha rrugët e fshatrave të Bashkisë së Re; do të asfaltoj rrugën nga Qafë Shkalleja në qendër të Komunës Xibër; do të bëj ndërhyrje në të gjithë kanalet vaditëse ekzistuese; do të riparoj çdo ujësjellës ekzistues; do të planifikoj dhe mbaroj projekte në fushën e infrastrukturës rrugore, kanaleve vaditëse, ujësjellësave; dhe do të mbaroj Planin e Përgjithshëm Rregullues të Bashkisë Klos.   Sapo të marr mandatin, do të bashkëpunoj me qeverinë në qendër për të planifikuar me përgjegjshmëri e më tej realizuar në kohë përqendrimin dhe rajonalizimin e sistemit arsimor, për të mundësuar funksionimin sa më efektiv të procesit mësimor-edukativ në gjithë territorin e bashkisë.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Klos dhe cilat janë ato?

Përvoja ime si drejtues në disa dikastere të fushave të ndryshme do të më lehtësojë në punën time për të patur një strukturë shumë efiçente në shërbim të komunitetit tim. Unë nuk kam bërë dhe nuk do të bëj ndonjë listë për emërim dhe shkarkim punonjësish. Emërimi dhe shkarkimi i punonjësve do të jetë i  bazuar vetëm në ligjin Për Statusin e Nëpunësit Civil dhe Kodin e Punës. Struktura do të shikohet dhe rivlerësohet vetëm në bazë të dy kritereve të mësipërme dhe tërësisht në funksion të synimit të pastër për të patur një administratë sa më të përgjegjëshme dhe sa më efiçente në shërbim të komunitetit.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)

Së pari, në strukturën e re do të emëroj një zyrë me emërtesën Zyra e Programim Zhvillimit me dy ose tre punonjës.Kjo zyrë do të hartojë prioritetet e Njësisë së Re duke mirëpërcaktuar funksionimin e saj si zyrë në konsultimin paraprak të çdo prioriteti me lagjen ku është projekti dhe çdo aktor të interesave në zonë, si mësues, mjekë, ekonomistë, fermerë, etj. Pra, zyra do të ketë një model rregulloreje për hartimin dhe përfundimin e çdo projekti.

Së dyti, përsa i përket hartimit të buxhetit, ai do të përgatitet në formën e draftit rreth 4 muaj më parë nga njësia përgjegjëse për hartimin e saj ku marrin pjesë të gjithë përgjegjësit e zyrave dhe më pas do të zhvillohen tre takime publike: një te shkolla me mësuesit, një takim te Qendra Shëndëtsore Klos me mjekët dhe një takim në bashki me të gjithë specialistët dhe përfaqësuesit e profesioneve të tjera të biznesit të madh e të vogël.

Çfarë masash do të ndërmerrni për të siguruar transportin e nxënësve në shkollë nga fshatrat e Klosit brenda vitit të parë të mandatit tuaj?

Në vitin e parë për të gjithë nxënësit që vazhdojnë arsimin e mesëm të ulët e të lartë (pra dy nivelet e arimit të mesëm, kl VI-XII) dhe që kanë distancën  mbi 5 km nga banesa do të miratoj një fond të veçantë për secilin prej tyre. Mundësia e dytë do të jetë përjashtimi nga taksat vendore i mjeteve të transportit të nxënësve, për t’iu ardhur në ndihmë nxënësve.

Çfarë masash do të ndërmerrni për të nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë në zonën e Bashkisë Klos?

Në strukturën e Bashkisë do të jenë Zyrat e Bujqësisë dhe Veterinarisë të cilat do të japin konsulence për fushat e ndryshme në të gjithë fshatrat e bashkisë së re. Gjithashtu, do të realizoj mirëmbajtje të gjithë kanaleve vaditës ekzistuese, do të bëj pagesën e energjisë elektrike të pompave vaditëse për të gjitha pompat ekzistuese ose mirëmbajtjen e tyre, si dhe do të hartoj projektet e zbatimit për kanale të reja vaditëse.

Më kryesorja, do të bashkëpunoj me qeverinë dhe veçanërisht me hipotekën, në mënyrë që çdo fermer të marrë çertifikatën e pronësisë për tokën që i takon. Mendoj se identifikimi i pronave është domosdoshmëri për të realizuar mirëadministrimin e të gjitha resurseve në funksion të zhvillimit ekonomik në bashki dhe rritjes së mirëqënies së komunitetit në tërësi. Vetëm kështu do të merren përgjegjësitë e duhura për administrimin e pasurive në trevën tonë.