Interview2 Jun 2015

Besnik Dushaj: Premtoj më shumë infrastrukturë

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Tropojë beson se zgjidhja e problemit të varfërisë dhe papunësisë qëndron te ndërtimi i rrugëve.

Author: Bashkim Shala BIRN Bajram Curri
Print

Besnik DushajCili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Tropojës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh që kamë identifikuar në Tropojë edhe në këto ditë fushate, por edhe më përpara, por veçanërisht në këto dy vjet që po qeveris e majta janë varfëria dhe papunësia. Tropoja çdo ditë po zhytet në varfëri, po rritet numri i të papunëve. Ndaj prioriteti kryesor do të jetë ulja e papunësisë dhe ulja e varfërisë në Tropojë.

Si do të arrihet kjo që thatë me lart?

Që në fillimin e mandatit do të ulim taksat për biznesin e vogël dhe të mesëm, do të punojmë shumë për përmirësimin e infrastrukturës në përgjithësi që në saj të investimeve në këtë sektor të hapen vende pune, por edhe të infrastrukturës turistike pasi Tropoja është zona turistike malore më e mira e vendit dhe zhvillimi i turizmit në Tropojë është prioritet  kryesor gjatë mandatit katër-vjeçar. Rritja e numrit të turistëve, rrit të ardhurat për banorët e këtyre zonave, njëherësh ul papunësinë në shërbimet ndaj tyre, ul varfërinë dhe përmirëson njëherësh infrastrukturën dhe sigurisht rrit mirëqenien e qytetarëve të Tropojës.

Vitet e fundit është punuar shumë në këtë drejtim nga qeveria  e mëparshme. Shumë rrugë në zonat turistike janë të rikonstruktuara dhe të  asfaltuara, por shumë projekte mbeten në letër me ndryshimin e qeverisë në 2013-ën. Megjithatë ne do bëjmë ç’është e mundur që ato projekte t’i shtyjmë përpara që t’i japim prioritet sektorit të zhvillimit turizmit.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Tropojës?

Që në muajin e parë, jo në vitin e parë, ne do të identifikojmë të gjitha problemet që ka infrastruktura shkollore që në shtator me fillimin e vitit shkollor që godinat shkollore të jenë të rregullta, të pajisura me mjetet e nevojshme në mënyrë që viti i ri arsimor të fillojë pa probleme. Kjo do jetë një detyrë parësore që në muajin e parë të punës pasi koha nuk premton.

Ndërkohë që janë shumë projekte që qeverisa e Partisë Demokratike realizoi në Tropojë gjatë qeverisjes saj. Infrastruktura rrugore u përmirësua në aksin kryesor të rrugëve me Bajram Curri –Qafë Morinë (Doganë), Bajram Curri-Pac-Kam-Krumë, u lidhen të gjithë qendrat e komunave me asfalt. Ndërkohë që janë asfaltuar edhe rrugët e fshatrave të mëdha si ajo e fshatit Kernajë, Tpla e Markaj.

Gjatë ketij mandati prioritet do jetë edhe asfaltimi i rrugëve në fshatrat e mbetur. Do të asfaltojmë rrugën Kam-Qafë-Prushi(Doganë) pasi është një rrugë që lidh edhe fshatrat e zonës, por edhe zonat minerare, pasi kjo zonë është shumë e pasur me krom dhe ka një lëvizje shumë të madhe. Tjetër prioritet do të jetë edhe rruga e Qafë-Gjonajve që lidh fshatin Pac të komunës Bytyçit me pikën kufitare të Qafë-Gjonajve për në Gjakovë. Për këtë investim në pjesën tjetër të kufirit kemi marrë konfirmimin edhe të kryetares së komunës Gjakovës, zonjës Mimoza Kusari, me të cilën kam pasur takim këto ditë që edhe në zonën e Gjakovës investimi të vazhdojë dhe të përfundojë.

Kjo do të behet e mundur nga financimet e KE-së në kuadër të IPA-s dhe programit Cros Border. Gjithashtu synojmë ndërtimin e rrugës Dragobi-Çerem që do të lidhë ketë zonë me Plavën e Gucinë në Malin e Zi. Do të përmirësojmë infrastrukturën në rrugët e Bjeshkëve të Doberdolit dhe Sulbices, pasi një pjesë e madhe e banoreve të fshatrave të Tropojës verojnë bagëtinë në bjeshkë gjatë verës dhe gjatë kësaj kohe mbledhin edhe bimë mjekësore, kryesisht boronicën.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Tropojës dhe cilat janë ato?

Administrata e bashkisë Tropojë  do të jetë me specialistë më të kualifikuar, shkolluar dhe me eksperiencë. Do të synojmë të ndërtojmë një administratë të kualifikuar, për vetë kushtet e bashkisë së madhe. Edhe përzgjedhja e administratoreve do të behet në bazë të meritokracisë si dhe puna e përkushtimi ndaj komunitetit dhe  besimi që ka komuniteti ndaj administratorëve pasi ato me komunitetin do bashkëpunojnë për gjithçka.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)

Kam drejtuar për 4 mandate nga viti 1996-2009  komunën e Fierzës që ka qenë edhe komuna  më e madhe në Tropojë deri në vitin 2009 ku mora mandatin e deputetit. Pra, gjatë punës në drejtimin e komunës, një nga kriteret për hartimin e buxhetit, marrjen vendimeve ka qenë bashkëpunimi me komunitetin dhe përfshirja tij në vendimmarrje. Absolutisht që kjo do të funksionojë edhe në bashkinë e re të Tropojes. Për çdo vendim që do marrë Këshilli i Bashkisë, apo kryetari i bashkisë, sigurisht që mendimi i komunitetit do të jetë prioritar. Kjo do të realizohet përmes konsultave dhe marrjes së mendimeve në forma të ndryshme.

Si do të përdoren të ardhurat nga renta minerare nga bashkia?

Të ardhurat do shkojë për shërbime publike ndaj komunitetit të zonës si në investime dhe shërbime të ndryshme. Është detyrë e qeverisë që rentën minerare t’ja kalojë pushtetit vendor. Prej një vit e gjysmë kjo nuk ka funksionuar. Ligji ekziston dhe asnjë njësi vendore nuk ka përfituar nga renta. Le të marrin komunën e Bytyçit e pasur me mineral kromi. Kjo komunë nuk ka përfituar asgjë nga renta. Pra, nuk është zbatuar ligji.

Ne do të kërkojmë zbatimin e ligjit për rentën minerare edhe për periudhën e shkuar 18 mujore, por edhe të qeverisë së mëparshme, pasi ligji ekzistues na jep atë mundësi. Do  stimulojmë kompanitë që shfrytëzojnë në mënyrë efikase këto minerare duke zbatuar rregullat dhe ligjet edhe përsa i përket mjedisit dhe të punësojë sa më shumë njerëz. Por në mënyrë kategorike nuk do lejojmë dëmtimin e mjedisit nga këto kompani. Shumë zona deri tani janë shfrytëzuar pa kriter dhe pa studime mjedisore. Nuk do tolerojmë kurrsesi prishjen e mjedisit. Ndërkohë që në zonat turistike nuk mund të ketë ndërhyrje për nxjerrjen e mineraleve.

Është bërë një investim prej disa milionë eurosh për ujësjellësin e Bajram Currit dhe akoma nuk ka ujë. Çfarë masash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për ta vënë në funksionim këtë investim dhe për të zgjidhur problemin e furnizimit me ujë në qytet?

Ka një përmirësim të furnizimit me ujë për Bajram Currin dhe fshatrat përreth. Ujësjellësi nga Valbona ka zgjidhë problemin e madh të ujit në qytetin e Bajram Currit por edhe në fshatrat e komunës Margegaj, Cerrnicë, një pjesë të komunës Llugaj dhe asaj te Tropojës. Nuk mund të them se ka ujë 24 orë. Në bazë të projektit ishte planifikuar që ky ujësjellës të kishte një prurje prej 90/litër ujë për sekondë në qoftë se do administrohej mirë.

Ka pasur probleme, po edhe mangësi në projekt, pasi në periudhën e verës nuk ka ujë në burim sipas parashikimeve në projekt. Por problem vazhdon të mbetet rrjeti i shpërndarjes së ujit në qytet, megjithëse është bërë një investim në një pjesë të qytetit. Problem tjetër është mungesa e matësve të ujit në mënyrë që të kursehet uji nga konsumatoret dhe të moskeqpërdoret. Ne kemi hartuar një projekt për të shtruar sasinë e ujit në veprën e marrjes në Valbonë.

Projekti është mbrojtur edhe në Ministrinë e Punëve Publike. Do të insistojmë që të realizohet projekti, ku shtimi i sasisë së ujit do të furnizojë më pas edhe komunën e Bujanit e Llugajve. Me Fondin e Zhvillimit Shqiptar, pothuajse jemi në fazën përfundimtare të fillimit punimeve të rrjetit të ujësjellësit nga Bujani deri në fshatin Gri. Pra, me realizmin e këtij projekti  behet e mundur që Tropoja të furnizohet me ujë përgjatë 24 orëve.

Cilat janë politikat konkrete që do të ndërmerrni për rivitalizimin dhe zhvillimin e kulturave specifike të zonës si Boronica, gështenja dhe bletaria?

Nga një studim që kanë bërë specialistët thuhet se vitin e kaluar të ardhurat e banorëve të zonës nga shitja e gështenjës ka qenë rreth 3 milion euro. Megjithatë ky sektor ka probleme. Shumë herë nuk sigurohet tregu. Do të punojmë shumë që të sigurohet tregu konstant i gështenjës. Do të punojmë gjithashtu që të përfundojë punimet fabrika e përpunimit të gështenjave që ka nisur dhe është financuar një pjesë e saj, por që ka mbetur përgjysmë për mungesë financimi.

Pra do përpiqem që kjo linjë të përfundojë. Do të marrim projekte edhe nga donatorë të ndryshëm që të pastrojmë pyjet e gështenjave, ti mirëmbajmë ato. Të ndërhyjmë me projekte për të luftuar sëmundjet që e kapin pemën e gështenjës.

Kjo është një pemë e shenjtë që ka ushqyer Tropojën në shekuj. Jemi vendi i dytë në Ballkan për plantacionin me gështenja. Ndaj do i kushtojmë shumë rëndësi gështenjës, pasi një pjesë e madhe e familjeve  në Tropojë kanë në pronësi sipërfaqe me gështenja dhe një pjesë e të ardhurave vjetore e sigurojnë nga shitja e tyre

Vitet e fundit është rritur numri i bletëve. Qeveria e mëparshme ka dhënë subvencione për bletarinë, por edhe për blegtorinë. Ne do kërkojmë që bletaria të vazhdojë të subvencionohet pasi mjalti i Tropojës i dalë nga lulet e gështenjës është mjaft i kërkuar në tregun vendas, por edhe në atë të huaj edhe për vlerat e tij kuruese. Prandaj ne do punojmë që prodhimi mjaltit të shitet edhe në tregun e jashtëm pasi çmimi është më i shtrenjtë duke shtuar njëherësh edhe të ardhurat e bletërritësve, por duke stimuluar edhe shtimin e prodhimit të mjaltit.

Cilat hapa do të ndërmerrni për zonat e mbrojtura të bashkisë së re Nikaj Mërtur, Lumi i Gashit dhe Valbona dhe çfarë keni në plan për të nxitur zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm. Po për turizmin liqenor, veçanërisht në atë të Komanit a keni ndonjë projekt?

Gryka që fillon nga Komani e deri në Valbonë është një nga zonat turistike, nder më të mirat në Europë. Por edhe Liqeni i Fierzës kur është me kapacitetin e tij maksimal është një mrekulli në vete. Për disa vite ajo zonë mbeti shumë e varfer për shkak të mungesë së sigurisë para vitit 2005 , kaosit në lëvizjen e trageteve që çoi në mungesën e turistëve.

Fillimi i lundrimit  të trageteve në liqenin e Komanit, kryesisht për qëllime turistike është një lajm i mirë . Pra ne do i kushtojmë shumë rendësi edhe turizmit ujor. Kur flas për turizmin  ujor ketu e kam fjalën edhe për sportet ujore dhe ato të aventurës në ujë. Këto sporte po praktikohen edhe në lumin Valbona edhe në liqenin e Komanit.

Në këtë aspekt do i kushtojmë rëndësi edhe peshkimit në këto ujëra, në mënyrë që peshkimi te përdoret jo vetëm për të sjellë të ardhura për dikë, por edhe për peshkatarinë sportive. Turistët e huaj kanë filluar të praktikojnë shumë peshkatarinë sportive ku nga lumi i Nikaj Merturit që është pothuajse i njëjtë me lumin Valbona frekuentohen nga turistët vendas dhe të huaj që përdorin peshkimin për sport.

Do marrin masa që të ruhet dhe të mos dëmtohet pasuria peshkore me mjete të paligjshme, si dhe gjuetia në periudhën e shumimit të peshkut. Por Tropoja si resurs turistik nuk ka vetëm Valbonën. Tropoja ka edhe vargmale si një mrekulli që e ka falë Zoti. Pra keto vargmale që fillojnë nga maja e Kakisë deri në Currajt e Epërm është një bukuri e rrallë e natyrës shqiptare. Por kjo zonë nuk lidhet me rrugë të përshtatshme. Në këtë zonë kanë përfunduar të gjitha procedurat për ndërtimin e disa hidrocentraleve që fillojnë në lumin e Currajve deri në liqenin e Komanit.

Në projekt krahas ndërtimit të këtyre HEC-eve është parashikuar që të ndërtohet edhe rruga. Pra ne synojmë që turizmi të shtrihet nga Currajt e Epërm, nga bjeshka e Kakisë deri në Valbonë e Shkëlzen dhe në të gjithë vargmalet deri në Padesh. Potenciali  i  turizmit në Tropojë është edhe Padeshi. Kemi bëre të mundur ndërtimin e rrugës me asfalt deri ne Buçaj. Kemi një projekt me FZHSH-në për të çuar rrugën deri në Padesh  e më pas në kufi me Kosovën. Kjo do të bënte që kjo zonë nga më të mirat turistike dhe e virgjër të shfrytëzohej nga turistët vendas dhe shqiptarë të Kosovës, por edhe të huaj.

Do i kushtohet një kujdes i veçantë ndërtimeve pa leje në zonat turistike. Po punojmë për një plan studimor bashkë me universitetin “Polis”që e ka filluar më parë bashkia e Bajram Currit, për hartimin e planit rregullues edhe për qytetin e Bajram Currit, por edhe për zonat turistike. Do të shihet me kujdes të veçantë ndërtimi në zonat turistike të Tropojës duke ju përshtatur arkitekturës së traditës.

Por edhe do të bëjmë të mundur në sajë edhe të kreditimeve që të rehabilitojmë kullat karakteristike të zonës së Tropojëss  për t’i përshtatur ato për zhvillimin e turizmit familjar i cili është praktik dhe përdoret edhe në shtetet e zhvilluara. Pra do t’i themi “jo” betonit e pllakave në Valbonë. Pra hartimi i planit rregullues do jetë një mundësi edhe për personat e interesuar që të ndërtojnë aty ku duhet të ndërtohet dhe në përshtatje me arkitekturën karakteristike të zonës, qoftë restorant, hotel, motel, apo shtëpi banimi.