Interviste8 Qer 2015

Eduard Kapri: Master plan urban-mjedisor për Pogradecin

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Pogradec shprehet se problemet në bashkinë e re shtrihen në të gjithë sektorët socio-ekonomik.

Autor: Dhorjela Cule BIRN Tiranë
Printo

Eduart Kapri

Eduart Kapri

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Pogradecit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemet janë të shumta, të shumëllojshme dhe shtrihen në të gjithë sektorët jetikë të zhvillimit socio-ekonomik të Bashkisë së madhe të Pogradecit.

Do të bëja gabim nëse do të veçoja një të tillë, një problem pra. Ndaj dhe dua t’u bëj me dije se projekti im i parë, primar dhe i rëndësisë së veçantë do të jetë hartimi i Master Planit Urban – Mjedisor (ose Plani i Rregullimit të Territorit), si fondamenti mbi dhe në bazë të të cilit do të shtrihen aktiviteti i sektorit publik dhe atij privat. Nuk mund të flasim për zhvillim të integruar, pa një planifikim urban, territorial, mjedisor.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Pogradecit?

Projekti Strategjik “M.A.T.” i Zhvillimit të Integruar të Bashkisë Pogradec do të orientohet mbi tre boshte:

  1. Mjedisi (si hapësirë urbane / territoriale dhe pasuri natyrore);
  2. Agrobiznesi (dhe sipërmarrja në përgjithësi);
  3. Turizmi

Projekti im Strategjik është një projekt 4-vjeçar dhe shtrihet në 1460 ditë të barazvlefshme në planin e punës, vëmendjen dhe kujdesin e Bashkisë.

Ndërhyrjet në mjedis dhe në infrastrukturë do të jenë ato më imediatet, si:

  • Pastrimi, sistemimi dhe rigjenerimi i vijës bregliqenore nga Tushemishti në Lin, do të jetë një prej ndërhyrjeve që do të startojnë që në ditët e para të punës;
  • Përfundimi i kanalizimeve të ujërave të zeza në qytetin e Pogradecit;
  • Shtrimi dhe asfaltimi i rrugëve dhe hapësirave publike brenda qytetit;
  • Sistemimi i rrjetit rrugor që lidhin rrugën nacionale me qendrat e Njësive Administrative dhe fshatrat me numër të konsiderueshëm banorësh;
  • Sistemimi i kanaleve për ujitjen, vaditjen dhe kullimin e tokave bujqësore për t’u ardhur në ndihmë fermerëve;
  • Rikonstruksioni i shkollave kryesisht në zonat rurale;
  • Rikonstruksioni i plotë i të gjitha qendrave shëndetësore në 7 Njësitë Administrative të Bashkisë Pogradec.

Përkrah një liste të gjatë investimesh dhe ndërhyrjesh në infrastrukture, lista e të cilave është e gjatë dhe që do të përshtatet në kolegjialitet mes organit të ekzekutivit dhe organit vendimmarrës.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Pogradec dhe cilat janë ato? 

Nuk po shkoj në Bashki me ndonjë listë kriteresh për shkarkim të ndonjë punonjësi. Kriteret që duhet të përmbushë një punonjës i Administratës Publike i dimë të gjithë.

Teknicienët mbeten teknicienë, nuk kanë ngjyra politike, partiake, do të vazhdojnë të jenë pjesë e mekanizmit shtetëror, mes eksperiencës që mbartin. Njerëzit e aftë të administratës publike do të jenë me mua dhe pranë Bashkisë, për të bërë më të mirën për banorët, në një prej Bashkive më të bukura në Shqipëri.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Mekanizmi është një dhe i vetëm, kolegjialiteti në vendimmarrje të hapura, pas periudha konsultimesh me grupet e interesit dhe specialistët e çdo fushe. Bashkia nuk do të jetë më një ‘autoritet’, por një ‘partner’.

Këshilli Bashkiak do të jetë Parlamenti i Hapur për qytetarët dhe vendi ku do të mund të dëgjohen ata dhe të zgjedhurit e tyre.

U bie për detyrë këshilltarëve gjithashtu, të zhvillojnë takime konsultative me votuesit e tyre dhe të sjellin në Këshill Bashkiak dhe në Bashki, tek ekzekutivi pra, opinionin, mendimet dhe sugjerimet e banorëve.

Me pak fjalë, Organi i zgjedhur, këshilltarët e Këshillit Bashkiak do të jenë ata që do të duhet të punojnë fuqishëm përkrah nesh për të bërë ‘banorin’ pjesë të vendimmarrjes.

Transparenca do të element që do të karakterizojë punën e ekzekutivit. Faqja elektronike dhe buletini i Bashkisë, do të informojnë banorin dhe sipërmarrësit, se ku shkojnë dhe si shpenzohet çdo takes që vilet prej tyre.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me mbështetjen dhe nxitjen e mëtejshme të turizmit në këtë bashki gjatë këtij mandati? Si do të promovohen vlerat kulturore dhe kulinaria e zonës dhe si do të nxitet bashkëpunimi me vendin fqinj në këtë drejtim?

Format janë nga më të ndryshmet. Por Marter Plani, ndërhyrja në mjedis për pastrimin dhe sistemimin e territorit hidrik, ranor, rrugor, sistemimi i hapësirave publike, ndriçimi i çdo rruuge dhe rrugice janë domosdoshmëri.

Bashkëpunimi i ngushtë me agjenci potente të promocionit të turizmit në Europë, dhe kolaborimi me homologë jashtë vendit, do të jenë dy forma efikase në arritjen e qëllimit për zhvillimin e turizmit në Pogradec.

Botimet, krijimi i Hartës së Intinerarit Turistik, rrjeti elektronik, ngritja e zyrës së Informacionit, do të jenë mjete në duart tona, që do i përdorim për promovimin e turizmit në Pogradec.

Pogradeci do të organizojë çdo vit “Lake Rock” (Rok Liqeni), një aktivitet që do të sjellë zërat më të mire të muzikës rok nga Shqipëria, Ballkani, pse jo edhe Europa, në bashkëpunim me trupat diplomatikë, që jam i bindur që do të na mbështesin në idenë tone, që do të kthehet në një traditë të përvitshme.

Çfarë masash do të ndërmerrni gjatë vitit të pare të mandatit tuaj lidhur me kontrollin e peshkimit të paligjshëm dhe rigjenerimin e Liqenit të Ohrit? 

Një temë shumë e gjerë kjo, por do të përmbushim të gjitha detyrat me të cilat na ngarkon ligji, pasi një pjesë e detyrimeve për sektorin e peshkimit i takon Qeverisjes qendrore.

Partneriteti Publik – Privat është filozofia e qeverisjes sime në Bashkinë e Pogradecit. Peshkatarët janë sipërmarrës, akuakultura është një sektor që do të mbështetet me investime direkte nga Bashkia: do të krijohen mole, bazuar tek Master Plani ku të mund të ankorohen varkat, do të subvencionohen peshkatarët dhe do të mire-organizohen mes Shoqatës së tyre për të qenë në sinkron dhe më të fuqishëm teksa do të jenë së bashku. Që prej muajve të pare do të lidhim urat e bashkëpunimin me Këshillin e Peshkimit pranë BE-së si një prej strukturave që realisht mund të na vijë në ndihmë.

Cilët hapa konkretë do të ndërmarrë bashkia për të garantuar mosizolimin e zonave të thella gjatë muajve të dimrit?

Partneriteti Publik – Privat, ku Bashkia supervizon dhe privati sipërmerr, do të jetë një prej zgjidhjeve efikase për shmangien e problemeve të rrjetit rrugor në stinën e dimrit, për të evituar izolimin e zonave të thella në kohë reshjesh dëbore.

Cila do të jetë mbështetja e bashkisë së re gjatë katër-vjeçarit të ardhshëm për zhvillimin e qendrueshëm të sektorit të bujqësisë në këtë zonë?

Fermerët dhe blegtorët do të organizohen në ‘Rrjeti i Fermerëve të Pogradecit’ dhe ‘Rrjeti i Blegtorëve të Pogradecit’. Organizimi në Rrjete do t’i bëjë më potentë dhe më të sinkronizuar në veprimtarinë e tyre prodhuese.

Në kuadër të Partneritetit Publik privat do të hapen disa qendra magazinimi dhe frigoriferimi të produkteve bujqësore, të cilat do të shërbejnë njëkohësisht edhe si tregje për shitjen e produkteve.

Do të ndërtohen tre Baxho në zonat e thella, ku blegtorët të mund të shesin qumështin dhe ku të mund të prodhohen nënprodukte të tij, duke I dhënë kështu blegtorit garancinë e shitjes së qumështit dhe mundësinë atij për të shtuar prodhimin, dhe duke mos e sorollatur më blegtorin rrugëve të Pogradecit, me shishe plastike në dorë, duke shitur qumësht të papasterizuar dhe duke vënë kështu në rrezik edhe shëndetin e banorëve.

Do të sistemohen të gjitha kanalet ujitëse dhe vaditëse dhe askund nuk do të mungojë uji për vaditje.

Bashkia do të krijojë partneritet me Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë në qytete të rëndësishme të Ballkanit, për gjetjen e tregjeve të mundshëm për shitjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale, gjithashtu do të hartohet një program për krijimin e dy brand-eve të produkteve bujqësore “Pogradec” dhe “Mokra”, dy emërtime që do të certifikojnë vendin e origjinës së produktit.

A keni një strategji të qartë për nxitjen dhe promovimin e artizanatit, kulinarisë dhe monumenteve kulturore të zonës? Çfarë investimesh premton bashkia gjatë mandatit të parë në nxitje të aktiviteteve kulturore dhe sportive në këtë bashki?

Artizanat, kulinari, monumente kulture, të gjitha këto janë Brenda Projektit Strategjik “mat”, por në hapësira të ndryshme sektoriale.

Lidhur me sportin dhe kulturën, po përmend dyfishimin e fondit për KF Pogradec, rikonstruksionin e Stadiumit, si dhe rikonstruksionin e plotë të Pallatit të Sportit.

Klubi Shumësportësh do të jetë hapësira ku të rinjtë dhe të rejat pogradecare do të angazhojnë kohën e tyre.

Ekipet zinxhir do të kenë vëmendjen maksimale dhe mbështetje financiare, sepse sot më shumë se kurrë rininë duhet ta nxjerrim nga kafenetë dhe nga ekrani i Internetit që konsumon kohën, duke e drejtuar rininë tek një aktivitet ndryshe për fizikun dhe për një jetë sociale më dinamike.

Kultura. Për këtë kapitull u kam premtuar të gjithë artistëve pogradecarë, që pas zgjedhjeve do të ulemi të gjithë së bashku dhe do i japim një zgjidhje, nuk ka më kohë për të humbur.

Arti nuk vdes, as nuk shuhet, por një Bashki mund ta dëbojë artin, ta ndrydhë, duke e lënë në hije, duke e diskriminuar. Kjo periudhë do i përkasë së shkuarës, një tjetër kapitull do të hapim për Kulturën në Pogradec, një kapitull siç do e donte Lasgushi dhe Kuteli.

  • Elona Brumi

    Te lexosh fjalet e ketij kandidati eshte asgje, sepse gjithcka cfare thote me shume se ato jane ndertimet pa kriter dhe ne truaje konfliktesh qe ai vete menaxhon dhe nje pjese e posedon.