Interviste16 Qer 2015

Gëzim Çaushi: Transport dhe infrastrukturë për Roskovecin

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e re premton se do të përqendrohet te lidhja e fshatrave me qytezën e bashkisë së re.

Autor: Ina Baçinozi BIRN Roskovec
Printo

Gezim Çaushi

Gezim Çaushi

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Roskovecit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Me krijimin e bashkisë së madhe të Roskovecit hapësira territoriale do të zgjerohet dhe problemi kryesor lidhet me infrastrukturën. Me ndarjen e re territoriale bashkia do të përbëhet nga 14 fshatra dhe 1 qytet, kështu që ka nevojë emergjente për marrjen e masave konkrete për t’i siguruar banorëve mundësi transporti, infrastrukturë komode dhe sigurisht për të ndërhyrë edhe në rrjetin e kanalizimeve dhe ujësjellësit. Në 22 qershor do të fillojë puna për të ndërhyrë sa më shpejt në planet e zhvillimit.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Roskovecit?

Gjatë mandatit tim të parë në krye të bashkisë Roskovec nuk mund të them se janë realizuar 100% e projekteve por 80% e planeve të zhvillimit për këtë bashki janë realizuar. Por tashmë me zgjerimin e qytetit të Roskovecit dhe krijimin e bashkisë së madhe ka akoma më shumë punë për tu bërë. Gjatë këtyre ditëve kam vizituar 14 fshatrat e bashkisë së madhe dhe kam prekur nga afër problemet që shqetësojnë këta banorë. Problemet kryesore kanë të bëjnë nga mungesa e infrastrukturës, mungesa e ujësjellësve por edhe pa harruar mungesën e shërbimeve dhe qendrave shëndetësore në zonat urbane. Ndërhyrjet e para do të jenë kryesisht sipas problematikave të zonave, pasi zona të ndryshme kanë problematika të ndryshme. Gjithsesi do të ndërhyhet në të gjitha fshatrat si fillim për nevojat më emergjentë. Por planet e zhvillimin do të fokusohen në riparimin dhe ndërtimin e segmenteve rrugore. Pra do të realizojmë më shumë asfaltime, kanalizime dhe rrjete ujësjellësish, të cilat duke filluar që nga Marinëza e deri në Ngjeqar ka nevojë për një plan rregullues dhe menaxhues të menjëhershëm. Pasi theksohet se gjatë këtyre viteve kurrë nuk është vënë dorë nga pushteti lokal në zonat e thella rurale. Konkretisht do të investohet me plane rregulluese në :

  1. Rikonstruksion i ujësjellësit të qytetit
  2. Rikonstruksion i KUZ-së së qytetit
  3. Rikonstruksion i rrugës së Jagodinës
  4. Vazhdim i projektit Rikonstruksion i rrugës Roskovec-Kuman-Luar
  5. Rikonstruksioni i rrugës Qendër Kurjan, që lidhet me rrugën kryesore Roskovec-Vlosh
  6. Rikonstruksion i rrugës Qendër Vlosh
  7. Rikonstruksion i rrugës Suk 2-Arapaj
  8. Rikonstruksion i rrugëve të brendshme në Vlemish, Marinëz, Strum dhe qyteti Roskovec.
  9. Ndërtim i qendrës shëndetësore atje ku mungon në zonat rurale dhe rikonstruksion dhe zgjerime të ambienteve shëndetësore ekzistuese

Në këtë mënyrë me rikonstruksionet e rrugëve të mësipërme do të lidhim të 14 –  ta fshatrat me qendrën e bashkisë  Roskovec.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë së Roskovecit dhe cilat janë ato?

Me reformën e re territoriale që po aplikohet për herë të parë në vendin tonë me 61 bashki të mëdha mund të themi se ende nuk kemi asnjë informacion të saktë nga pushteti qendror lidhur me operimin dhe funksionimin sesi do të procedohet në emërimin apo shkarkimin e administratorëve të njësive administrative për bashkitë e krijuara sipas kësaj reforme. Gjithsesi ashtu siç kam vepruar në bashkisë e Roskovecit këto 4 vite, ku parimi kryesor per punësim ka qenë arsimimi dhe meritokracia ashtu do të vijoj edhe ne mandatin e ardhshëm.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Ndarja e re territoriale mbart në vetvete edhe shumë probleme duke filluar nga ato elementare deri te ato emergjente. Siç ju thashë edhe më sipër kam vizituar gjatë këtyre ditëve 14 fshatrat së bashku me qytetin e Roskovecit dhe jo pa qëllim pasi gjatë këtyre inspektimeve jam konsultuar dhe bashkëbiseduar me banorët e zonave për të bërë një panoramë të problemeve dhe për të mos anashkaluar asnjë problem të banorëve. Pra, në hartimin e krijimit të buxhetit, planit urbanistik, planit rregullues infrastrukturor të bëhet në menaxhim të drejtpërdrejtë dhe në proporcion të caktuar me problematikën që ka një zonë e caktuar. Ndërkaq në vijim për të rritur edhe rolin në vendimmarrje ne do të krijojmë edhe grupet këshillimore qytetare për të përcjellë në çdo vendim edhe zërin qytetar.

Cilët hapa konkretë do të ndërmerrni gjatë këtij mandati për pastrimin dhe rehabilitimin e zonave të ndotura naftëmbajtëse? Cilat vatra ndotjeje do të kenë më shumë prioritet?

Ashtu siç dihet tashmë, një nga zonat më problematike tashmë të bashkisë së madhe Roskovec është zona naftëmbajtëse e Marinzës. Një vend i pasur nga natyra por tejet i varfër dhe i ndotur nga aspekti ekonomik dhe mjedisor. Gjatë takimeve të shumta që kam zhvilluar me banorët e Marinzës kam konstatuar se ndotja mjedisore në këtë vend për të rehabilituar dhe shmangur problemet mjedisore e bën jetesën tejet të vështirë. Për këtë gjë menjëherë pas marrjes së mandatit do të ndërhyhet për të rehabilituar dhe shmangur problemet në këtë zonë. Hapi i parë është dialogimi me kompanitë që operojnë në këtë zonë për të detyruar këto të fundit të zbatojnë me përpikmëri kontratat. Gjithashtu duhet të ndërhyhet në zonat më problematike të Marinëzës dhe për këtë do të ngrihet një ekip ekspertësh mjedisor për hartimin dhe menaxhimin e politikave mjedisore për ti ardhur sa më shpejt në ndihmë Marinëzës dhe banorëve të saj.

Si do të shfrytëzohen (në cilin drejtim) të ardhurat e bashkisë të përfituara nga renta minerare dhe taksa e tokës bujqësore?

Një ndër politikat më efikase që do të ndërmarrë gjatë këtij mandati lidhet direkt me shpërndarjen e fondeve publike të thithura nga renta minerare apo edhe taksat vendore si të ardhurat nga bizneset apo taksat bujqësore. Çdo e ardhur do të shpërndahet në proporcion të drejtë me nevojat dhe problematikat e çdo zone. Pra, çdo taksë e mbledhur do të shkojë në ndihmë të banorëve dhe në zgjidhje të problemeve të tyre.

Cilat politika do të vë në zbatim bashkia gjatë këtij mandati në mbështetje të bujqësisë, si dhe nxitjes së tregtimit dhe promovimit të produkteve bujqësorë, sidomos në njësitë administrative Kurjan dhe Strum?

Tashmë me bashkinë e Madhe Roskovec do të shtohet dhe numri i taksapaguesve vendor. Por lidhur me problemin e taksës së tokës bujqësore dhe rimëkëmbjen e fermerëve do të zerohen taksat e prapambetura me qëllim për tu ardhur në ndihmë fermerëve me të ardhura më të pakta.

Në përmjet politikave dhe negociatave me kompanitë e karburanteve do të mundësojmë uljen e çmimit për litër karburant.

Problem tjetër shqetësues për fermerët lidhet dhe problemi i kostos së prodhimit bujqësor ku kostoja e prodhimit është më e lartë se fitimi. Rrjedhimisht çmimi i lartë i karburantit, i plehrave organike dhe inorganike bënë që shumë fermer ti lënë tokat e tyre djerre. Për këtë do të krijohen dhe ngrihen grupe pune për të minimizuar koston dhe rritjen e fitimit me qëllim për ti ardhur më në ndihmë fermerit dhe prodhuesit ne administratat e Kurjanit dhe Stumit.

A keni plane konkrete për ngritjen e një tregu për shitblerjen e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale të zonës suaj? Nëse po, në cilat afate premtoni se do të realizohen planet tuaja?

Për mbarëvajtjen dhe menaxhimin e çdo prodhimi bujqësor, blegtoral apo artizanal detyrimisht që ka nevojë për  një treg me qëllim promovimin dhe reklamimin e çdo prodhimi. Për këtë arsye përveç tregut të zakonshëm të ditës së diel, do të ketë dhe një treg të përditshëm, ku prodhuesve u jepet mundësia e tregtisë së prodhimeve të tyre qofshin këto bujqësore apo artizane.