Interviste16 Qer 2015

Kosta Ziso: Vizioni im për Dropullin

Kandidati i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut për bashkinë e re Dropull thotë se do të punojë për të mbajtur zonën të pastër dhe për zhvillimin e turizmit të natyrës.

Autor: Raimond Kola BIRN Gjirokastër
Printo

Kosta-zisoNë cilat drejtime mendoni të përqendroni punën tuaj nëse fitoni postin e Kryetarit të Bashkisë së Dropullit?

Natyrisht detyra e parë është të “ndërtohet” vetë bashkia, shërbimet dhe fizionomia e saj administrative. Është një sfidë jo e lehtë për të cilën përgatitemi dhe përpiqemi të fokusojmë bashkëbisedimin paraelektoral me banorët e zonave të Dropullit dhe Pogonit që e përbëjnë atë. Për këtë natyrisht kemi përvojën e duhur përderisa si formacion politik (OMONOIA dhe PBDNJ) të cilin thirrem të përfaqësoj edhe kemi ushtruar administrimin lokal për vite me radhë, por edhe se disponojmë platformë politike. Kjo platformë politike përbën qasje edhe në trajtimin e pushtetit lokal si shprehje e autonomisë së qeverisjes lokale por edhe për probleme të veçanta të drejtave të posaçme të minoriteteve etnike, atij grek në rastin konkret. Trajtimi me kujdes ndaj realizimit praktik të të drejtave të sanksionuara të pjesëtarëve të Komunitetit Etnik Grek dhe në respekt të angazhimeve të ndërmarra të vendit tonë për realizim të konventave dhe standardeve më të mira Evropiane, do të jetë objektiv në ngritjen e bashkisë së re.

Duke vënë një themel të shëndoshë në organizimin e vetë bashkisë në fakt kemi hapur rrugën për të shfrytëzuar më mirë projekte që do përmirësojnë cilësinë e jetës së banorëve. Natyrisht si bashki në rajone të integruara kufitare me BE, me veçorinë se shumica e banorëve janë që tani përjetues të realiteteve të shërbimeve publike në BE, jemi të detyruar të organizojmë një bashki me fizionomi moderne.

Slogani ynë elektoral është domethënës dhe e koncentron sfidën: “Atdheu ynë vlen… Ne i kemi mundësitë!” Nuk është një pikëpyetje, është bindje dhe garanci që i japim qytetarit…

Çfarë do të bëni për përmirësimin e infrastrukturës në disa prej zonave të minoritetit?

Zona paraqet gjithë kompleksitetin e  trevave rurale të vendit. Zona si Pogoni por edhe njësi të veçanta, e kam fjalën për fshatra, brenda komunave aktuale të Dropullit të Poshtëm dhe të Sipërm kanë mungesë të akseve rrugore edhe në kuptimin më elementar të nocionit. Natyrisht nuk premtojmë fjalë boshe. Premtojmë bashkëpunimin e ngushtë dhe angazhim profesional në përpilimin e listës sipas mprehtësisë së problemeve, mundësisë së përfshirjes në programe financimi etj. Shfrytëzimi i burimeve të brendshme do të jetë natyrisht në efikasitetin dhe transparencën maksimale, por kjo është e pamjaftueshme për projekte madhore sikundër ju përmenda të rrugës së Pogonit apo ujësjellësit për trungun e krahinës së Dropullit.

Për këto do të duhet punë sistematike për të joshur mbi bazë argumentesh të forta financime nga BE apo të organizma të tjera që kontribuojnë qeverinë në zhvillimin e infrastrukturës dhe të rajoneve rurale. Nga ana jonë angazhohemi për fleksibilitetin maksimal.

Si mendoni të mbështesni sektorin arsimor dhe ku do të ndërhyni konkretisht?

Nëse ka një karakteristikë domethënëse të komunitetit që përbën popullsinë e bashkisë së Dropullit dhe Pogonit është interesimi diakronik për arsimin, kulturën, përparimin shoqëror në përgjithësi. Natyrisht do të ishte absurditet të mos punosh dhe këmbëngulësh në këtë drejtim diakronik. Jemi koshientë për numrin e vogël të komunitetit të nxënësve në rajon. Kjo nuk mund të përbëjë justifikim për të pasur gjithë vëmendjen dhe kujdesin e autoritetit Bashkiak.

Në programin tonë ka ide të cilat nuk është e vështirë të realizohen dhe as kërkojnë investime të jashtëzakonshme. Faktori bazë që është bashkëpunimi i komunitetit në rastin konkret është i dhënë për arsyen e karakteristikës historike që ju përmenda dhe të përvojës së shkollave të avancuara në qytete metropole të Greqisë që kanë tashmë banorët tanë. Duam godina shkollore me terrene sportive sipas parametrave të kohës, por njëherësh duam me veprimtari jashtëshkollore t’u hapim horizont dhe perspektivë fëmijëve dhe të rinjve tanë që të mos ndihen të diskriminuar nga zgjedhja e familjeve të tyre për të jetuar në treva rurale. Këtu kemi për të qenë aktivë, mbështetës të personelit arsimdhënës për të pasur shkollat tona aktivisht pjesëmarrëse të zhvillimeve në Tiranë dhe jashtë Shqipërisë njëherësh.

Sa për ide krijuese e shohim me interes dhe do të studiojmë të gjitha mundësitë për të pasur një qendër arsimore (publike, komunitare apo edhe private) që do t’i referohet kualifikimit të pandërprerë në profesione agrare, blegtorale, të përpunimit dytësor dhe marketingut të produkteve. Është ide ambicioze por që ja vlen ta trajtojmë në vazhdim të mandatit nëse ky do të jetë vullneti i zgjedhësve.

Si do të punoni për menaxhim të mbetjeve urbane në zonat e bashkisë suaj?

Është koha, bile ka kaluar koha për të trajtuar me kujdesin e duhur këtë problem që po bëhet i mprehtë dhe shqetësues. Jemi koshientë se përveç të tjerave duke qenë pjesë e një aksi të rëndësishëm të fluksit më të madh të hyrjes në vendin tonë, përbëjmë edhe pasqyrimin e drejtpërdrejtë të gjendjes. Qoftë edhe për këtë argument të vogël jemi të detyruar që me urgjencë por edhe rishikim total të asaj çfarë deri më sot ngjet në sektorin në fjalë, të merremi me trajtimin e tij.

Nga njëra anë të planifikojmë më shumë shpenzime për grumbullimin e mbeturinave, duke rritur ndoshta edhe kontributin e komunitetit dhe bizneseve në këtë fushë. Natyrisht vështirësia në zona si e jona është më madhe se në qendrat  urbane. Së dytë të planifikojmë menjëherë dhe ta vëmë në efiçencë një qendër të përpunimit dhe trajtimit fillestar të mbetjeve. Dhe së treti të shikohet mundësia, përderisa distanca është justifikuese për bashkëpunim me qendrën e magazinimit të mbetjeve në rajonin e Delvinës.

E gjithë kjo veprimtari nuk është vetëm detyrim ligjor, as vetëm impenjim nga ndërgjegjja ekologjike që gjithashtu karakterizon tashmë komunitetin e zonës, është edhe mundësi punësimi dhe veprimtarie ekonomike rrjedhëse.

Si do të shpërndani investimet nga fshatrat me më shumë banorë në zonat më të thella?

Pyetja duket se neglizhon faktin se të jetuarit në komunitet parashikon në vetvete të tilla transfuzione, pra të transferimit të të ardhurës komunitare nga zona me kontribut më të madh në ato me pjesëmarrje më të vogël. Nëse kjo nuk do të ndodhte do të kishim derivacion dhe jo integrim. Ndërgjegje komunitare, respektim i ligjit, transparencë në prioritete dhe sidomos kultivim të solidaritetit. Në këtë mënyrë do të arrijmë ekuilibrat e nevojshme.

A keni plane për zhvillimin e turizmit kulturor, natyror dhe religjioz (kisha  të vjetra dhe manastire) dhe çfarë mendoni për zhvillimin e këtij turizmi në zonën e Sotirës?

Më befason kufizimi i fokusit në pyetje. E mirë sidoqoftë që qoftë edhe referimi në Sotirë na jep shembullin pilotik dhe pozitiv se mund të bëhen gjëra në këtë sektor.

Kemi koshiencë të trashëgimisë së pasur shpirtërore dhe kulturore të trevës dhe të faktit se kjo nuk duhet thjesht të na shkaktoj mrekullimin dhe krenarinë. Jemi të predispozuar për më shumë vëmendje për ta vendosur atë në efiçencë. Jemi në kontakt që do të intensifikohet në të ardhmen të për pasur një strategji të përpunuar nga persona të specializuar në menaxhimin e resurseve kulturore.

Duke u mbështetur në faktin se rajonet kufitare të Janinës përbëjnë destinacion të turizmit të posaçëm prej shumë dekadash, të faktit të ri që Gjirokastra gjithashtu orienton një rrymë lëvizjeje turistike, duam një program që do jetë kompatibël me këto realitete dhe do të përmbajë diçka në zonë nga kjo lëvizje.

Nga vendimet para në bashkinë tonë do të duhet të jetë dhe do të jetë aktivizimi i një zyre promocioni dhe informimi (vetëkuptohet që do të ketë paraprirë përgatitja e materialit promocional) në pikën hyrëse të Kakavijës dhe njëherësh në qendrën e bashkisë. Paralelisht një zyrë tjetër që do të funksionojë në mënyrë të drejtpërdrejtë për të orientuar të rinjtë në ngritjen e biznesit dhe njëherësh edukim në vazhdim në sektorët mbështetës të turizmit.

Nëse arrijmë realizimin e tre-katër ideve pilot në zonë do kemi shkaktuar joshjen dhe zgjimin e interesimit në mënyrë që të kemi pastaj zhvillimin e natyrshëm të sektorit.

Si do të administroni më mirë territorin dhe a do të kufizoni dëmtimet që vihen re sidomos në hapjen e guroreve apo shfrytëzimin pa kriter të sipërfaqeve pyjore?

Lidhur me shfrytëzimin e territorit dhe planifikimin e tij urbanistik do të ecim me shpejtësi në organizimin model të një zyre urbanistike të bashkisë që deri më sot ka funksionuar si shërbim në mënyrë të mangët kundrejt përcaktimit të ligjit dhe kërkesave të zhvillimit të zonës. Për këtë do të jetë angazhimi maksimal. Duam dy sektorë qartësisht të përcaktuar: atë të ruajtjes së qendrës së banuar karakteristike të zonës dhe të banesës nga njëra anë dhe të të mundësimit të zhvillimit të zonave të reja të banimit dhe të aktivitetit ekonomik. Për këtë do të fillojmë pa anulime dhe me guxim procedurat për hartimin e planit urbanistik të zonës dhe ndërmarrjen e hapave për miratimin e tij në instancat kompetente në mënyrë që të përbëjë ai statutin e lejimit të veprimtarisë ndërtimore dhe ekonomike. Për këtë jemi që pa u kryer zgjedhjet duke parashikuar kuadrin e detyrës së projektit dhe të programit të tenderimit të punës. Qoftë nga burime të bashkisë apo burme alternative të financimit duam të kemi siguruar një plan urban të denjë për perspektivën afatmesme dhe pretendimet e një komuniteti të nivelit të Dropullit dhe Pogonit, trashëgimia urbanizuese dhe ndërtimore e të cilave janë për t’u pasur zili.

Mbi fenomenet ekologjike që ngrini në pyetjen tuaj i gjithë sensibiliteti. Resurset pyjore të rajonit janë shumë të varfra prandaj do të kërkohet konsensusi i komunitetit, i këshillit bashkiak dhe këshillave të fshatrave për të marrë në vijim miratimin e autoriteteve kompetente për moratorium mosprerjesh për një periudhë kohe. As për nevoja të komunitetit sepse në jo pak raste kjo ka qenë deriçka nga janë lejuar abuzime. Mbi guroret apo veprimtari të tjera rënduese mbi mjedisin do të zbatohet me rigorozitet praktika më e avancuar Europiane për rehabilitimin e pasojave. Kini parasysh na shqetëson dhe irriton po njëlloj si ju që e parashtroni problemin të ngelurit pa kurim të plagëve nga shfrytëzimi i burimeve. Ekzistojnë mundësitë që në kuadrin e mirëkuptimit dhe aty ku kjo nuk arrihet me imponimin ligjor që edhe veprimtari ekonomike të zhvillohet edhe ambienti të ruhet. Është ideja e zhvillimit të ekuilibruar në të cilën këmbëngulim edhe në frymën e pyetjeve të tjera më sipër.

Si mendoni të zhvilloni në programin tuaj katërvjeçar agrobiznesin në këtë zonë dhe cilat janë disa nga drejtimet konkrete?

Sektori paraqet interes të veçantë për zhvillimin ekonomik të zonës dhe punësimin e banorëve. Le të mos neglizhojmë faktin se përbëjmë ndër zonat më të varfra dhe me më pak potenciale zhvillimi në rajon (Epiri konsiderohet treva më e varfër e BE). Ndërkaq nëse arrijmë të vlerësojmë traditën e zonës për produkte të posaçme, përvojën në sektorin blegtoral, lidhjen me sektorë si turizmi që merr  një farë fizionomie në zonë mund të imagjinohet një orientim.

Nuk është ndërmarrje e lehtë. Duam të mbështesim në veçanti të rinjtë të shikojnë më me interes veprimtarinë prodhuese në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. Do të  vendosim me shpejtësi në aktivitet një zyrë dhe kryesisht konsulentë që të shikojnë të gjitha mundësitë e mbështetjes dhe financimit të projekteve të vogla në këtë drejtim. Duam të shikojmë idetë e kultivimit alternativ, të produkteve të certifikuara biologjike, etj.

Do të ishte me interes to shikohet edhe mundësia e programeve ndër rajonale ku duke koordinuar qendra të përgatitjes profesionale dhe në vazhdimësi të bujqve dhe blegtorëve të rinj mund të ngrihen edhe baza prodhuese që do të shërbejnë edhe si projekte –pilot për të nxitur interesimin.

Sa vend zë në programin tuaj etno kultura dhe çfarë aktivitetesh mendoni të zhvilloni për të ruajtur vlerat më të mira të kësaj zone?

Që në pyetjen e parë ju theksova se komuniteti ynë përbën vertebra bazike të Komunitetit Etnik Grek dhe si të tillë e kemi detyrim jo vetëm ndaj historisë por të ardhmes të ruajmë karakteristikat e veçanta të identitetit. Programim më shkencor për promovimin, ruajtjen, kultivimin e vlerave duke i dhënë rëndësi të gjitha fenomeneve të identitetit kombëtar: gjuhës, folklorit, trashëgimisë materiale, veshjeve dhe zakoneve.

Kërkim këmbëngulës i të gjitha mundësive financuese në ide dhe projekte të kësaj natyre. Do të propozojmë dhe këmbëngulim për të ngritur deri edhe një Qendër të Kërkimit, Promovimit dhe Ruajtjes së trashëgimisë sonë të veçantë. Janë ide në kohezion të plotë me sa kërkohet për trajtimin e minoriteteve etnike, kulturore, gjuhësore etj në Evropë prandaj edhe shpresojmë në gjetjen e burimeve mbështetëse. Është sektor që në pamje të parë duket se kërkon fonde pasive por që mund t’i gjenerojë në perspektivë përderisa do të bëhet mbështetës edhe për punë shkencore por edhe për lëvizje turistike të interesit të posaçëm.

Kjo përbën pikë bazë të programit tonë elektoral dhe pavarësisht përfundimit të zgjedhjeve ka për të mbetur kërkesë këmbëngulëse e forcës sonë politike për ta vënë në kuadër të një organizimi dhe vëmendjeje më të lartë.

Cilat janë disa nga raportet që mendoni të ndërtoni me biznesin e madh në këtë zonë në funksion të projekteve komunitare?

Ndihemi të privilegjuar si njësi e administrimit lokal për faktin se këtu janë instaluar ndërmarrje prodhuese, përpunuese dhe tregtuese me kapacitete të mëdha mbarëkombëtare dhe rajonale. Krijojnë vetvetiu nivel më të lartë të organizimit komunitar dhe kryesisht vende pune gjë që përbën bazë të rëndësishme për prodhim të ardhurash në nivel familjar dhe përmirësim të kushteve të jetesës.

Në këtë aspekt bashkëpunim maksimal dhe shërbim pa asnjë prapamendim përfitimi apo ngurrim të natyrave të tjera me të gjithë ata sa janë instaluar në rajon dhe në veçanti sa planifikojnë të investohen këtu për zhvillimin e biznesit të tyre.

Duke pasur këtë frymë besojmë dhe shpresojmë se edhe nga ana e komunitetit të biznesit, për më tepër që shumica janë pjesë e komunitetit të zonës, do t’u jemi mirënjohës për vazhdimin e traditës tashmë të mbështetjes nga ana e tyre si të jetës kulturore në fshatrat tona edhe të kontributeve në vepra të dobisë shoqërore.

Si epirotas kemi të kumtojmë raste të spikatura dhe personalitete të rëndësishme të bamirësisë së painteres dhe kontributit për prosperitetin e vendlindjes. Zapa, Arsaki, Zografi, Samara e plot të tjerë të përmasave më të vogla por që në fshatrat tona i kujtojnë me mirënjohje mund të përbëjnë shembuj frymëzues.