Interview5 Jun 2015

Nesim Spahiu: Projektet e mia për banorët e Skraparit

Kandidati i së majtës për bashkinë e Skraparit premton zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm brenda 2 vitesh, ndërsa sfidon me sloganin: Skrapari, një destinacion i rëndësishëm turistik. 

Author: Erjola Azizolli BIRN Çorovodë
Print

Nesim Spahiu

Nesim Spahiu

Cili mendoni se është problemi më i madh i bashkisë së Çorovodës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Në fakt do të thosha që Çorovoda ka shumë probleme, në infrastrukturën e brendshme, ujin e pijshëm, punësimin, ndërtimet pa leje etj, por si problemin më të madh do të veçoja rehabilitimin e rrjetit të ujërave e bardha dhe të zeza, si dhe shtimin dhe përmirësimin e orarit të furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit. Për këtë shqetësim të kahershëm të qytetit, ne kemi menduar dhe zgjidhjen e tij, nëpërmjet një investimi me vlerë 8 milionë dollarë, të siguruara nga një bankë arabe. Pas gati mbi një vit e gjysmë përpjekje nga ana jonë, ne tashmë kemi gati projektin dhe presim implementimin e tij. Nëpërmjet tij ne do të realizojmë një rrjet të ri për ujërat e zeza dhe të bardha, si dhe rrjetin e ujësjellësit, i cili sipas projektit duke marrë parasysh dhe shtimin e popullsisë për 25 vjet do të ofrojë ujë të pijshëm për një popullsi me shumë se 15 mijë banorë.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Çorovodës?

Brenda vitit të parë të mandatit im, ne do të vazhdojmë punën e nisur me ndërtimin e mureve dekorative duke kaluar nga lagja “2 dhjetori” drejt lagjes “5 shtatori”. Do të vazhdojmë me gjelbërimin e të gjitha rrugëve dhe lagjeve të qytetit, do të shtrojmë me asfalt rrugën “Alush Grepecka, ” do të rikonstruktojmë shkollën 9-vjeçare” Kahreman Ylli”, do të zgjerojmë urën e spitalit, do të ndërtojmë segmentin Çorovodë-Orizaj, do të rikonstruktojmë plotësisht çerdhen dhe kopshtin në lagjen “2 Dhjetori”.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Çorovodë dhe cilat janë ato?

Ne nuk kemi një listë kriteresh për shkarkimin e administratorëve të njësive administrative, ata do të zgjidhen në respekt maksimal të marrëveshjes së koalicionit. Kriter për emërimin dhe shkarkimin e tyre do të jetë performanca në punë, rezultatet konkrete në arritjen e objektivave. Pavarësisht marrëveshjes së koalicionit në rastet kur do të identifikohen që këta administratorë nuk do t’i përgjigjen pritshmërive të bashkisë, do të vihet re neglizhencë në punë, atëherë do të kërkohet zëvendësimi i tyre me njerëz me energjikë të aftë për t’ju përgjigjur kohës.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së baskisë?

Që këtë mandat ne kemi vendosur një standard të ri, dëgjesën publike një herë në vit me komunitetin në sallën e kinemasë së qytetit, ku bashkë me stafin ne japim llogari për punën e bashkisë. Këtë standard tashmë të vendosur ne do ta aplikojmë dhe për qendrat rurale ku në qendrat e ish-komunave ne do të organizojmë dëgjesat publike, ku do të njihemi me problematikën e çdo zone.

Për sa i përket çështjeve të buxhetit, planit urbanistik dhe ndërhyrjeve në infrastrukturë, ne synojmë që për këto çështje kaq të ndjeshme për komunitetin të organizojmë dëgjesa publike në çdo qendër ish-komune me qëllim që gjithë komuniteti i bashkisë Skrapar në të gjithë territorin e saj, të njihet me buxhetin, me planin urbanistik, të shprehin objeksionet e tyre, të gjitha këto të mbahen shënim nga ekspertet dhe këto zëra të merren në konsideratë nga ekspertët e fushave. Mbledhjet e Këshillit Bashkiak të bëhen të hapura me pjesëmarrje komuniteti. Vendimet e Këshillit Bashkiak të bëhen transparente në faqen zyrtare të bashkisë me qëllim që komuniteti të informohet me atë që ndodh në bashki.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me nxitjen e turizmit të qëndrueshëm natyror dhe atë të aventurës në këtë bashki gjatë këtij mandati?

Slogani ynë për këtë mandat është Skrapari një destinacion turistik. Kjo do të arrihet nëpërmjet promovimit të zonës dhe resurseve të saj, investimeve në infrastrukturën turistike si investime konkrete në kanionet e Osumit, hapjes së një agjencie turistike në bashki, përgatitjes dhe shitjes së ofertave turistike, nxitjes së investimeve në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë nëpërmjet shtimit të subvencioneve qeveritare, krijimit të produkteve bio të zonës etj.

Të gjitha këto investime do të ndihmojnë në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, ku do të shfrytëzohen të gjitha resurset e zonës, nëpërmjet aktiviteteve jo vetëm verore por dhe dimërore. Investimet në infrastrukturën rrugore do të ndihmojnë në krijimin e akseve turistike si Përmet Skrapar, Skrapar- Korçë, akse që jo vetëm do ta nxjerrin zonën nga izolimi por do ta afrojnë atë me fqinjët. Numri i turistëve brenda katër vitesh pritet të katërfishohet.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me infrastrukturën rurale, mbështetjen e bujqësisë dhe promovimin e produkteve karakteristike të zonës?

Skrapari aktualisht ka një infrastrukturë tejet të rënduar rrugore dhe për të qenë i sinqertë, me buxhetin dhe të ardhurat që bashkia do të grumbullojë nuk është se ne do të ndikojmë në këtë infrastrukturë, por ne do të ndihmojmë në mirëmbajtjen dhe pastrimin e kësaj infrastrukture
për ti bërë këto rrugë të aksesueshme. Për të arritur këtë ne do të krijojmë një brigadë mirëmbajtje duke blerë mjete pastruese fadroma, të cilat do të jenë në dispozicion të këtyre rrugëve, për sa i përket mbështetjes së bujqësisë, ne do të punojmë për rritjen e subvencioneve, do të hapim një minifabrikë për përpunimin e qumështit dhe produkteve të tij, do të ofrojmë biznesmenë të huaj për të hapur një pikë grumbullimi për produktet bujqësore të cilat do të tregtohen me një çmim sipas ofertës së tregut. Do të krijojmë identikitin e produkteve tona nëpërmjet logove me qëllim që këto produkte shumë të kërkuara të gjejnë jo vetëm tregun lokal por pse jo dhe atë kombëtar dhe ndërkombëtar.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin e mbetjeve urbane në të gjithë bashkinë?

Në lidhje me menaxhimin e mbetjeve urbane, ne tashmë kemi një landfill për përpunimin e tyre. Ne do të synojmë që në të gjithë territorin e bashkisë të kemi një rrjet koshash për mbeturinat dhe këto të merren dhe të depozitohen në landfillin e bashkisë, Do të punojmë për ndarjen e mbetjeve sipas standardeve ndërkombëtare.

Çfarë hapash konkretë do të ndërmarrë bashkia për monitorimin e sipërmarrjeve që shfrytëzojnë burimet e gurit lidhur me ndotjen e mjedisit gjatë këtij mandati?

Ky problem do të jetë një sfidë më vete, pasi praktikisht në zonë operojnë shumë kompani në këtë sektor. Ne po zhvillojmë një studim mbi shkallën e ndikimit të ndotjes në zonë dhe në varësi të kësaj do të punojmë për disiplinimin e kësaj sipërmarrje. Ne po studiojmë dhe kuadrin ligjor mbi të cilin operon kjo sipërmarrje, me qëllim që kjo sipërmarrje të taksohet realisht, pasi deri tani kjo sipërmarrje ka funksionuar më shumë informalisht, duke ju shmangur detyrimeve ligjore, taksave si dhe obligimeve ambientale.

Si do të shfrytëzohen (në cilin drejtim) të ardhurat e bashkisë të përfituara nga renta minerare? Cili është afati kohor brenda të cilit premtoni se do të zgjidhni përfundimisht problemin e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit të Çorovodës?

Të ardhurat nga renta minerare do të përdoren për rehabilitimin e rrjetit infrastrukturor të zonave që ndodhen pranë tyre, si dhe investimin në sektorë të tjerë prioritarë si: arsim, shëndetësi. Problemi i ujit të pijshëm në Çorovodë ashtu si e theksova më lart, do të zgjidhet në harkun kohor të 2 viteve me aplikimin e projektit për rehabilitimin e ujërave të bardha dhe të zeza si dhe ujësjellësit. Ky projekt me vlerë 8 milion dollarë mendoj se do të jetë dhe zgjidhja përfundimtare e këtij problemi që torturon prej kohësh banorët e Çorovodës.