Interview3 Jun 2015

Niko Shupuli: Stimul biznesit dhe turizmit

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Përmet, Niko Shupuli, shprehet se zhvillimi i potencialit turistik të Përmetit kalon nëpërmjet traditës.

Author: Raimond Kola BIRN Gjirokastër
Print

Niko Shupuli

Niko Shupuli

Si e mendoni zhvillimin e qytetit në katër vitet e ardhshme, drejt një profili turistik apo drejt krijimit të njësive të vogla tregtare?

Përmeti ka potenciale të mëdha turistike dhe natyrshëm këtë e shoh si të nesërmen e Përmetit. Normalisht kjo do të shoqërohet edhe me hapjen e njësive të vogla tregtare që do i shërbejnë kësaj industrie, si për shembull ato për prodhimet artizanale të dorës, glikotë, verën e rakinë tradicionale, etj, të cilat janë prodhimët tradicionale të zonës.

Unë do të stimuloj aktivitetet dhe bizneset që promovojnë vlerat turistike të trevës, si dhe bizneset që kanë këtë veprimtari. Përmeti ka kushte të përshtatshme për zhvillimin e turizmit ekologjik, malor, kulturor dhe të aventurës.

Cilët hapa do të ndërmerrni për nxitjen e punësimit sidomos të grave dhe të rinjve në bashkinë e Përmetit?

Hapat që do të ndërmarrë janë:

  • Nxitja e zhvillimit ekonomik përmes fokusimit në industrinë e lehtë, agropërpunimin, prodhimin bujqësor dhe blegtoral, pemëtari dhe vreshtari;
  • Lehtësi fiskale për thithjen e investimeve nga investitorë të vendit dhe të huaj në biznesin fason dhe prodhues me lëndë të parë produktet e territorit;
  • Lehtësi fiskale për bizneset e reja, veçanërisht për sektorët e artizanatit, shërbimin e turizmit në qytet e fshat, dy vjet pa taksa vendore në mbështetje për bizneset që hapen nga të rinjtë dhe emigrantët; si dhe
  • Zbatimi i projekteve për investime publike në infrastrukturë, ujësjellës, mbrojtje mjedisi, turizëm, si dhe nxitje e zhvillim biznesi.

Cili do të jetë reagimi juaj lidhur me disa aktivitete që cënojnë vlerat e Përmetit si ndërtimet e larta në qytet, ndërtimet e HEC-eve në Vjosë, etj?

Vjosa është pasuri që do të mbrohet dhe nuk do të lejohet në asnjë mënyrë të ndodhë ajo që ka ndodhur, krim mjedisor që do e vuajnë brezat që do të vijnë, si me HEC-in e Lengaricës. Ka edhe një premtim publik të kryeministrit, z. Edi Rama, që kjo pasuri e rrallë nuk do të lejohet të keqpërdoret.

Sëbashku me shoqata dhe institucione të tjera ndërkombëtare dhe cilindo të interesuar, pse jo edhe në gjyqe ndërkombëtare, ne do të ngremë zërin dhe do të paraqitemi për moslejimin e zbatimit te projektit grek për devijim e sasive të ujit që hyjnë në Vjosë.

Si do të bashkëpunoni me Institutin e Monumenteve për mbrojtjen e pasurive kulturore të kultit?

Ky do të jetë një bashkëpunim institucional dhe mbi bazën e kompetencave që mundëson ligji. Për aq sa më takon mua dhe për aq sa më jep ligji, në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk do të lejoj që të tjetërsohen monumentet historike, kuturore apo natyrore qe ka kjo trevë. Do të lejohen vetëm aktivitete që ia rrisin vlerën këtyre monumenteve.

Si mendoni të mbështesni sektorin e pemëtarisë dhe veçanërisht të vreshtarisë në këtë zonë?

Vreshtaria dhe prodhim verës janë nga krenaritë e Përmetit. Kjo si për shkak të kushteve të përshtatshme klimateriko-tokësore për rritjen e varieteteve të përshtatshme dhe cilësore të prodhimit të verës, por edhe traditës dhe përvojës të krijuar në këtë fushë nga brezat e teknologëve dhe mjeshtrave të prodhimit të verës që ka patur Përmeti.

Do të nxis dhe mbështet çdo biznes që ka bazë prodhimet e territorit, si dhe gjeneron punësim dhe të ardhura. Di që edhe qeveria ofron skemë mbeshtetëse për të tilla veprimtari biznesi dhe do të inkurajoj bizneset e tilla për të përfituar nga këto fonde.

Si mendoni të aktivizoni artizanatin në zonat përreth qytetit në funksion të përmirësimit të punësimit të grave?

Ka patur një projekt të financuar nga CESVI, në bashkëpunim me bashkinë Përmet për organizimin e kurseve profesionale dhe minigrante të dhëna për kualifikimin dhe hapjen e bizneseve nga gratë dhe vajzat përmetare që deshirojnë të kryejnë aktivitete të tilla.

Do të vijoj bashkëpunimin me këtë donator edhe për gratë dhe vajzat e komunave të reja që përfshihen në bashkinë e re të Përmetit.

Si mendoni të gjeneroni më shumë të ardhura për njësitë vendore?

Kjo do të arrihet përmes partneritetit dhe krijimit të një klime sa më miqësore ndaj biznesit. Biznesi nuk është thjesht bankomat ku bashkia merr të ardhura. Do të bëhet një reformim tërësor në sistemin e taksave dhe tarifave vendore mbi bazë të sipërfaqes, biznesit dhe largesisë nga qendra e bashkisë. Gjithashtu do të organizoj konsulta periodike me biznesin për çdo masë të marrë nga bashkia që prek interesat e binznesit, transparencë për çdo shpenzim të kryer nga bashkia mbi të ardhurat e krijuara nga biznesi.

Cili do të jetë angazhimi juaj për përmirësimin e godinave të shkollave, sidomos në zonat rurale që përfshihen në njësinë e re?

Do të ketë mirëmbajtje gjithëvjetore të secilës prej çerdheve, kopshteve dhe shkollave që përfshihen në bashkinë e re.

Çfarë do të bëni për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe sidomos të rrugës Tepelenë–Përmet?

Rruga Tepelenë Përmet është rruge nacionale dhe ka dalë në procedurë prokurimi dhe do të kryhet rikonstruksioni brenda vitit.

Fokusi im do të jetë në përmirësimin e infrastrukturës (rrugë, trotuare, ndriçim e gjelbërim) në lagjet periferike të qytetit, blloqet e banimit të qytetit, mirëmbajtje për të patur të shfrytëzueshme gjatë gjithë vitit rrugët që lidhin çdo fshat me qendrat aktuale të komunave, etj.

Si mendoni t’i zhvilloni marrëdhëniet ndërkufitare me njësitë vendore në Greqinë e Veriut?

Përmeti është i binjakëzuar si me bashkinë e Konicës dhe me atë të Larisës. Do të ripërtërij marrëdhëniet me këto dy bashki dhe do i jap hov bashkëpunimit me ta që këto katër vitet e fundit ka ngrirë. Emigrantët përmetarë që janë në këto bashki janë një garanci më shumë se ky bashkëpunim nuk do të reshtë.

Do të aplikojmë sëbashku si partnerë me këto bashki për të përfituar fonde me projektet që financon IPA për zonat ndërkufitare mes vendeve të BE-së dhe atyre kandidatë për BE.