Profile15 May 2015

Profili i bashkisë Malësi e Madhe

Malësia e Madhe përmban bukuri të shumta natyrore, por zhvillimi i turizmit malor ka hasur në pengesa të shumta për shkak të mungesës së infrastrukturës. 

Author: Elvis Nabolli BIRN Shkodër
Print

Harta e re territoriale e Malësisë së Madhe.

Harta e re territoriale e Malësisë së Madhe.

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re: 

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-malesi-e-madhe-2/

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Malësia e Madhe kufizohet në veri me Malin e Zi dhe në jug me Bashkinë Shkodër. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Koplikut.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, popullsia e Malësisë së Madhe është 30,823 banorë. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki ka 53,918 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 951.01 km2 me një densitet prej 56.69 banorë/km2 sipas Regjistrit Civil dhe 32.41 banorë/km2 sipas Censusit 2011.

Kjo bashki përbëhet nga 6 njësi administrative, të cilat janë: Kopliku, Gruemira, Kastrati, Kelmendi, Qendra dhe Shkreli. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Koplik dhe Bajzë) dhe 56 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i Bashkisë

Malësia e Madhe përmban bukuri të shumta natyrore, siç janë Liqeni i Shkodrës dhe pikat turistike malore të Vermoshit, Razmës dhe Bogës. Turizmi, blegtoria dhe bujqësia janë burimet kryesore ekonomike për banorët e kësaj zone.

Prej vitesh ka pasur përpjekje për krijimin e një zone industriale përgjatë hekurudhës së vetme ndërkombëtare të Shqipërisë pranë qytetit të Bajzës, por këto projekte kanë mbetur deri tani në letër.

Zhvillimi i turizmit ka hasur në pengesa të shumta për shkak të mungesës së infrastrukturës. Një nga akset më të rëndësishme, ai Hani i Hotit- Tamarë- Vermosh- Plavë Guci, e njohur ndryshe si rruga e Alpeve do të përmirësonte jetesën e banorëve të këtyre zonave dhe do të ndikonte në zhvillimin e turizmit malor.

Bashkia e Malësisë së Madhe zgjerohet me 5 zona rurale, të cilat merren kryesisht me bujqësi, kultivimin e bimëve medicinale dhe blegtori. Një pjesë e vogël e banorëve merren me peshkim.

Qyteti i Koplikut ka nivel të lartë papunësie, ndërsa pjesa më e madhe e të ardhurave në këtë zonë sigurohen nga emigracioni. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ka emigruar ndër vite drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Anglisë. Ky fenomen vazhdon në ritme të larta, veçanërisht tek popullsia e re në moshë.

Bashkia e  Malësisë së Madhe zotëron sipërfaqe të mëdha pyjore, ndërsa mirëmenaxhimi i pyjeve mund t’u sigurojë të ardhura të konsiderueshme banorëve të zonës në të ardhmen.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Krijimi i një zone industrialo-tregtare në Koplik është një premtim i hershëm, por i parealizuar për Malësinë e Madhe. Një zonë e tillë do të rigjallëronte aktivitetet ekonomike në territorin e bashkisë si dhe do të rriste punësimin.

Shfrytëzimi i potencialeve natyrore ekzistuese për aktivitete ekonomike të qëndrueshme si: turizmi natyror përgjatë bregut të liqenit të Shkodrës, kultivimi i peshkut dhe peshkimi duhet të zhvillohen paralelisht me tregtinë e kulturave bujqësore të traditës si duhani dhe bimët medicinale në Malësinë e Madhe.

Sfidë për bashkinë e re të Malësisë së Madhe konsiderohet subvencionimi i fermerëve dhe krijimi i një qendre të posaçme për grumbullimin dhe shitjen e duhanit dhe bimëve medicinale.

Përmirësimi i rrugëve ndërlidhëse me zonat rurale mbetet një detyrë e rëndësishme për kryebashkiakun e ardhshëm, së bashku me pastrimin e zonës nga mbetjet e depozituara pranë shtratit të lumit Përroi i Thatë.

Brenda kësaj bashkie përfshihet edhe Stacioni Hekurudhor ndërkombëtar i Bajzës, i cili është i vetmi në Shqipëri që shërben për transportin ndërkombëtar të mallrave. Sipas ekspertëve, përmes këtij stacioni realizohet rreth 60 përqind e trafikut të transportit shqiptar të mallrave, ndonëse ky stacion është në gjendje të mjerueshme.

Mungesa e ujit të pijshëm është një nga problemet kryesore që shtohet për zgjidhje përballë drejtuesit të ri të Bashkisë së Malësisë së Madhe. Problem mbetet edhe gjendja e qendrave shëndetësore si dhe e institucioneve arsimore, kryesisht në zonat e thella malore, ku pjesa më e madhe janë të amortizuara apo jo-funksionale.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Malësi e Madhe kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 42,337 votues. Votuesit janë të ndarë në 81 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 31 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.

Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Malësisë së Madhe janë:

–       Anton Koka, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–       Tonin Marinaj, kandidat i Partisë Socialiste, pjesë e Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)