Profile10 May 2015

Profili i bashkisë Vorë

Bashkia Vorë është një nyje kyçe e transportit rrugor të Shqipërisë  dhe për rrjedhojë, në territorin e kësaj bashkie janë vendosur një pjesë e rëndësishme e industrisë së lehtë dhe të ndërtimit të vendit.

Author: Lindita Çela Birn Vorë
Print

Harta e re territoriale e bashkisë Vorë

Harta e re territoriale e bashkisë Vorë

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re:

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-vore/

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Bashkia e re e Vorës shtrihet në Shqipërinë qendrore dhe kufizohet në veri me bashkinë Krujë, në lindje me bashkinë Kamëz, në jug me bashkinë Tiranë, në jug-perëndim me bashkinë Shijak dhe në lindje me bashkinë Durrës.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, në territorin e bashkisë së re Vorë ka 25,511 banorë ndërsa sipas Regjistrit Civil ka 36,230 banorë. Me një sipërfaqe prej 82.72 kilometrash katrore, densiteti i popullsisë sipas të dhënave të censusit është 308 banorë km2 ndërsa sipas Regjistrit Civil, densiteti është 438banorë km2.

Bashkia e re përbëhet nga tre njësi administrative të cilat janë Vorë, Prezë dhe Bërxullë. Në këtë bashki ka një qytet dhe 18 fshatra. Të gjitha janë njësi përbërëse të rrethit Tiranë, qarku Tiranë. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i Bashkisë

Bashkia e re e Vorës shtrihet në kryqëzimin kryesor rrugor të Shqipërisë ku lidhet Tirana me Durrësin dhe veriu me jugun e vendit. Për rrjedhojë, në territorin e kësaj bashkie janë vendosur një pjesë e rëndësishme e industrisë së lehtë dhe të ndërtimit ndërsa bujqësia është përqendruar në disa produkte me vlerë të lartë të shtuar si lulet. Në Bashkinë e Vorës janë të regjistruara mbi 800 biznese të mëdha.

Në ish-komunën Prezë gjendet një kala mesjetare e cila përbën në resurs të vogël turistik.

Vora dhe tri njësitë përbërëse kanë parë rritje të shpejtë të popullsisë përgjatë 25 viteve të fundit, gjë që ka sjellë edhe një numër të konsiderueshëm ndërtimesh jashtë planeve urbanistike dhe pa infrastrukturë.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Rritja e konsiderueshme e popullsisë së zonës gjatë 25 viteve të fundit nuk është shoqëruar me investimet e nevojshme në infrastrukturë për t’i shërbyer popullsisë ndërkohë që ndërtimet e shumta pa kriter e kanë vështirësuar më tej ndërtimin e infrastrukturës. Për rrjedhojë, mirëmenaxhimi i burimeve ekonomike aktuale dhe ndërtimi i infrastrukturës, përfshirë furnizimin me ujë dhe kanalizime janë sfidat kryesore.

Hartimi i një plani të qartë zhvillimor mund të ndihmojë në përqendrimin e ndërtimit dhe fabrikave në zona të caktuara duke lehtësuar ndërtimin e infrastrukturës dhe duke kursyer tokën bujqësore. Mirëmbajtja e infrastrukturës së vaditjes për zonat bujqësore është shumë e rëndësishme për banorët e kësaj bashkie krahas sistemimit të transportit publik drejt Tiranës dhe Durrësit.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Vorës kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 27,458 votues. Votuesit janë të ndarë në 48 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 21 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.
Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Vorës janë:
–        Fiqiri Ismaili, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e  Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
–        Luan Sallaku, kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pjesë e  Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)