Interview4 Jun 2015

Selfo Kapllani: Si do ta menaxhoj bashkinë e Kuçovës

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane në Kuccovë premton se nën drejtimin e tij, administrata bashkiake do t’i trajtojë në mënyrë të barabartë zonat urbane me ato rurale.

Author: Erjola Azizolli BIRN Kuçovë
Print

11265118_1099197633428509_4838921070114081947_nCili mendoni se është problemi i parë me të cilin do të ballafaqoheni si kryetar  i bashkisë së Kuçovës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Bashkia e Kuçovës do të përbëhet nga katër njësi vendore,  bashkia aktuale e Kuçovës dhe komunat Kozare, Lumas dhe Perondi. Konsolidimi administrativ dhe financiar i veprimtarisë bashkiake në gjithë popullsinë dhe territorin e vet do të jetë ndër punët e para të miat. Administrata bashkiake do të veprojë si një strukturë e vetme në zonën urbane dhe rurale, për të amortizuar në një kohë sa më të shkurtër efektet e bashkimit të 4 njësive ekzistuese, që çdo qytetar i bashkisë sonë të ndihet i vlerësuar prej saj.
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Kuçovës?
           –  Do ndërtojmë bashkinë si qendër urbane të zhvilluar.

  • Për këtë qëllim: Do t’i jepet fund ndërtimit kaotik duke lejuar menjëherë ndërtimin e organizuar urban.
  • Planet  rregulluese do të ndajnë territorin e bashkisë sipas kritereve europiane të zhvillimit. Gjithkush do të informohet se ku do jetë qendra për banim, ku do jetë qendra për tregti, për industri dhe ku janë zonat ku zhvillohet bujqsia dhe turizmi.
  • Projektimi dhe fillimi i ndërtimit të rrugës Kuçovë-Lumas duke bërë të mundur lëvizjen normale të njerëzve dhe mallrave ndërmjet zonës së Lumasit dhe qytetit të Kuçovës për një kohë shumë të shkurtër.
  • Rikonstroksioni total i rrugës nga kryqëzimi në hyrje të qytetit- Oksigjeni deri tek shkolla “Dëshmorët e Kombit”.
  • Rikonstruksioni total i rrjetit të brendshëm të ujësjellësit të Kuçovës me synim furnizimin  më të mirë dhe me cilësi fiziko-kimike më të mira me ujë të pijshëm, duke ulur humbjet në rrjetin ujësjellës dhe duke eliminuar ndërhyrjet në rrjet.
  • Rikonstruksioni total i shkollës “18 Tetori” në lagjen më të vjetër të qytetit.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Kuçovë dhe cilat janë ato?
Përveç  kritereve që përcakton ligji, të gjithë drejtuesit dhe specialistët  e tjerë që do të jenë bashkëpunëtorët e mi, do të jenë njerëz me integritet të lartë, qytetarë, profesionistë, njohës  shumë të mirë të zonës dhe problematikës së bashkisë të re. Ende nuk kam menduar për emrat, por Kuçovës nuk i mungojnë specialistët e aftë në të gjitha fushat, ku midis tyre do të përzgjedh më të mirët.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

Së pari për mbi 15 vjet në bashkinë tonë ka funksionuar komisioni qytetar si organ konsultativ pranë kryetarit të bashkisë, praktikë që edhe unë do ta ndjek me qëllim që  funksionimi sa më pranë njerëzve i hallkave të pushtetit vendor me organizimin e ri administrativo-territorial të shkojë deri në krijimin e komisioneve konsultative nëpër çdo bllok banimi dhe fshat, të përbërë nga qytetarë të zgjedhur me integritet të lartë , me detyrë delegimin e pushtetit sa më pranë njerëzve. Një rëndësi të veçantë do ti kushtojë konsultimeve me grupet e interesit dhe shoqërisë civile, e cila është aktive në Kuçovë.
Cilët hapa konkretë do të ndërmerrni gjatë këtij mandati për pastrimin dhe rehabilitimin e zonave të ndotura naftëmbajtëse ose ish-industriale? Cilat vatra ndotjeje do të kenë më shumë prioritet?
Është e njohur që Kuçova dhe rrethinat e saj kanë problem të ndotjes së ambientit prej shumë vitesh nga  industria e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës.  Objektiv kryesor do të jetë rehabilitimi i përgjithshëm i territorit të ish uzinës së përpunimit të naftës, duke e nxjerrë nga harta e zonave të nxehta kombëtare me mbetje të rrezikshme. Me këtë synojmë kthimin e këtij territori në një nga zonat më kreative të Kuçovës, ku disa objekte si oxhaqet dhe pajisje të tjera të ruhen dhe konservohen si relike të shekullit të XX. Së bashku me të do të bëjmë edhe disiplinimin e ujërave të përroit të Drizës, që kalon pranë këtij territori. Pavarësisht se Kuçovës nuk i mungon gjelbërimi, shtimin e sipërfaqeve të gjelbra do ta shtrijmë edhe në zonat ku industria e naftës është aktive.

Cila do të jetë mbështetja e bashkisë së re gjatë katër-vjeçarit të ardhshëm për zhvillimin e qendrueshëm të sektorit të bujqësisë në këtë zonë?
Puna jonë në bashkinë e re do të jetë e mirëorganizuar në ndihmë të fermerit të 33 fshatrave që ka bashkia jonë. Ne do të jemi në ndihmë të fermerit, në mbrojtjen e tokës dhe të pronave të tyre në financimet nëpërmjet granteve të shtetit me anë të subvencionimeve si dhe të donatorëve të vendit dhe të huaj.Synimi ynë është që të realizojmë ngritjen dhe funksionimin e shoqatave të fermerëve në bazë të çdo njësie administrative (ish komuna) për të bërë të mundur: së pari- thithjen e investimeve ose kredive pa interes nga donatorë të ndryshëm me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë. Së dyti-ngritjen e qendrave të grumbullimit , magazinimit dhe shitjes të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Së treti- shoqatat e fermerëve të luajnë rolin e ndërmjetësimit për sigurimin e tregjeve të shitjes të produkteve, furnizimit me cilësi dhe çmime të përshtatshme të plehrave bujqësore,farërave,  karburantit, etj.
Cilat masa konkrete do të ndërmerrni për të parandaluar përsëritjen e përmbytjeve në këtë bashki? Çfarë masash do të ndërmerrni lidhur me infrastrukturën mbrojtëse përgjatë lumit Devoll?

Do t’i kushtojmë rëndësi të veçantë masave mbrojtëse nga përmbytjet dhe erozioni, duke rikonstruktuar argjinaturat ekzistuese, ndërtimin e mureve mbrojtëse anës lumenjve dhe përrenjve si dhe pyllëzimin në zonat ku erozioni është aktiv, sidomos në zonat e Lumasit dhe të Kozares. Detyrë tjetër e rëndësishme do të jetë pastrimi  dhe mirëmbajtja e kanaleve kulluese të dyta dhe të treta në tokat bujqësore, për të shmangur përmbytjet dhe realizuar kullimin e tyre.
Cilët hapa konkretë do të ndërmerrni në ndihmë të familjeve në nevojë gjatë këtij mandati? (Politika fiskale në ndihmë të bizneseve; ndërtimi i banesave sociale; mirëadministrimi i ndihmës ekonomike, etj)
Do të hartojmë politika sociale dhe lehtësi fiskale për gjithë subjektet që do të investojnë në Kuçovë, me qëllim uljen e numrit të të papunëve.
Do të kërkojmë sigurimin e fondeve nga shteti dhe donatorët për ndërtimin e banesave sociale dhe dhënien e tyre me qira simbolike për familjet e pastreha, që nuk përballojnë shlyerjen e kredisë të dhëna nga institucionet financiare.
Mbështetja më e madhe ndaj grupeve shoqërore në nevojë, për të zbatuar edhe më shumë karakterin social të programit të qeverisë shqiptare.
Do të bashkëpunojmë me të gjithë ata që kanë ide, dëshira dhe vullnet për punë, do të kërkojmë ndihmën dhe mbështetjen e biznesit, do të zgjerojmë partneritetin me donatorët dhe financuesit, do të vjelim me korektesi taksat dhe tarifat vendore për të siguruar sa më shumë të ardhura, nëpërmjet shtimit të bazës së taksueshme dhe do të vazhdojmë të rrisim më shumë transparencën në administrimin dhe shpenzimin e çdo të ardhure në bashki.