Interview9 Jun 2015

Vasil Bedinaj: Do të mbledh taksa dhe do të ofroj shërbime publike

Kandidati i pavarur për Bashkinë e Vlorës thotë se ofron menaxhim efikas të taksave të qytetit për shërbimet publike bazë si furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime dhe transport për nxënësit e shkollave.

Author: Jerola Ziaj BIRN Vlorë
Print

Vasil bedinaj

Vasil bedinaj

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Vlorë dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh i Bashkisë Vlorë është varfëria e shkaktuar nga papunësia, e shkaktuar nga politikat e dështuara publike që kanë tkurrur biznesin vlonjat dhe kanë çuar drejt falimentit shumë investime serioze. Problemet më të mëdha të infrastrukturës kanë ardhur për arsye të abuzivizmit dhe paaftësisë. Investimet në ujësjellës që kapnin 28 milionë euro nuk dhanë asnjë rezultat. Pa rrugë, pa ujë, me mbetje urbane dhe ujëra të zeza që derdhen në det nuk ka turizëm; pa turizëm nuk ka kërkesë për produkt lokal dhe nuk ka prodhim; pa prodhim fshatari ngelet pa të ardhura dhe zbret në qytet si punëtor krahu për të ushqyer familjen. Duke shtuar krahun e punës në rrugë ulet edhe çmimi i punës dhe me mungesën e punës kemi një situatë të tillë me papunësi të lartë. Bashkia e Vlorës nuk ka arritur të mbledhi taksat e saj! Te parën gjë që do të bëjmë është të mbledhim taksat dhe të bëjmë llogaritë dhe pastaj do vemë në punë planin tonë për zhvillim.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Vlorës?

Ndërhyrjet prioritare do të jenë ndriçimi i rrugëve për të rritur sigurinë e lëvizjes së qytetarëve, hartimi i një plani konkret për rregullimin e rrugëve dytësore nëpër lagje që janë shumica të pashtruara, duke rigjeneruar dhe shtuar  ambiente të gjelbra kudo që mundemi, riparimi i trotuarëve dhe çlirimi i plotë i tyre, vendosja e barrierave mbrojtëse para çdo shkolle për të parandaluar fëmijët të vrapojnë në rrugën para trafikut dhe bumpers për të ndaluar lëvizjen me shpejtësi.

Të gjitha ato godina që janë në pronësi të bashkisë dhe janë dhënë me qira apo abandonuar do të riparohen dhe do t`ju hiqen kontratat të gjithë atyre që nuk kanë paguar qiranë apo nuk e kanë mirëmbajtur sipas kontratës. Ne synojmë që të vendosim në shërbim të moshës së tretë dhe fëmijëve ambientet publike të papërdoruara deri më tani, duke ndërtuar salla sportesh kryesisht sporte dore dhe qendra komuntare për të moshuarit.

Kemi menduar një sistem kamerash për të gjitha shkollat e qytetit. Shkollat do të ruhen nga policia bashkiake dhe do vendosim autobuzë shkolle dhe autobuzë për njerëzit në nevojë. Transporti publik do marrë zgjidhje dhe më kryesorja premtoj që fusha e aviacionit do të pastrohet e gjitha dhe do të kthehet në një park multifunksional për të gjitha grup moshat me një shërbim urban të dedikuar.

Deri në fund të mandatit do të kemi zgjidhur përfundimisht problemet me ujërat e zeza dhe mbetjet urbane.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Vlorë dhe cilat janë ato?

Kriteret janë të thjeshta: aftësi të provuar profesionale, ndershmëri, integritet dhe punë. Ne synojmë të afrojmë në administratën e ardhshme të bashkisë profesionistët më të mirë të qytetit. Nuk bëjmë diference përkatësie politike, s’ka për të qënë kurrë kriter se cilës forcë i përket.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)

Kemi vendosur që të krijojmë një këshill të përhershëm vullnetarësh për të gjitha grupet e interesit, si biznesi, ojf, profesionistët, intelektualët dhe qytetarët e thjeshtë. Do të ngremë bashkinë dixhitale me tre portale: një për profesionistët dhe të rinjtë ku do perkrahet çdo nismë e tyre në shërbim të komunitetit; një portal për dokumentacionin dhe shërbimet bashkiake ku çdo drejtori do të japë informacionin përkatës dhe shërbimet për të evituar rradhët dhe hallakatjen e qytetarëve; dhe një portal për biznesin e huaj dhe vendas ku do publikohen të gjitha tenderimet dhe nevojat për investim, konsulencë dhe asistencë për investitorët e huaj dhe vendas. Qëllimi ynë është transparenca e plotë e aktivitetit ekonomik të bashkisë.

Nëse ju do të zgjidheshit kryebashkiak, cilat janë planet tuaja lidhur me planin urbanistik të qytetit të Vlorës? Në cilin drejtim do të shtrihet dhe zgjerohet zona e banuar e qytetit dhe shërbimet turistike?

Vlora ka hapësirë mjaftueshëm për t’u zhvilluar, por ne do të shikojmë me shumë kujdes ambientin dhe problemet me erozionin. Kemi mjaftueshëm zona informale që e kanë rrënuar mjedisin, por nuk do të ketë më të tilla! Çdo ndërtim do të jetë brenda një plani urbanistik lokal dhe kombëtar dhe ne do të ndalojmë çdo tentativë për të ndërtuar në zonat me rëndësi historike apo arkeologjike.

Zgjerimi i natyrshëm i Vlores, i varur edhe nga relievi gjeografik, është në drejtim të Nartës dhe drejt komunave përgjatë autostradës Vlorë – Levan. Ne do të sigurojmë që çdo ndërtim i ri të ketë të planifikuar një koeficent strehimi për të pastrehët dhe hapësira të gjelbra. Një herë për një herë nuk do të lejojmë më asnjë ndërtim të ri pallatesh brenda qytetit sepse kjo e ka rrënuar tregun imobilar duke e mbushur tregun me apartamente që po shiten nën koston e ndërtimit.

Gjithashtu, do të inkurajojmë ndërtimin e komplekseve të mëdha turistike me mbi 50 apo 100 shtretër duke iu hequr taksën e infrastukturës që është 4% dhe duke mos iu marrë të gjitha taksat bashkiake për dy vitet e para të aktivitetit. Në këtë mënyrë do e kanalizojmë dëshirën për të ndërtuar dhe investuar në turizëm. Më kryesorja që do bëjmë është që çdo ndërtues, kompani ndërtimi apo shërbimesh që ndërhyn në infrastrukturë do të detyrohet me kusht në lejen e ndërtimit që ta riparojë dëmin apo të krijojë infrastrukturën për ta lidhur ndërtimin me akset kryesore.

Cilët hapa konkrete do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin e mbetejeve urbane dhe sistemimin e ujërave të zeza?

E para është rishikimi i kontratës me firmën aktuale që faturon miliona euro për një shërbim, që e pakta është neglizhent dhe abuziv dhe më e keqja është keqdashje e qëllimshme. Programi jonë ka një plan konkret bashkepunimi me investitorët e mëdhenj si BE, Banka Botërore, Banka Islamike, etj, që kanë investuar në të shkuarën për impiantin aktual të ujërave të zeza që nuk është funksional dhe një sërë investimesh të tjera madhore.

Çfarë hapash do të ndërmerrni lidhur me sigurimin e një rrjeti më të gjerë dhe funksional të transportit publik dhe menaxhimin e trafikut sidomos gjatë sezonit turistik?

Kemi në plan ndërtimin e një stacioni multifunksional ku të gërshetohet shërbimi urban bashkiak dhe interurban. Vlora ka nevojë për një shërbim urban më cilësor dhe ekologjik që të mbulojë të gjithë hapsirën e bashkisë së re, me autobuza më të vegjël dhe eficentë, mundësisht me teknologji të re hibride. Një gjë është e sigurtë; që ne do të kemi një shërbim urban të dedikuar për të gjithë zonën turistike, si dhe objektet e interesit të lartë historik dhe arkeologjik.

Problemin e trafikut do e zgjidhim duke futur më në fund një sistem semaforësh dhe sinjalistike korrekte. Projekti i Bypassit është në zbatim e sipër dhe ne do të bashkëpunojmë me qeverinë shqiptare për monitorimin dhe mbështetjen e nevojshme për ta përfunduar këtë rrugë në kohë. Gjithashtu, ka një projekt konkret për një unazë të brendshme të Vlorës që nuk është zbatuar që prej vitit 2011, të cilin ne do e vemë në punë dhe do e ndërtojmë. Këto masa do ta lehtësojnë ndjeshëm trafikun e qytetit.

Si do të zgjidhni problemin e koncensionit lidhur me vendparkimet në qytetin e Vlorës?

Ky koncension është në kundërshtim me interesat e vlonjatëve dhe nuk është konsumuar faza e konsultimit me publikun, ndaj si e tillë kontrata do të rishikohet ose anullohet.

Cila është strategjia juaj lidhur me moslejimin e ndërtimeve abuzive dhe pa leje në këtë bashki? 

Kemi një strategji të thjeshtë dhe ajo është zbatimi i ligjit. Do të jemi konservatorë, do të kërkojmë që qytetarët të pajisen me lejet perkatëse për të gjitha ndryshimet në fasada dhe për rikonceptimin e banesave të tyre si pjesë e strategjisë sonë për të pasur një qytet me fasadë të unifikuar dhe të standarteve europiane.

Do i japim prioritet objekteve historike dhe nuk do të lejojmë ndryshimin e fasadave të objekteve gjatë ketyre rrugëve. Do të krijojmë një model standard për zonat më të frekuentuara të qytetit, ku do të jenë të percaktuara hapësirat e gjelbëra, parametrat e reklamave promocionale dhe tendave sezonale. Për çdo shkelje do të ndjekim procedurat ligjore brenda kompetencave të institucionit të bashkisë.