Interview2 Jun 2015

Agron Demushi: Duhet një administrator i zoti për resurset natyrore

Kandidati i pavarur për Bashkinë Tropojë thotë se projektimi i ujësjellësit të Tropojës ka qenë i gabuar dhe ai nuk sjell dot furnizim me ujë në stinën e verës pa u korrigjuar.

Author: Bashkim Shala BIRN Tiranë
Print

Agron Demushi | Foto nga : VOA

Agron Demushi | Foto nga : VOA

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Tropojës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi  i madh i Tropojës është që t’i gjesh një administrator të aftë për  t’i dalë zot punëve dhe këtij rajoni. Kemi gjithë ato resurse dhe bukuri natyrore dhe këto duhen shfrytëzuar dhe vënë në punë dhe për këtë duhet i zoti punës. Por problem kryesor është edhe çështja e punësimit të qytetarëve. Por po arritëm që të vëmë në shfrytëzim këto potenciale që kemi në dispozicion përmes një mekanizmi funksional, jam i bindur se gjithçka do të përmirësohet sepse Tropoja ofron gjithçka që i duhet një qytetari për të jetuar dhe përmirësuar në vazhdimësi cilësinë e jetës. Ka një reliev të mrekullueshëm që fillon nga HEC-i i Fierzës me 170 metër mbi nivelin e detit deri në majat më të larta siç është Jezerca, Maja e Hekurave, Kollatës etj. Ndaj  e përsëris edhe një here se duhet  një administrator i zoti që të shfrytëzojë këto resurse, por edhe burimet minerare dhe hidrike që janë të shumta në Tropojë. Pra, shpreh bindjen se mirëadministrimi sjell vetëm zhvillim, njëherësh edhe punësim.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Tropojës?

Kam pasur fatin që të drejtoi për katër vite bashkinë e Bajram Currit dhe mund ta them pa mëdyshje se jam kryetari i premtimeve të mbajtura, madje mund të kem tejkaluar premtimet dhe objektivat që i kam pas venë vetes. Objektivi kryesor ka qenë plani rregullues i qytetit. Ky plan është i gatshëm, pritet vetëm të firmoset, mirëpo nuk është firmosur për shkak të reformës territoriale dhe organizimit të qeverisjes vendore që do të thotë që këtij plani rregullues të qytetit do t’i shtohet edhe ai i shtatë komunave që kishte Tropoja. Pra, do i bashkëngjis këtij plani rregullues edhe planin zhvillimor të komunave. Bazuar në këtë plan do të përmirësoj ndjeshëm infrastrukturën në qytetin e Bajram Currit. Janë mbi 40 projekte që sot flenë në zyrat e ministrive të ndryshme të linjës dhe jam i bindur se nëse ka një vullnet për t’i financuar, Tropoja do të ketë tjetër pamje dhe dimension zhvillimor, qoftë si qytet, por edhe si qytetarë që do të përfitojnë dhe do jenë pjesë e këtyre zhvillimeve ku do punësohen, do kenë një shërbim më të mirë, ndërkohë që edhe investitorët do jenë më të interesuar për të investuar në qytetin e Bajram Currit apo rrethin e Tropojës.

Jam një njohës i mirë i problemeve, kryesisht të qytetit të Bajram Currit. Në këtë qytet janë dy rrugë që kanë mbetur përgjysmë siç është bulevardi kryesor i qytetit që ka filluar në vitin 2012. Pra, është financuar vetëm 50% projekti nga qeveria “Berisha”, ndërkohë që qeveria aktuale jo vetëm që nuk e financoi projektin për të përfunduar, por prej dy vjetësh nuk ka sjellë asnjë qindarkë investime në Tropojë. Por një investim i mbetur përgjysmë është edhe unaza e lagjes “Partizani” ku kanë përfunduar 50% të punimeve, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur për mungesë financimi.

Pra, këto janë rruge që duan ndërhyrje emergjente. Një tjetër problem kryesor në fshatra është sistemi i munguar i vaditjes. Pra, nuk ka pas vullnet nga drejtuesit e mëparshëm për të investuar në këtë sektor jetik për bujqësinë. Nuk mundesh të ndërtosh  një rrugë që kërkon shumë fonde dhe mbështetje nga qeveria, por jo një kanal vaditës. Mungesa e vaditjes përveç mungesës së financimit është edhe për shkak të mos interesimit nga drejtuesit për këtë sektor. Pra, ndërhyrja me emergjente vëren e ardhshme nëse do jem unë kryetar i bashkisë do të jetë në sektorin e ujitjes, dhe brenda dy vjetësh garantoi se nuk do të ketë fermer nga Tropoja  që do të ankohet se nuk ka ujë për vaditje. Por nuk do ketë qytetar tropojan që do ankohet edhe për ujë të pijshëm, por nuk do ketë qytetar tropojan që nuk do ketë të lidhur lagjen e tij me rrugën kryesore të komunës apo qytetit.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Tropojës dhe cilat janë ato?

Unë nuk e njoh organiken e re, pasi ende nuk është ideuar nga pushteti qendror. Megjithatë në principet e mija nga ku kam filluar para katër vitesh dhe deri sot jam bazuar te konkurrenca dhe puna e çdo individi. Unë vë në lëvizje njerëzit dhe ai që nuk i përgjigjet ritmit tim të punës do largohet, pasi nuk e heq unë, por mungesa e ritmit, pra ai heq veten. Pjesa tjetër e vendeve që do të jenë vakante do të merren bazuar në një konkurs siç e parashikon edhe ligji dhe njerëzit e përzgjedhur, kryesisht do të jenë të rinj e të reja tropojanë të mirëarsimuar që deri tani nuk po e gjejnë veten pasi nuk po i hapin rrugë konkurrencës së ndershme për marrjen në punë. Në katër vjet drejtimi në krye të bashkisë  së Tropojës kam treguar se administrata nuk mund te jetë politike, por profesionale. Ndaj ndoshta jam viktimizuar pasi po kandidoj i pavarur duke mos u bërë pjesë e klaneve të caktuara që pengojnë zhvillimin e Tropojës, që kanë mbajtën peng Tropojën tash 25 vite dhe Tropoja me gjithë këto resurse jeton tash e 25 vjet në varfëri.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)

Unë kam trashëguar një traditë të mirë për sa i përket vendimmarrjes në Bashkinë e Bajram Currit, në rastin konkret atë të miratimit të buxhetit, si akti administrativ më i rëndësishëm. Ndërkohë që kam pasur bashkëpunim edhe me këshilltarët që përfaqësonin lagje të ndryshme në bashkinë që kam drejtuar ku janë marrë vendime që kanë sjellë impakte pozitive në komunitetin e këtyre lagjeve.

Edhe në të ardhmen do të bashkëpunojmë fort me grupet e interesit dhe komunitetin përmes dëgjesave publike e konsultave që do të çojnë në marrjen e vendimeve si për ndërhyrjet në infrastrukturë apo në sektorë të tjerë në mënyrë që zhvillimet të përmirësojnë cilësinë e jetës së komunitetit

Si do të përdoren të ardhurat nga renta minerare nga bashkia?

Do zbatojmë vetëm ligjin. Shteti ka ligje por nuk zbatohen dhe këtë te gjithë e pranojnë. Edhe në këtë drejtim nuk është zbatuar ligji. Ka punonjës në sektorin minerar që nuk janë as të regjistruar. Ka punonjës që paguhen me pagë qesharake, ka firma që nuk paguajnë asgjë vetëm fitojnë duke punuar secili për qejfin e tyre.

Pra, duhet një kontroll në çdo detaj ndaj firmave të shfrytëzimit të mineraleve në drejtim të zbatimit të ligjit. Duke dhënë garancinë që unë do zbatoj ligjin dal garant edhe për suksesin. Renta minerare nuk është marrë asnjëherë nga asnjë komunë. Ndaj unë nuk do të toleroj lidhur me mbledhjen e rentës minerare. Taksat vendore kurrë nuk janë derdhur nga këto firma, ose janë derdhur në xhepat e kryetarëve të komunave. Ndaj unë garantoj që çdo firmë të paguajë taksat sipas ligjit. Kam një eksperiencë në bashkinë e Bajram Currit në mbledhjen e taksave. Kur  e mora bashkinë para katër vitesh kam gjetur një përqindje qesharake të mbledhjes së taksave, ndërsa pas katër vjetësh drejtimi kam arritur të barazoj grantin me taksat që do të thotë se kam pesëfishuar mbledhjen e taksave.

Është bërë një investim prej disa milionë eurosh për ujësjellësin e Bajram Currit dhe akoma nuk ka ujë. Çfarë masash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për ta vënë në funksionim këtë investim dhe për të zgjidhur problemin e furnizimit me ujë në qytet?

Kësaj pyetje i kam dhënë disa herë përgjigje në gazeta dhe TV të ndryshme. Dua të theksoj se ujësjellësi nuk është tenderuar në periudhën që unë kam qenë kryetar bashkie, por as punuar.

Pra investimi ka qenë para vitit 2011. Ndërkohë që ky investim nuk është tenderuar nga bashkia e Bajram Currit, por nga Ministria e Punëve Publike, pra bashkia ka qenë vetëm përfituese e këtij projekti.

Ndërkohë që ujësjellësi i Bajram Currit ka një bord drejtues  dhe drejtohet nga një drejtor i emëruar nga ky bord. Është mëse e vërtetë që qyteti nuk ka furnizim të qëndrueshëm me ujë, pavarësisht përmirësimeve.

Ka një defekt projekti për sa i përket kaptazhit kryesor në Valbonë. Projekti ka parashikuar 98 litra për sekondë, ndërkohë që në periudhë thatësire prurjet në kaptazh janë  edhe 7 litra për sekondë.

Ujësjellësi është parashikuar vetëm për qytetin, por faktikisht janë përfshirë edhe komunat nga Margegaj në Cernicë, në Tropojë të Vjetër, Bujan e deri në Gri. Megjithatë defekti kryesor  është mungesa e prurjeve në veprën e marrjes (Kaptazh).

Pra burimi nuk e ka pritshmërinë e duhur dhe ka dalë jashtë parashikimeve në projekt.  Por mungesa e ujit vjen edhe nga keqmenaxhimi i ujësjellësit, si ndërhyrjet në tubin kryesor dhe shpërdorimi i ujit nga abonentët. Nëse i fitoj zgjedhjet bashkia do e drejtojë ujësjellësin pasi e parashikon ligji dhe do e menaxhoj shumë mirë në drejtim të shmangies së abuzimeve dhe shtimit të arkëtimeve.

Por problemi kryesor është si do shtohen prurjet në kaptazhin kryesor në Valbonë. Për këtë qëllim ne si bashki kemi bërë një projekt shtesë dhe e kemi dorëzuar në vitin 2012. Në bazë të këtij projekti ka shtrirje tubash nga Valbona në Çukë të Dunishës me një gjatësi 3.7 kilometra. Pra, me prurjet e reja ujë ka me bollëk, ku mbushet kaptazhi kryesor. Projekti ka një vlerë me pak se 1 milion USD por zgjidh definitivisht furnizimin me ujë të Tropojës, pasi ky rajon ka ujë me furnizuar edhe Italinë.

 

Cilat janë politikat konkrete që do të ndërmerrni për rivitalizimin dhe zhvillimin e kulturave specifike të zonës si Boronica, gështenja dhe bletaria?

E thashë edhe më pare se duhet një administrator i aftë që të vërë në lëvizje mekanizmat për menaxhimin e këtyre pasurive që na i ka falë Zoti. Do të nxisim biznesmenë të ndryshëm për blerjen e prodhimeve të gështenjës, por edhe të bimëve medicinale. Do punojmë shumë për reklamimin dhe marketingun e bimëve medicinale që janë të shumta në këtë zonë. Gjëja më me vlerë për Tropojën që vetëm  prodhon dhe qytetari nuk shpenzon është gështenja.

Janë rreth 2700 hektarë me gështenja në Tropojë. Kam ideuar dhe kam finalizuar festen e gështenjës në Tropojë që është me 20 tetor të çdo viti. Ka tre vjet që falë kësaj ideje të finalizuar kemi bërë promovimin e vlerave të gështenjës tropojane, qoftë ushqyese, apo kurative, pasi kemi edhe mjaltin e gështenjës i njohur për vlerat e tij ushqyese, por më shumë kurative.

Nga ky reklamim apo promovim i këtij produkti çmimi i gështenjës nga 20 lekë që ka qenë dikur është 9-fishuar, ku vitin e kaluar është shitur me 180 lekë për kilogram. Të mos harrojmë se vetëm vitin e kaluar kanë qenë 3 milionë euro të ardhura në Tropojë vetëm nga shitja e gështenjës. Por pushteti vendor nuk ka fituar asnjë qindarkë sepse kanë qenë 7 komuna dhe bashkia, pra prona e gjithkujt dhe e askujt. Ashtu siç kemi vepruar për gështenjën do veprojmë edhe për bimët medicinale siç është boronica dhe shumë bime të tjera mjekësore që krijojnë të ardhura për banorët e këtyre zonave ku ato ndodhen.

Cilat hapa do të ndërmerrni për zonat e mbrojtura të bashkisë së re Nikaj Mërtur, Lumi i Gashit dhe Valbona dhe çfarë keni në plan për të nxitur zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm?

Kam një plan për zhvillim të turizmit në zonën e Tropojës. Nuk mund të merrem me atë se çfarë ka kaluar. Unë nuk mendoj se është prishë bukuria  e Valbonës, ndonëse ka disa ndërtime pa leje. Këto ndërtime do përfshihen në planin rregullues që unë do të hartoj ashtu siç kam vepruar për qytetin e Bajram Currit.

Për mua qendra dhe baza e turizmit do të jetë qyteti i Bajram Currit, ndërsa destinacionet do të jenë  ato që ju përmendet në pyetjen tuaj dhe disa destinacione që ju nuk i keni përmendur. Në qytet turisti duhet të marrë  informacion të nevojshëm, por edhe të gjejë mundësinë për të kaluar çaste te këndshme, para se të shkojë në destinacion.

Zonën e bëjnë shumë të vizituar edhe Gojëdhënat dhe Eposi i Kreshnikëve që i takon Bjeshkëve të Namuna ku turistët e huaj janë shumë të interesuar si për Gojedhënat dhe Ciklin e Kreshnikëve.

Ndërkohë që stopimi i ndërtimeve pa leje në zonat turistike është miratimi i një plani rregullues, jo vetëm për qytetin, por edhe për të gjithë zonën, kryesisht atë turistike. Garantoj se në zonat turistike nuk do të këtë beton, por banesa të drunjta që i përshtaten zonës. Gjithashtu do punojmë për restaurimin e kullave të vjetra dhe kthimin e tyre në bujtina mikpritëse.

Meqë keni qenë katër vjet kryetar bashkie çfarë ju mbetet merak që nuk keni realizuar?

Unë mendoj se kam qenë kryetari i premtimeve të mbajtura. Jo vetëm që kam mbajtur premtimet, por edhe i kam tejkaluar ato. Një merak që më ka mbetur është ai i përshtatjes së të gjitha pallateve në Bajram Curri me stilin alpin duke i mbuluar me çati në bazë të këtij stili si dhe suvatimin dhe lyerjen e tyre, pasi janë ndërtuar që në vitet e hershme të komunizmit deri në fundin e viteve 90-të të shekullit të kaluar, pra janë të amortizuar dhe kanë nevojë për ndërhyrje në fasada, pasi brenda është ndërhyrë nga vetë pronarët  e banesave. Kjo ndërhyrje do të shtonte bukurinë e këtij qyteti, por këtë besoj se do e realizoj gjatë këtyre katër viteve, nëse populli me voton, por kësaj radhe si i pavarur nga partitë politike.