Interview3 Jun 2015

Gilberto Jaçe: Zhvillim turistik të qëndrueshëm

Kryebashkiaku Socialist i Përmetit, i cili kërkon një mandate të dytë në zgjedhjet e 21 qershorit, shprehet se vizion i tij fokusohet tek zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit.

Author: Raimond Kola Gjirokastër
Print

Gilberto Jaçe | Fot nga : Facebook

Gilberto Jaçe | Fot nga : Facebook

Si e mendoni zhvillimin e qytetit në katër vitet e ardhshme, drejt një profili turistik apo drejt krijimit të njësive të vogla tregtare?

I cilësuar si “çelësi i zhvillimit, prosperitetit dhe mirëqenies” të shumë vendeve dhe rajoneve në Europë e më gjerë, rrallë mund të gjendet ndonjë sektor i ekonomisë i tillë si turizmi, ku mund të krijohet mjaft shpejt vlera e shtuar e produkteve, ku mund të hapen mjaft vende të reja pune, ku mund të thithet shpejt valuta e huaj përballë një kostoje relativisht të ulët.

Duke qene se unë vij në këtë raund zgjedhor nga një mandat 4-vjeçar, e njoh shume mirë problematikën dhe “plagët që duhen shëruar “ në qeverisjen time të ardhshme. Referuar pyetjes suaj, vizioni im për zhvillimin e qytetit në katër vitet e ardhshme do të fokusohet në një zhvillim turistik të qëndrueshëm duke e bërë territorin e bashkisë së Përmetit një nga polet e zhvillimit në jug të vendit, me një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në harmoni me mjedisin dhe me burimet natyrore. Duke u bazuar në njohjen e thellë që kam dhe në dëshirën dhe mundësinë për të shkelur në çdo fshat e shtëpi vlerësoj shumë resurset natyrore që Përmeti ka. Duke u bazuar në zhvillimin e turizmit alternativ, bujqësinë ekologjike dhe në agrobiznesin me produktet unike të zonës.

Cilët hapa do të ndërmerrni për nxitjen e punësimit sidomos të grave dhe të rinjve në bashkinë e Përmetit?

Atë që edhe këto katër vjet kam bërë si kryetar bashkie, e konsideroj një çështje shumë të rëndësishme hapjen e vendeve të punës për gratë. Falë projekteve të ndryshme, siç ishte RISE OP ku u trajnuan dhe u mbështetën target grupet e grave dhe të rinjtë e qytetit që punimet tradicionale artizanale të zhvillonin më tej, duke pasur mundësinë e fuqizimit ekonomik nëpërmjet hapjes së bizneseve të tyre lokale. Kam tejkaluar raportin e të punësuarave gra në bashki gjatë katër viteve dhe në mandatin tim të dytë do iu jap mundësinë të kenë poste drejtuese.

Gjithashtu, duke mbeshtetur dhe favorizuar hapjen e bizneseve sociale dhe lehtësimin dhe pse jo përjashtimin nga taksat vendore të këtyre bizneseve që drejtohen nga gra për një periudhë të caktuar në mandatin tim të dytë. Gratë janë shumë të gatshme të ndryshojnë kushtet e jetesës së tyre dhe përveç kërkesës së fortë për të patur mundësi më të mira dhe të barabarta për punësim, nga takimet që unë kam pasur, ato e vënë theksin në nevojën e ngritjes së qendrave shoqërore për gratë të cilat të ofrojnë trajnime profesionale.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre rendisin si shumë të rëndësishme arsimimin e grave dhe hapjen e qendrave sociale për gratë ku ato të kenë mundësi të marrin trajnime profesionale, si dhe mundësi për t’u argëtuar. Një faktor tjetër jo më pak i rëndësishëm që do të përmirësojë jetën e grave në zonën ku ato banojnë është ndryshimi i mentalitetit të meshkujve për gratë.

Kthimin në një qyteti social për të rinjtë, duke mundësuar hapjen e Qendrës Multifunksionale për kalimin e kohës së lirë, nxitjen e kreativitetit, organizimin e shumë aktiviteteve rinore, etj. Një nga zërat e buxhetit të bashkisë do të jetë në funksion të shoqërisë civile, për zhvillimin e projekteve komunitare ku do i lihet hapësirë edhe të rinjve për të konkurruar me ide inovatore.

Cili do të jetë reagimi juaj lidhur me disa aktivitete që cënojnë vlerat e Përmetit si ndërtimet e larta në qytet, ndërtimet e HEC-eve në Vjosë, etj?

Reagimi im lidhur me ndërtimin e HEC-eve në lumin Vjosë ka qenë dhe do të jetë i prerë nëse kjo dëmton një ekosistem të tërë siç është lumi Vjosë. I qëndroj marrjes së një vendimi përfundimtar pasi të jenë peshuar mirë përfitimet që vijnë nga ndërtimi i HEC-eve dhe përfitimit që kemi nga mbrojtja e lumenjve. Për këtë arsye kuadri ligjor duhet përmirësuar për të përforcuar pozitat e institucioneve qendrore dhe lokale në mënyrën e menaxhimit dhe dhënies së lejeve për përdorim dhe shfrytëzim të burimeve ujore.

Ajo që është shqetësim është se po preken zona që janë vërtetë natyrore. Mbështes shoqërinë civile e cila ka kërkuar vendosjen e një moratoriumi për ndërtimin e hidrocentraleve dhe gjithashtu të vendosen kritere për mënyrën e funksionimit dhe dhënien e licensave. Si kryetar i bashkisë së Përmetit, e cila me ndarjen e re territoriale ka nën administrimin e saj edhe zonën e mbrojtur ku janë dhënë leje për ndërtimin e HEC-ve, në radhë të parë marr parasysh të gjitha aspektet e përdorimit të ujit, që janë banorët lokalë, bizneset, bujqësia, të cilët në shumë raste ngelen pa ujë, pra në radhë të parë për mua janë votuesit e mi, bashkëqytetarët e mi.

Lidhur me ndërtimet e larta në qytet, unë do të eci gjithmonë në bazë të planit urbanistik vendor, si dokument bazë për dhëniet e lejeve të ndërtimit. Do të ruaj me fanatizëm ndërtimet tradicionale duke valorizuar atraksionet turistike të zonës, por njëkohësisht do të zhvillojmë këtë qytet në përputhje dhe në zbatim të plotë të kritereve të dhënies së lejeve zhvillimore.

Si do të bashkëpunoni me Institutin e Monumenteve për mbrojtjen e pasurive kulturore të kultit?

Monumentet e kultit në rrethin e Përmetit, bazuar në rrethanat historike kanë bërë të mundur të kultivohen dhe bashkëjetojnë tre komunitete fetare kryesore: të krishterë, myslimanë dhe bektashinj. Gjurmët kulturore të këtyre besimeve janë pasqyruar në ndërtesat e kultit, si edhe në objektet e ndryshme fetare të cilat, përveç se janë dëshmi e kultivimit të besimit fetar, përfaqësojnë edhe vlera të jashtëzakonshme artistike dhe kulturore për qarkun dhe për gjithë trashëgiminë kulturore.

Nisur nga vlerat që ato përmbajnë, një pjesë e tyre janë shpallur monumente kulture të kategorisë së parë. Materiale dokumentare të kodikëve si edhe burimeve të tjera të shkruara, shprehin zhvillimin e jetës kulturore të Përmetit dhe nëpërmjet ngritjes së një morie veprash kulti me vlera arkitekturore dhe artistike përveç rëndësisë që paraqesin në aspektin religjoz (fetar), objektet e kultit janë në qendër të interesit të vizitorëve vendas dhe të huaj.

Bashkëpunimi do të jetë për ruajtjen, promovimin dhe kartelizimin e pasurive kulturore të kultit pa dallim përkatesie fetare, gjithmonë në zbatim dhe respektim të ligjit.

Si mendoni të mbështesni sektorin e pemëtarisë dhe veçanërisht të vreshtarisë në këtë zonë?

Sektori i pemëtarisë dhe vreshtarisë zë vendin kryesor në fuqizimin ekonomik vendor të Përmetit i cili njihet për kultivimin e vreshtave dhe frutave, të cilat kanë qenë dhe mbeten baza për industrinë e përpunimit të frutave dhe prodhimit të pijeve. Ndër vite, për shkak të parcelizimit dhe fragmentarizimit të tokës bujqësore, nuk arrihet të sigurohet një prodhim bujqësor në parametra standarde dhe uniformitet të varieteteve të vreshtarisë dhe pemëve frutore, duke mos garantuar kështu një ekonomi dhe furnizim të industrisë lokale të përpunimit të tyre.

Mbi 40 njësi agro-përpunuese sot nuk arrijnë të furnizohen me lëndën e parë në sasinë dhe cilësinë e domosdoshme, ndërkohë që janë mbi 1000 fermerë aktivë në fushën e pemëtarisë dhe vreshtarisë. Objektivi im është rritja e bashkëpunimit midis fermerëve drejt grupeve të përbashkëta të prodhuesve, sipas blloqeve uniforme të kultivateve autoktone, sipas një studimi të tokave dhe varieteteve më tipike autoktone të vreshtave për rajonalizimin në prodhim midis fermerëve.

Sigurimi i asistencës teknike për funksionimin e grupeve të prodhuesve, sigurimi i mbështetjes financiare duke rritur bashkëpunimin me qeverinë për rritjen e financave në mbështetje të zhvillimit të biznesit lokal në krijimin e lehtësirave, si në përmirësim të infrastrukturës por dhe në nxitje të numrit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që operojnë për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe pa harruar këtu dhe bimët medicinale me të cilat zona e Përmetit është shumë e pasur. Një pikë e fortë për të dhënë garanci është edhe projekti aktual 1,5 milion euro nga BKZ, i cili po fokusohet kryesisht në mbështetje dhe zhvillim të industrisë agro-përpunuese.

Si mendoni të aktivizoni artizanatin në zonat përreth qytetit në funksion të përmirësimit të punësimit të grave?

Zejtaritë e ndryshme tradicionale janë gjithashtu pjesë e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare. Ato dëshmojnë për botën dhe krijimtarinë e pasur shpirtërore të komunitetit përmetar i cili i ka krijuar, i ka ruajtur me dashuri dhe krenari dhe përpiqet t’i transmetojë ato në brezat e ardhshëm. Punime artizanati, punime dore, druri dhe guri, vuajnë mungesën e tregjeve për ekspozimin dhe shitjen e produkteve tradicionale të zonës, si dhe mungesën e dyqaneve të suvenireve dhe simboleve identifikuese të zonave të rrethit të Përmetit.

Në projektin RISE OP u përfituan shumë eminigrante të cilat po u japin mundësi të fillojnë të ngrenë bizneset e tyre, duke siguruar kështu lëndën e parë shumë të rëndësishme për të prodhuar. Hapja e dyqaneve për ekspozimin dhe shitjen e produkteve, sidomos të punës me dorë të grave, në qendër të qytetit do të jetë prioriteti im që vitin e parë, pa dyshim me lehtësira të cilat do të jenë pjesë e paketës fiskale.

Si mendoni të gjeneroni më shumë të ardhura për njësitë vendore?

Duke rritur kapacitetet brenda bashkisë që unë drejtoj, do të kem mundësinë të aplikoj për projekte me karakter relevant në shume organizma të huaja ,donator, etj. Me pak punë, përkushtim dhe vëmendje do të gjenerojmë të ardhura nga shfrytëzimi më i mirë i pronave të bashkisë, si dhënia me qera, etj, nga rritja e bashkëpunimit me biznesin vendas duke e parë si partner, duke mirëadministruar të ardhurat lokale dhe duke ecur në kohezion të plotë me planin strategjik të qeverisë të rrisim bashkëpunimin me investitorë të huaj të cilët janë të gatshëm për të investuar në qytetin e Përmetit.

Cili do të jetë angazhimi juaj për përmirësimin e godinave të shkollave, sidomos në zonat rurale që përfshihen në njësinë e re?

Përmiresimi i kushteve të godinave për të pasur një zhvillim të mirë të procesit mësimor do të jetë pa diskutim një prej prioriteteve të mia. Shkolla mbetet dritarja e dijes, ku brezat e rinj hedhin themelet e së ardhmes. Hartimi i projekteve për rikonstruksione të godinave dhe pajisja me gjithë bazën materiale të nevojshme duke bashkëpunuar me ministrinë e linjës, por pa diskutim edhe me donatorë të ndryshëm ku të jetë e mundur për të siguruar financimin e nevojshëm.

Çfarë do të bëni për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe sidomos të rrugës Tepelenë–Përmet?

Përmirësimi i këtij aksi rrugor do të lehtësonte dhe do të afronte qytetin e Përmetit me qendrat e mëdha urbane, si Gjirokastra, Fieri, Tirana, etj. Do të krijonte lehtësi në qarkullim dhe në kursim kohe për qytetarët dhe janë rrugët ato që lidhin dhe afrojnë njerëzit. E vetmja gjë që unë mund të bëj është të rris vëmendjen e qeverisë duke prezantuar qytetin tim se sa të nevojshme e ka për t’u fuqizuar edhe më ekonomikisht përfundimin e kësaj rruge. Duke bashkëpunuar edhe me kryetarin e bashkisë së Këlcyrës të çojmë nevojën për rëndësinë e rikonstruksionit të kësaj rruge për bashkinë e Këlcyrës dhe Përmetit në zhvillimin ekonomik.

Si mendoni t’i zhvilloni marrëdhëniet ndërkufitare me njësitë vendore në Greqinë e Veriut?

Marrëdhëniet me fqinjët grekë kanë qenë të mira, kemi pasur bashkëpunim me zonën kufitare si në pjesëmarrjen e projekteve të përbashkëta ndërkufitare në funksion të zhvillimit të turizmit, pasi jemi të fokusuar drejt zhvillimit të turizmit si pikë e fortë e jona. Gjithashtu, bashkëjetesa e mirë me komunitetin minoritar grek këtu në Përmet dhe bashkëpunimet në fushën ekonomike janë përsëri një tregues i marrëdhënieve të mira me fqinjët tanë grekë. Binjakëzimi i bashkisë Përmet me Bashkinë e Konicës gjatë mandatit tim të parë mbetet përsëri një tregues për marrëdhënie të qëndrueshme dhe të mira të cilat mendojmë që të dy palët t’i shtrijmë në shumë sfera, si në kulturë, arsim, sport, etj.