Interview16 Jun 2015

Valbona Kola: Nxitje e punësimit përmes investimeve

  Kandidatja e Partisë Socialiste për bashkinë e re Klos kërkon ndihmën e qeverisë qendrore për të financuar zhvillimin e zonës.

Author: Hysen Likdisha BIRN Klos
Print

Valbona Kola | Foto nga : Facebook

Valbona Kola | Foto nga : Facebook

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Klosit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemet që ka aktualisht bashkia Klos janë të shumta dhe për nga rëndësia dhe specifikat që ato kanë nuk mund të bëj një renditje të saktë të tyre.

Në gjykimin tim, nga informacionet që disponoj dhe nga verifikimet e bëra nga unë dhe stafi im në të gjithë territorin e bashkisë dhe nga takimet e bashkëbisedimi me qytetarët, mendoj se problemet më të mëdha që rëndojnë në jetën e qytetareve janë papunësia, infrastruktura rrugore, furnizimi me ujë të pijshëm dhe rrjeti vaditës, të cilat të gjithë së bashku kanë çuar në një problem të vetëm të madh që është niveli i ulët ekonomiko-social i banorëve të bashkisë.

Si banore e hershme, si intelektuale dhe si punonjëse që kam shërbyer për 25 vjet në këtë komunitet, së bashku me stafin tim në të cilin bëjnë pjesë shumë intelektualë me njohuri në drejtime të ndryshme profesionale, në bashkëpunim me grupet e interesit dhe qytetarët e mi, kam hartuar programin qeverisës të bashkisë me afate e detyra konkrete të cilat do i zbatoj me korrektësi me të vetmin mision që është permirësimi i jetës ekonomiko-sociale të banoreve të bashkisë Klos.

Programi jonë konsiston në nxitjen e punësimit duke u përqendruar kryesisht në stimulimin e biznezit privat të të gjitha kategorive (biznesi i vogël, i mesëm dhe i madh), luftën ndaj konkurencës së paligjshme, thithjen e investimeve nga qeveria qëndrore dhe donatorë seriozë të brendshëm dhe të huaj, investime të cilat do të përdoren për infrastrukturë rrugore, godina arsimore dhe shëndetësore, ujësjellësa dhe rrjete vaditëse e kulluese, subvensionimin e fermerëve të cilëve do u sigurohet dhe tregu për prodhimet e tyre bujqësore e blegtorale, administrimin korrekt të burimeve minerare ku të ardhurat e përfituara do të vihen në shërbim të qytetarëve dhe investimet në fushën e turizmit që natyra ia ka dhuruar kësaj bashkie.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Klosit?

E kam parë nga afër infrastrukturën rrugore, godinat arsimore dhe shëndetsore në të gjithë territorin e bashkisë dhe me keqardhje them se situata është në një gjendje të mjerueshme. Duke u nisur nga kjo gjendje deklaroj me përgjegjësi se brenda vitit të parë të mandatit është e domosdoshme dhe do të ndërhyj patjetër në rikonstruksionin e rrugës Qafë Shkozë – Guri i Bardhë, rikonstruksionin e rrugës nga vendi i quajtur Qafë Uk – Shkallë – Xibër, Murrize – Xibër Hane dhe Ketë, ndërtimin me çakull të rrugës nga Ura e Degës për në fshatrat Mishtër dhe Ftua, përfundimin e rrugës Klos – Cerujë e cila është lënë pa përfunduar dhe jashtë çdo standarti, rikonstruksionin e rrugës së fshatit Gurrë e Vogël dhe përfundimin deri në fund të fshatit të rrugës Suç-Kurdari.

Do të ndërhyj për rikonstruksionin e godinave arsimore të fshatrave dhe godinave shëndetsore, si dhe rikonstruksionin e kanalit vaditës Ketë – Xibërhane, Guri i Bardhe – Xibërmurrize dhe Guri i Bardhë – Shkallë, ku synohet që krahas ujit vaditës të menaxhohet dhe uji i pijshëm. Gjithashtu premtoj dhe rikonstruksionin e qendrës shëndetësore Xibër Qendër dhe atë të shkollës fillore Shkallë, si dhe financimin e përfundimit të ujesjellësit të Kurdarisë që shërben për pesë fshatra.

Gjithashtu, do të realizohet:

  • Rikonstruksioni i rrugës qendër Kurdari – Patin rreth 5 km
  • Asfaltimi i rrugës qendër Kurdari – Skënderaj
  • Rikonstruksion i kanalit vaditës Luse-Rezervuar-Skënderaj
  • Rikonstruksioni i rrugës Kurqelaj-Kap-Sheshi i Suçit-Shkorse-Halilaj
  • Përfundimi i asfaltimit të rruges deri ne qendër të Gurrës së Vogël 2.3 km
  • Rikonstrusioni i kanalit vaditës nga liqeni i Koçit deri Barruku
  • Rikonstruksioni i ujësjellesit brënda fshatit Rripe
  • Ndeërtimi i urës së betonit në vend të asaj pasarelë në fshatin Dom
  • Rikonstruksion i rrugës nga Ura e Domit deri tek Pjetri
  • Asfaltimi i rrugës Rripe-Gurrë e vogël 3.5 km
  • Rikonstruksioni i rrjetit të ujësjellësit në Gurrën e Madhe
  • Rikonstruksioni i rrugës në lagjen Celam dhe lagjes Can në Gurrë të vogël
  • Rikonstruksioni i kanalit vaditës Celam – Canaj
  • Riknstruksioni i rrugës Dom – Zallë-Allaj
  • Rikonstruksioni i ujësjellësit të Shulbatrës
  • Rikonstruksioni i rrugës Gurrë e Vogël-Mishter Unjate
  • Rikonstruksioni i Ambulancës në Dom
  • Rikonstruksioni i kanalit vaditës Xhabez-Fullqet
  • Rikonstruksioni i rrugës Unazë Kroi i Madh-Dardhë-Kroi i Madh në Fullqet
  • Rikonstruksioni i rrugës Çollak –Shira ne Fullqet
  • Rikonstruksioni dhe rrethimi i shkollës 9-vjeçare Cërujë
  • Rikonstruksioni i kanalit vaditës Cërujë
  • Asfaltimi i rrugës Pleshë – Cërujë
  • Rikonstruksioni i rrugëve brënda lagjeve në Pleshë
  • Rikonstrusioni i rrgës Cërujë – Kukatin-Pleshë
  • Rehabilitimi i kanalit vaditës Pleshë
  • Riknstruksioni i rrugës Cërujë –Patin –Bershi deri në rrugën nacionale
  • Rikonstruksioni i ujësjellësit Bershi
  • Rikonstrksioni i shkollës fillore në Bershi
  • Rikonstruksioni i kanalit vaditës në fshatin Fshat
  • Rikonstruksioni i shkollës së Planit-Bardhë
  • Rikonstruksioni i rrugëve brënda fshatit Dars
  • Rikonstruksioni i rrugës Klos-Bel-Unjate
  • Rikonstruksioni i rrugëve brënda fshatit Patin
  • Rikonstruksioni i rrugëve të fshatit Klos-Katund
  • Rikonstrksioni i rrugës që lidh rrugën nacionale me rrugën Ballosh në Fshat

Nuk do të ndodhë më kurrë në asnjë rast ajo çfarë ka ndodhur deri më sot që për një objekt të investohet disa herë pasi projektet do të zbatohen me korrektësi dhe investimet e kryera do të bëhen brenda çdo standarti.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Klos dhe cilat janë ato?

Lista e kritereve për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Klos do të jetë shumë e qartë dhe e prerë. Kriteri kryesor në bindjen time është vlerësimi i qytetarëve për shërbimin që do iu ofrojnë administratorët. Mua qytetari më ka dhënë besimin për t’i shërbyer atij dhe nuk mund të ndodhë ndryshe që administratorët e njësive administrative të bëjnë të kundërtën. Qytetarët e bashkisë Klos kanë shumë probleme të të gjitha natyrave, kështu që ata kërkojnë dhe e meritojnë që ne si drejtues vendorë të jemi në shërbim të tyre 24 orë për të vetmin mision, përmirësimin e jetës ekonomiko-sociale të tyre.

Nuk ekziston në bindjen time në idetë dhe vizionin tim në asnjë çast kriteri politik për emrimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative. Unë jam kryetare bashkie për të gjithë komunitetin dhe do u shërbej atyre pa dallim bindjesh politike, fetare apo krahinore.

Emërimi dhe shkarkimi i administratorëve të njësive vendore si dhe i punonjësve të administratës do të bëhet mbi kriteret e meritokracisë, profesionalizmit, përkushtimit dhe ndershmërisë.

Më sipër me pyetet se cili mendoj që është problemi më i madh i bashkisë Klos dhe unë paraqita disa prej tyre. Që të jem e sinqertë e them me bindje se problemi me i madh si pasojë e të cilit kanë ardhur të gjitha problemet e tjera të shumta është mosfunksionimi deri më tani mbi baza ligjore, profesionale, me përkushtim dhe ndershmëri i administratës aktuale të bashkisë Klos dhe tre Komunat që i janë bashkëngjitur sipas ndarjes së rë administrative. Ashtu siç jam e ndërgjegjshme që në këtë administratë ka një kontigjent punonjësish të ndershëm, profesionistë, korrekt e të përkushtuar në ushtrimin e detyrave funksionale, me keqardhje them se drejtuesit aktuale dhe lidhjet klienteliste të tyre në administratë nuk kane patur asnjë lidhje me zgjidhjen e problemeve të qytetareve, përkundrazi kanë vjedhur taksat dhe djersën e tyre, kanë shpërdoruar ndihmën ekonomike e cila u takonte familjeve në nevoje duke e ndarë atë sipas lidhjeve nepotike dhe militantiste.

Pasojat e mosfunksionimit të drejtuesve aktuale dhe administratës së tyre e ndjen, e shikon dhe e prek çdo qytetar i bashkisë Klos.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)

E kam përmendur dhe më sipër se në qendër të vëmendjes time dhe të administratës që do të drejtoj do të jetë qytetari, zëri i tij, shqetësimi dhe problemi i tij dhe si rrjedhojë qytetari do të jetë i pari në të gjitha proceset e vendimmarrjes së bashkisë.

Këshilli bashkiak do të jetë një partner i fuqishëm gjatë ushtrimit të detyrës time si kryetare bashkie. Këshillit do i sugjeroj dhe kërkoj bashkëpunimin e tij që në procesin e vendimmarrjeve në përgjithesi dhe për hartimin e buxhetit, planit urbanistik dhe ndërhyrjet në infrastrukturë, mbledhjet të jenë të hapura, qytetarët të marrin pjesë dhe të japin mendimet e tyre. Do të kërkohet mendimi dhe bashkëpunimi me OJQ dhe grupet e interesit, nga ekspertë të fushave të ndryshme sipas tematikave të procesit vendimmarrës. Çdo vendim do të jetë transparent për qytetarët dhe e thënë ndryshe, çdo vendimmarrje do të jetë investim për përmiresimin e jetës së qytetarëve duke u përqëndruar në vendet dhe drejtimet që ato e kanë më emergjente dhe më të domosdoshme.

Çfarë masash do të ndërmerrni për të nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë në zonën e  Bashkisë Klos?

Për fatin e mirë të qytetarëve të bashkisë Klos natyra dhe zoti i kanë dhuruar kësaj treve një larmishmëri resursesh ku përfshihen burimet minerare, bujqësore, blegtorale, hidrike, pyjore dhe turistike. Një pjesë e mirë e sipërfaqes së kësaj bashkie është zonë fushore që përbëhet nga lugina e Matit dhe me kullota që variojnë nga 240 metra ne 600 metra mbi nivelin e detit.

Degët kryesore të ekonomisë së bashkisë janë bujqësia, ku klima e favorshme lejon kultivimin e të gjitha bimëve e drufrutoreve, blegtoria dhe shërbimet duke mos lenë pas dhe burimet minerare të kromit të përqëndruara në masivin lindor krom mbajtës.

Për të nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë në bashkinë Klos objektivat e mija si kryetare bashkie do të përqëndrohen në keto drejtime kryesore:

  • Menaxhimin e tokave bujqësore;
  • Stimulimin e fermerëve duke u krijuar lehtësira nëpërmjet subvensionimit për zhvillimin e aktivitetit të tyre;
  • Ndërtimin e rrjeteve vaditese e kulluese në të gjitha fshatrat e bashkisë, pasi mungesa e tyre deri më tani ka qenë një ndër shkaqet kryesore që ka ndikuar seriozisht në rritjen e kostos dhe uljen e prodhimit të fermerëve;
  • Garantimin e tregut të produkteve bujqësore dhe frutikulturë duke hyrë garant për kompensimin e prodhimit të mbetur stok për arsye të mungesës së tregut;
  • Nxitjen dhe sensibilizimin e fermerëve për sigurimin e aktivitetit të tyre prodhues, me qëllim përfitimin e dëmshpërblimit të prodhimit të dëmtuar nga shkaqe natyrore apo arsye të tjera që nuk varen nga ato;
  • Sigurimin e tregut për prodhimet blegtorale duke ndërtuar minifabrika për përpunimin e të gjitha këtyre prodhimeve; dhe
  • Përmirësimin e infrastrukturës rrugore që u shërben fermerëve për zhvillimin e aktivitetit të tyre bujqësor e blegtoral.