Curriculum Vitae10 May 2015

Genc Deromemaj, PD (APPD), CV

Ky është kurikulumi jetësor i publikuar nga kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Vlorë

Author: BIRN Tiranë
Print

Genc Deromemaj

Genc Deromemaj

I biri i një inxhinieri hidroteknik, i ndikuar shumë nga i ati, të cilin e ka sa prind aq dhe mentor, Genc Deromemaj e kishte ‘të shkruar’, kur i thonë, fatin profesional.

I rritur mes skicash dhe projektesh, apo dhe bisedash që silleshin rreth bonifikimeve, planimetrive, ndërtimtarisë, Genci zgjodhi pa shumë mëdyshje degën e Inxhinierisë Hidrotekinike kur mbaroi gjimanzin ‘Halim Xhelo’ në Vlorë.

Periudha e studimeve, 2002-2007, pranë Universitetit Politeknik të Tiranës- Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, do të bëhej kështu certifikim i një -trashëgimie familjare dhe dëshire personale.

I diplomuar si Inxhiner hidroteknik në vitin 2007, ai do t’u kthehej auditorëve të të njëjtit Fakultet për një kurs pasuniversitar në vitin 2013 mbi ‘Vlerësimin e pasurive të paluajtshme’.

Duke pikasur një stanjacion të ndërtimtarësë në vend, dhe për më shumë duke e konsideruar veten si zhvillues (developer) më shumë se sa ndërtues, Deromemaj e kreu kursin pasuniversitar në real estate për të qenë në korent me know how-n e kohës, por edhe prej ambicies personale.

Një shtysë e tillë e bëri që të hidhte sytë edhe nga Jurisprudenca. Ai ndoqi studimet pranë universitetit ‘Kristal’ ku u diploma për Drejtësi. Nevoja për njohjen në detaje të legjislacionit dhe procesit të funksionimit apo interpretimit të ligjeve, i lindi gjatë përvojave të shumta, disa herë edhe të pakëndëshme, si me institucionet shtetërore, ashtu dhe me firmat private.

Pas diplomimit në Inxhinieri, Deromemaj njohu disa përvoja si inxhinier zbatimi dhe projektimi, për të ardhur te hapja e biznesit të vet privat firmës NDERTUESI.

Ing. Genc Deomemj ka përmbushur me sukses disa projekte në ndërtimtari, rikonstruksione, kanalizme apo ujësjellësa, si në Vlorë ashtu dhe në rrethe të tjera.

Ai është njohës dhe folës i mirë i gjuhës angleze dhe gjuhës italiane.

U lind në Vlorë në vitin 1984.

Është i martuar me Anilën, punonjëse sociale, një histori dashurie e kohës së gjimnazit. Ata kanë një djalë 5 vjeçar, Jonin, dhe presin një të dytë një javë pas zgjedhjeve të 21 qershorit.