Interview3 Jun 2015

Adriatik Zotkaj: Projekti i punësimit, mbjellja e kodrave me shegë dhe dafina 

Kandidati i së majtës për bashkinë Poliçan thotë se problemi më i madh është papunësia, ndërsa jep disa alternativa për nxitjen e punësimit dhe gjallërimin ekonomik të zonës.   

Author: Erjola Azizolli BIRN Poliçan
Print

Adriatik Zotkaj

Adriatik Zotkaj

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Poliçanit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Një nga problemet më të mëdha në Bashkinë Poliçan, ashtu si dhe në pjesën më të madhe të vendit është punësimi. Projekti më i madh i punësimit është ai i pyllëzimit të kodrave rreth qytetit me dafinë dhe shegë, i cili do të sigurojë një treg për eksportin e tyre dhe do krijojë mundësinë për hapjen e rreth 500 vendeve të reja të punës. Lidhur me veprimtarinë kryesore, bujqësinë, do të bëhet i mundur krijimi i qendrave për grumbullimin, ruajtjen dhe standardizimin e produkteve bujqësore. Gjithashtu do të vihen në dispozicion disa nga ambientet e Kombinatit Mekanik për krijimin e fasoneve të ndryshëm.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Poliçanit?

-Rikonstruksioni i rrugëve që lidhin komunat me qendrën e re administrative.

-Rikonstruksioni i bulevardit qendror të qytetit.

-Rikonstruksioni i Unazës së Plirzës.

-Rikonstruksioni i shkollës fillore “Refat Keli” dhe asaj të mesme “Muhamet Kondi”.

-Krijimi i qendrave shëndetësore në çdo fshat dhe pajisja e tyre me të gjitha mjetet e nevojshme.

-Infrastruktura e Qendrës Shëndetësore Poliçan.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të Bashkisë Poliçan dhe cilat janë ato nëse do të ketë?

Emërimi në punë

  • Arsimi i lartë
  • Eksperienca
  • Të respektojë ligjin dhe formimin profesional dhe ti shërbejë interesit publik.
  • Të kryejë me profesionalizëm, paanësi, jo diskriminim dhe në përputhje me ligjin detyrat e tij.
  • Të mbajë përgjegjësi të plotë për ligjshmërinë e çdo veprimi ose mosveprimi të tij gjatë ushtrimit të detyrës.
  • Të veprojë në përputhje me urdhrat e marrë nga eprorët hierarkik.
  • Të shfrytëzojë kohën e punës me efiçence.

Shkarkimi nga puna

  • Paaftësi në punë
  • Korrupsioni
  • Moszbatimi i ligjit

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në proçesin e vendimmarrjes së bashkisë?

PARTNERITETI

Bashkëpunim dhe koordinim i veprimeve në mes organizatave të shoqërisë civile, grupeve të qytetarëve dhe institucioneve publike.

KONSULTIM/DISKUTIM

Takimet me grupet e interesit

Anketat me qytetarët

Komitetet këshillëdhënëse

Takimet publike

INFORMIM

Shpalljet publike në vendet më të frekuentuara brenda territorit të komunës

Mediat e shkruara dhe elektronike

Fushatat informative

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me nxitjen e turizmit malor dhe ekoturizmit të qëndrueshëm në këtë bashki gjatë këtij mandati?

Në katër vitet e ardhshme, turizmi do të jetë një ndër prioritetet themelore të Bashkisë së re. Mali i Tomorrit, i shpallur dhe si Park Kombëtar, përveçse bukurisë natyrore që mbart në çdo stinë të vitit, luan dhe një rol në promovimin e vlerave fetare, duke u kthyer kështu në një vend pelegrinazhi. Gjithashtu mali i Tomorrit për shkak të terrenit të tij të thepisur ka premisa të shndërrohet në një resort turistik.

Krijimi i një resorti historiko-turistik, duke pasur ne fokus aktivitetin e Kombinatit Mekanik Poliçan, për ta sjellë këtë dëshmi nëpërmjet artit dhe turizmit.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me  menaxhimin e mbetjeve urbane në të gjithë bashkinë?

  • Pajisjen e të gjitha zonave me kontenier për grumbullimin e mbetjeve rurale dhe grumbullimin e tyre me makina teknologjike.
  • Vend-depozitimi i mbetjeve, grumbullimi, riciklimi dhe kthimi i tyre në pleh për bujqësinë.
  • Fushatë sensibilizuese me banorët për ndarjen e mbetjeve që në origjinë.

Cilët hapa konkretë do të ndërmerrni gjatë këtij mandati për mbrojtjen dhe rigjenerimin e pyjeve dhe zonave të mbrojtura të bashkisë së re?

  • Ngritja e grupeve të punës për ruajtjen e pyjeve nga zjarri dhe nga prerjet e paligjshme.
  • Ngritja e infrastrukturës dhe caktimi i vendit të kullotave.
  • Përmirësimi në silvikulturë duke ndërhyrë në rrallime dhe pastrime në pyjet me rëndësi të veçantë.
  • Hartimi i projekteve për pyllëzimin e sipërfaqeve boshe.
  • Mbrojtja e Parkut Kombëtar të Malit të Tomorrit, ruajtja dhe kontrolli i pyjeve dhe bimësisë.
  • Pyllëzimi i kodrave rreth qytetit me dafinë dhe shegë e cila përveçse bukurisë natyrore do shërbejë dhe si frymëmarrje e qytetit.