Interview16 Jun 2015

Albert Çaçi: Shërbime publike për Fierin

Kandidati i Partisë Social Demokrate për bashkinë e re Fier kërkon më shumë kompetenca për pushtetin vendor në mënyrë që të mund të rrisë shërbimet për qytetarët.

Author: Ina Baçinozi BIRN Fier
Print

Albert Caci

Albert Caci

Përpara se t’i përgjigjem pyetjeve tuaja është shumë e rëndësishme të kuptojmë se duhet të zgjidhim një problem themelor që është ai i kompetencave të bashkisë së re, e cila do të jetë bashkia e tretë në rang republike me rreth 300 mijë banorë dhe praktikisht për shumë fusha bashkia aktuale dhe njësitë që i bashkohen aktualisht nuk kanë asnjë kompetencë dhe mund të jetë e pamenaxhueshme. Kështu në fushën e bujqësisë, në fushën e shëndetësise, në atë të arsimit, në fushën e rendit, fusha këto të cilat janë pothuajse ekskluzivitet i ministrive, mendoj se nuk i kanë përcaktuar akoma aksesin në këto sektorë. Mendoj se e kanë bërë me një qëllim të caktuar politik; duan të presin rezultatin e zgjedhjeve, pra nëse do u pëlqejë ai ose jo, dhe më tej do të vendosin nëse do t’i japin kompetenca ose jo.

Kështu që te flasësh që tani për prograne, kur nuk ke të qartë kopetencat që do të kesh është një problem shumë i vështirë dhe një pjesë e angazhimeve që mund të marrësh mund të rezultojnë të parealizuara për shkak të mungesës së kopetencave. Unë mendoj se qeveria jonë ashtu si të gjitha qeveritë europiane duhet të merren me problemet kryesore të vendit siç janë ndërtimi i porteve, aeroporteve, autostradave, mbrojtja, korridoret energjitike, hekurudhat, etj dhe gjithë administrimet e tjera duhet t’ia kalojë urgjentisht pushtetit vendor duke bërë një decentralizim të vërtetë dhe të plotë. Nisur nga sa thamë më sipër do të mundohem t’i jap një përgjigje pyetjeve por me pikëpytjen e madhe se a do kem fuqi për të zbatuar projektin elektoral që po i parashtroj zgjedhësve të Fierit.

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Fierit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i rëndësishëm i bashkisë së Fierit është punësimi. Rreth 50% e të rinjve në Fier janë të papunë. Kjo shoqërohet me një lloj mungesë shprese dhe një tentativë për eksod. Sot mua më duket një lloj atavizmi t’i ndash njerëzit në formën klasike, të majtë dhe të djathtë. Unë do të doja t’i karakterizoja në të punësuar dhe të papunësuar, prandaj unë dua që puna e kryetarit të ardhshëm të bashkisë të matet nga hapja e fronteve të reja të punës, të cilat më tej shoqerohen me rritjen e të ardhurave, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe për pasojë kthimin e dëshirës së njerëzve për ta gjetur të ardhmen këtu.

Për këtë, në ristrukturimin e bashkisë së re do të synojmë ngritjen e disa ndërmarrjeve të vogla por eficente, si psh një ndërmarrje e re për kanalizmet dhe kullimet, duke grumbulluar të gjithë parkun e mjeteve që kanë komunat, ngritjen e një ndërmarrjeje frutikulture me çmime konkuruese për fermerët, ngritjen e një ndërmarrje për përpunimin e plehrave, kjo e programuar për të gjithë komunat, etj të cilat mund të hapin deri në 1000 vende të reja pune. Synimi kryesor do të jetë zhvillimi i kapaciteteve të biznesit të vogël dhe sidomos atij të madh.

Territori i bashkisë së re, për shkak të kalimit të TAP-it, mund të shndërrohet në një mundësi shumë të madhe punësimi dhe zhvillimi për të gjithë jugun e Shqipërisë. Kështu që projektimi i një parku të madh energjitik natyrisht dhe në bashkëpunim me qeverinë në zonat e kripura të Semanit do të jetë një mundësi e papërseritshme për fierakët, prandaj për bashkinë ky rast duhet ta gjej të përgatitur për sfidat e reja që e presin. Zhvillimi i këtij parku do të japë mundësi për hapjen e rreth 4000 vendeve të reja të punës.

Gjithashtu zhvillimi i turizmit në zonën tonë bregdetare që është pothuajse e virgjër do të shndërrohet në një burim punësimi. Koha po vërteton se investimet direkte të qeverisë në hapjen e fronteve të reja të punës janë në zbritje progresive, prandaj thithja e investimeve të huaja duke filluar që nga fasonët tek ndërmarrjet e agrobiznesit, tek ndërmarrjet mbështëtese të naftës, do të jenë prioritete të kryetarit të ardhshëm të bashkisë.

Ndoshta Fieri për shkak të burimeve të naftës, të mundësisë së kalimit të TAP-it, të shrytëzimit të bregdetit të virgjër dhe për pasojë edhe të bujqësisë ka mundësitë më te mëdha se çdo bashki tjetër në republikë, që me staf kompetent dhe me luftë ndaj korrupsionit mund të bëjë një hap të madh në punësim dhe të ndryshojë drejtimin negativ të këtij fenomeni.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Fierit?

Ndërhyrja kryesore në infratrukturë do të jetë në akset Fier – Plazh Seman 20 km, i cili do të jetë edhe prioriteti kryesor; rruga Fier-Daullas-Greacalli-Mujalli 7 km; rruga Agim-Hasturkas; autostrada Fier-Lushnje-Verri-Kallm. Gjithashtu vëmendje e veçantë do i kushtohet edhe ristrukturimit të qendrave shëndetësore nëpër komuna, fillimi i ristrukturimit të varrezave të fshatrave dhe ndërtimi i një kinemaje të re për qytetin.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Fier dhe cilat janë ato?

Kriteret baze janë kërkesat e ligjit për shërbimin e nënpunësit civil, meritokracia, kompetenca, formimi perëndimor dhe devotshmëria, duke stimuluar me prioritet gjithashtu edhe të rinjtë.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Ideja ime bazë është konsultimi nëpërmjet referendumeve lokale të cilat pavarësisht se mund të mos kenë mbështetje juridike e ligjore, dmth nëpërmjet ligjit për referendumet, do të jenë forma konsultative ku për problemet kryesore që preokupojnë banorët e qytetit dhe komunave në momentet që do të shikohet e përshtatshme qytetarët mund të thirren në një process të rregullt e të hapur për të shprehur mendimin e tyre për problemet kardinale. Një formë efikase do të jetë edhe hapja e sondazheve nëpërmjet internetit, i cili tashmë po përhapet edhe në periferi dhe mund të përdoret për t’u konsultuar për vendimmarrje të rëndësishme. Gjithashtu edhe kontaktet e drejtpërdrejta të hapura me komunitetin me pjesëmarrjen direkte të kryetarit të bashkisë mund të jenë forma efektive në mënyrë që vendimmarrja të jetë sa më e diskutuar dhe me pjesmarrje të lartë të banorëve.

Cilët hapa konkretë do të ndërmerrni gjatë këtij mandati për pastrimin dhe rehabilitimin e zonave të ndotura naftëmbajtëse ose ish-industriale? Cilat vatra ndotjeje do të kenë më shumë prioritet?

Sot ndotja në bashkinë e re Fier është jashtë çdo lloj kontrolli. Gjithkush derdh ç’të mundë në Gjanicë, Seman dhe Vijën e Ngjalës pa patur frikë për dëmin katastrofik që i shkakton fierakëve, ndërkohë që çdokush që bën një ndërtim të vogël pa leje ose nuk paguan faturën e energjise përfundon në dënime të rënda. Kjo gjë duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Duhet të nis patjetër një erë e re me mbrojtjen e mjedisit në bashkinë e Fierit. Në rradhë të parë do të kërkojmë me forcë, madje kryetari i ardhshëm i bashkisë do t’i prijë vetë protesteva qytetare për të kërkuar të drejtat tona që për çdo dëm që shkaktohet nga këto kompani që fitojnë miliarda nga pasuria e fierakëve të paguhen pënalitetë shumë të rënda, ashtu siç ndodh në vendet e origjinës së këtyre kompanive ku nëse do të guxonin t’i bënin këtë që po i bëjnë fierakëve do të ishin rrënuar plotësisht nga shteti i tyre. Madje do të kërkojmë edhe heqjen e licensave dhe bllokimin e aktivitetit të tyre në territorin e bashkisë së re në rast se nuk do të zbatojnë ligjet që janë në fuqi.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin e mbetejeve urbane dhe ujërave të ndotur?

Një nga prioritetet e mija kryesore do të jetë mbyllja urgjente e fushës së përpunimit të plehrave dhe angazhimi maksimal për të gjetur zgjidhje definitive për qytetin e Fierit dhe gjithë territorit të bashkisë, qoftë me landfille apo incinerator (djegësa të mbetjeve) që do të varen nga gjetja e investitorëvë të huaj pasi në vetvete përpunimi i plehrave mbetet një nga bizneset më fitimprurëse në perëndim.

Cila do të jetë mbështetja e bashkisë së re gjatë katër-vjeçarit të ardhshëm për zhvillimin e qendrueshëm të sektorit të bujqësisë në këtë zonë, vëçanërisht në mirëmbajtje të sistemit kullues?

Siç e thashë edhe më sipër kjo do të varet nga kompetencat që do të marrë ose jo bashkia në fushën e bujqësisë, por ngritja e dy ndërmarrjeve që i përmenda më sipër do të shërbenin në këtë drejtim.

Cilat masa konkrete do të ndërmerrni për të parandaluar përsëritjen e përmbytjeve në këtë bashki? Çfarë masash do të ndërmerrni lidhur me infrastrukturën mbrojtëse nëpër komunat përgjatë lumit Vjosë dhe kontrollin e ndërtimeve pa leje përgjatë lumit Gjanicë?

Aktualisht këto janë kompetenca që i ka Ministria e Bujqësisë nëpërmjet bordit të kullimit dhe IKMT. Nëse bashkisë së re do t’i transferohen kompetenca, objektivi kryesor i bashkisë së re do të jetë që brenda 4-vjeçarit të ngrejë gjithë rrjetin e argjinaturave për të përballuar situatat emergjente të përmbytjeve dhe të mos lejojë ndërtimin e asnjë lloj objekti gjatë shtratit të lumenjve.

Si do të shfrytëzohen të ardhurat e bashkisë të përfituara nga renta minerare dhe taksa e tokës bujqësore?

Në radhë të parë do të kërkojmë që ajo pjesë prej 25% e rentës minerare që i takon bashkisë Fier t’i kthehet nga qeveria në mënyrë korrekte dhe jo si tani që bashkia e Fierit nuk e përfiton atë. Të ardhurat që do të krijohen nga këto dy burime do të përdoren për mbrojtjen e ambientit, për subvencionime të ndryshme në bujqësisë dhe për ndihmë të shtresave në nevojë.

Cila është strategjia juaj afatshkurtër lidhur me zhvillimin e transportit publik mes komunave përbërëse të kësaj bashkie? A do të ketë një taksë parkimi në qytet dhe si do të menaxhohet ajo? 

Ndërtimi i një rrjeti të transportit publik, si ai urban brenda qytetit por edhe ai midis fshtrave dhe qëndrave të komunave si dhe lidhja e qytetit të Fierit me gjithë njësitë që i bashkangjiten bashkisë së re, do të jetë një sfidë shumë e madhe për 4 vitet e ardhshme. Një sistem eficent, me një park të përmirësuar mjetesh dhe modern, me tarifa shërbimesh të pranueshme duke mos përjashtuar as subvencionet e bashkisë, do të jetë objektivi kryesor për 4 vitet e ardhshme. Përsa i përket parkingjeve, projekti im ështe ndëtimi i një të tilli nëntokësor në qendër të qytetit, ndërsa përsa i përket tarfivae do të jetë sipas zonave ashtu siç ndodh në çdo qytet tjetër të Shqipërisë; dhe Fieri nuk mund të bëjë përjashtim.

Ndërsa menaxhimi i këtij shërbimi do të varet shumë nga njohja me dokumentacionin aktual të bashkisë dhe pasojat financiare që mund të lindin nga kontratat që kanë lidhur drejtuesit aktualë të bashkisë. Në varësi të penaliteteve që do lindin nga prishja e këtyre kontratave, do të marrim një pozicion të qartë gjithmonë në të mirën e qytetarëve fierakë.