Interview10 Jun 2015

Dhionisios Beleri: Vizioni im për Himarën

Kandidati i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut për bashkinë e re Himarë konsideron si urgjente rindërtimin e shkollës së mesme si dhe premton transport publik falas mes fshatrave.

Author: Jerola Ziaj BIRN Himarë
Print

Dionisios – Fredis Beleris | Foto nga : Facebook

Dionisios – Fredis Beleris | Foto nga : Facebook

Cili mendoni se është problemi më i madh i bashkisë së Himarës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh në bashkinë e Himarës është problemi  i pronës. Ashtu si në gjithë Shqipërinë edhe në bashkinë tonë, çështja e pronave jo vetëm që nuk u zgjidh për 24 vjet rresht, por duke u zvarritur u komplikua, duke e bërë më të vështirë zgjidhjen.  Siç dihet toka e Himarës i takon komunitetit, kishës dhe privatëve. Mbi këtë bazë do të operojmë duke përdorur të gjitha mundësitë që na jep ligji në mënyrë që tokat të kthehen tek pronari i tyre i vërtetë dhe më kritere aksiokratike.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Himarës?

Një nga objektet që kanë  më shumë nevojë për ndërhyrje restauruese është ai i shkollës së mesme. Është e pafalshme që nuk është ndërhyrë deri tani dhe në ambientet e mësimdhënës, të ketë lagështirë, mungesa e xhamave e bën dhe nga pikëpamja estetike këtë objekt, të mos kujtojë shkollën por një stallë të braktisur.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Himarë dhe cilat janë ato?

Kriteret do të jenë aftësitë profesionale dhe devotshmëria e gjithsecilit në punën  e tij për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të rritur eficencën e bashkisë.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Këshilli Bashkiak, si organi kompetent, do të jetë i hapur edhe për pjesëmarrjen e qytetarëve të thjeshtë. Gjithashtu grupe pune do të zhvillojnë takime me grupe të shoqërisë civile  si dhe më shoqatat e biznesit për të ndërtuar një marrëdhënie interaktive që të na udhëzojë drejt zgjidhjeve më të mira.

Cila është strategjia juaj lidhur më moslejimin e ndërtimeve abuzive, pa leje ose jashtë standardeve gjatë këtij mandati?

Strategjia jonë është zbatimi më përpikëri i ligjit dhe i kondicioneve urbanistike. Vendosja në drejtimin e policisë bashkiake e njerëzve kompetent dhe kontrolli i vazhdueshëm për eliminimin e ndërtimeve të paligjshme.     

Cilët do të jenë hapat konkretë që do të ndiqni gjatë këtij mandati në mbështetje dhe nxitje të zhvillimit të një turizmi të qëndrueshëm bregdetar dhe malor? Si do të nxisni këtë të fundit në mënyrë që të zgjatet sezoni turistik në këtë bashki?

Duke qenë se turizmi është industria e rendë e bashkisë sonë, do të krijojmë një shoqëri të një objektivi të veçantë ku do të kemi kooperimin e bashkisë më iniciativën private. Përmirësimi i infrastrukturës ekzistuese dhe ndërtimi i një infrastrukture  të re për ankorimin e mjeteve lundruese turistike do të ndikojë në zgjatjen e periudhës turistike detare. Një tjetër element që do të ndikojë në zgjatjen e periudhës turistike është restaurimi dhe promovimi i monumenteve shumë të çmueshme kulturore që disponon bashkia jonë. Gjithashtu do të shfrytëzojmë dhe zonat malore të bashkisë sonë për të promovuar dhe turizmin malor.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë këtij mandati lidhur me sigurimin e një rrjeti të gjerë dhe funksional të transportit publik në këtë bashki, në funksion të banorëve por dhe turistëve?

Duke qenë se ka një problem të dukshëm në nevojat për lëvizje nga një fshat në tjetrin, do të krijojmë një rrjet transporti urban që do t’u shërbejë qytetarëve të bashkisë sonë dhe ky shërbim do të jetë falas.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur më menaxhimin e mbetjeve urbane dhe përdorimin funksional të landfillit?

Në projektet tona është ndërtimi i një impianti për pastrimin biologjik të mbetjeve urbane në mënyrë që të mbrohet mjedisi dhe të mos ndotet  deti nga derdhja e një pjese të mbetjeve në det.

Cila do jetë strategjia juaj lidhur më dhënien në shfrytëzim të bregdetit ose biznëseve pranë tyre?

Në kushte normale, ne jemi të opinionit që plazhet të jene te lira për aksës falas nga qytetaret. Ne  kushtet e krizës ekonomike,  ne mendojmë te japim për shfrytëzim një përqindje optimale te vijës bregdetare por duke i dhënë përparësi bizneseve vendas, dmth atyre që gjatë gjithë vitit paguajnë taksa në bashkinë tonë, dhe jo siç është bërë deri tani që janë dhenë në shfrytëzim biznesmenëve që nuk kanë aktivitet ne bashkinë tonë dhe më kritere jo transparente.

Cilët hapa konkretë do të ndiqni gjatë këtij mandati për mbështetjen e blegtorisë dhe bujqësisë në këtë bashki?

Në fushën e bujqësisë do të subvencionojmë blerjen e makinerive dhe mjeteve bujqësore në mënyre që bujqit e zonës të jenë sa më konkurrent në tregjet brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu me ndihmën e specialistëve nga universitete të dalluara në fushën e studimeve dhe kërkimeve bujqësore, do të zhvillojmë bujqësinë në ato kultura që janë më të përshtatshmet dhe më rentabël për klimën dhe kushtet e relievit të bashkisë sonë. Edhe në  fushën e blegtorisë me ndihmën e specialisteve të fushës do të zhvillojmë llojet e vendit dhe do te përmirësojmë gjenetikisht llojet që përshtaten në relievin dhe bimësinë e zonës sonë.