Interview3 Jun 2015

Elez Maçi: Do të ndërtoj rrugët e Fajzës dhe Gjinajt

Kandidati i Partisë Demokratike për postin e kryetarit të Bashkisë Has thotë se do të kujdeset për rrugët dhe do të rindërtojë tre shkolla.

Author: Bashkim Shala BIRN Krumë
Print

Elez Maçi

Elez Maçi

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Hasit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Unë mendoj që bashkia e Hasit ka disa probleme të cilat janë të lidhura me njëra-tjetrën. Problemi më themelor është punësimi i njerëzve, zhvillimi i bujqësisë, blegtorisë, mirëmbajtja e infrastrukturës, në mënyrë të veçantë asaj rrugore që lidh qendrat e fshatrave që përbëjnë bashkinë e Hasit me rrugën nacionale.

Zhvillimi i industrisë, kryesisht asaj minerare dhe shumë probleme tjera. Unë gjykoj se këto probleme në pajtim me aktet ligjore dhe nënligjore të ligjit të ri për organizimin dhe funksionimin e Pushtetit Vendor së bashkë me Këshillin e ri të bashkisë së Hasit do i trajtojmë me prioritet. Së pari, problematika e punësimit më e ndjeshme është në qytet. Unë së bashku me administratën time do nxisim çdo biznes që operon në qytetin e Krumës dhe jashtë tij në mënyrë që të ketë një mbështetje të fuqishme për të krijuar mundësi punësimi dhe vetëpunësimi. Formë tjetër e përmirësim dhe rritjes së punësimit do jetë mbështetja që ne do i japim sektorit të shërbimeve në tërësi dhe të artizanatit në veçanti. Lidhur me problematiken e zhvillimit të bujqësisë e blegtorisë që ka një impakt në vetëpunësimin e fermerëve do i mbështesim fort këto sektorë.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Hasit?

Ndërhyrjet do jenë disa, por më emergjente do jetë infrastruktura rrugore dhe në mënyrë të veçantë rruga që lidh fshatin Zahrisht me rrugën kryesore, rrugën që lidh fshatin Metaliaj me rrugën kryesore, përfundimi i rrugës që lidh fshatin Vlahen me rrugën kryesore, lidhja me rrugë e qendrës së komunës Fajza dhe lidhja me rrugë të parametrave normalë e qendrës së komunës Gjinaj.

Por theksoj që të gjitha rrugët që lidhin fshatrat me rrugët kryesore aktuale që është aksi Kukës-Krumë-Qafë-Prushi-Plepa-Kam (Tropojë) do jetë prioritet i një mirëmbajtje të vazhdueshme në mënyrë që të gjithë banoret e zonës të lëvizin lirshëm për të shkuar në shtëpitë e tyre. Lidhur me objektet shkollore për fat të mirë në territorin e bashkisë Has është punuar mirë gjatë qeverisjes së mëparshme. Pothuajse të gjitha objektet shkollore janë në funksion dhe në gjendje shumë të mirë. Kemi vetëm tre objekte shkollore që do të bëjmë ndërhyrje të menjëhershëm siç është shkolla 9-vjeçare e fshatit Vlahen, Letaj e Kostur.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të   njësive administrative të bashkisë Has dhe cilat janë ato?

Administrata e re e bashkisë Has do jetë një administratë profesionale dhe me specialistë. Kriteri i vetëm do të jetë ligji dhe performanca e tyre në punë. Natyrshëm që për të gjithë punonjësit e nivelit drejtues apo zbatues do zbatohet Ligji për “Shërbimin Civil”. Ndërsa për punonjësit e tjerë të sektorëve mbështetës do të zbatohet Kodi i Punës.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj. ?

Pjesëmarrja e komunitetit në vendimmarrje është shumë e rëndësishme. Kjo do jetë një prioritet i punës time pasi ka një impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik e social të familjeve që operojnë në territorin e bashkisë Has. Projekt buxheti dhe miratimi i buxhetit është akti administrativ më i rëndësishëm që sjell impakte pozitive për banoret e bashkisë Hasit. Projekt-buxheti do konsultohet me banoret, me grupet e interesit, biznesin. Krahas kësaj do bëhen edhe anketime për të parë se cili do të jetë drejtimi kryesor i zhvillimit të ardhshëm të bashkisë së Hasit. Lidhur më ndërhyrjet në infrastrukturë, apo në sektorë të tjerë, për të gjitha rastet do merret mendimi i grupeve të interesit, i banorëve të bashkisë Krumë, drejtuesve të fshatrave, administratoreve të qytetit dhe ish komunave në mënyrë që zhvillimet të jenë sa më korrekte dhe sa më frytdhënëse.

Si do të përdoren të ardhurat nga renta minerare nga bashkia?

Së pari dua të them se aktiviteti minerar, i projektimit, zbulimit, kërkim-zbulimit, shfrytëzimit dhe i përpunimit do të ketë një mbështetje të veçantë nga administrata që unë pretendoj të drejtoi pas 21 qershorit. Aktualisht në territorin e bashkisë Hasit operojnë disa kompani e firma ne kërkim-zbulimin, shfrytëzimin dhe përpunimin e mineraleve të nëntokës si bakri, kromi, hekur-nikeli etj. Ne do e mbështesim fuqishëm këtë aktivitet për shkak se sjell impakt pozitiv në punësimin e njerëzve dhe të ardhura për bashkinë e ardhshme. Renta minerare do përdoret për te rehabilituar ato zona apo territore që dëmtohen nga shfrytëzimi i mineraleve. Pra investimi do jetë në ato komunitete ku operojnë këto kompani apo firma.

Çfarë politikash do të ndiqen për të zhvilluar pemëtarinë në zonën e Krumës?

Hasi është një vend bujqësoroblegtoral, apo e kundërta. Siç e thashë edhe më lart prioritet i administratës time në sektorin rural do të jetë bujqësia dhe blegtoria. Por edhe pemëtaria do të zërë një vend të veçantë, veçanërisht kumbulla, molla dhe arroret. Mendojmë që për pemëtari të shfrytëzohen tokat në lartësitë 400-500 metra mbi nivelin e detit në mënyrë që të shfrytëzohen edhe këto toka që nuk janë shumë produktive, por të përshtatshme për mbjelljen e pemëve.

Çfarë do të bëjë bashkia për mbrojtjen dhe rigjenerimin e pyjeve në bashkinë Has?

Ne zbatim te ligjit “për pyjet”, aktualisht pyjet janë shtetërore dhe komunale, pra në vazhdim pyjet do jenë bashkiake dhe shtetërore. Së pari ne do të bëjmë dixhitalizimin e plotë të sipërfaqeve pyjore që janë në përdorim të bashkisë Hasit të cilët janë të formalizuar me VKM. Ne do ngremë një zyrë të posaçme të ruajtjes dhe mirëmbajtjes, mbarështimit dhe administrimit pyjeve ku drejtimi i kësaj zyre do jetë interesi dhe kujdesi për ruajtjen,mbarështimin dhe rigjenerimin dhe mirëmbajtjen e pyjeve. Ndërsa një pjesë e mirë e rentës minerare do përdoret për rigjenerimin dhe zëvendësimin e pyjeve të dëmtuar

Cilat janë politikat ekonomike dhe ato bujqësore që ju do të ndërmerrni për të nxitur shfrytëzimin e tokave bujqësore që janë lënë djerrë?

Unë gjykoj se si prioritet ne këtë fushë duhet të jetë krijimi i një regjistri kadastral i tokës bujqësore i cili për fat te keq nuk ekziston. Krijimi i regjistrit nëpërmjet matjes, verifikimit dhe regjistrimin në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pasi te kalohet kjo procedurë, absolutisht prioritet do të jetë rritja e efikasitetit në përdorimin e çdo sipërfaqe toke në çdo cep të bashkisë së Hasit. Për tokat djerrë unë personalisht kam dy opsione. Siç e thashë edhe më lart, një pjesë e saj do shfrytëzohet për pemëtari, ndërsa pjesa tjetër do përdoret për mbjelljen e bimëve foragjere që do i shërbejnë ushqimit për blegtorinë.

Rrethi i Hasit njihet edhe për racën autoktone që është “Dhia e Hasit”. Çfarë do të behet për shtimin e numrit të krerëve me dhi në këtë zonë me traditë për mbarështimin e të dhirtave?

Dhia e Hasit është unike në llojin e vet. Kjo racë ka kapacitete të mëdha prodhuese dhe është shumë dobiprurëse për të gjithë blegtorët që e mbarështojnë atë. Unë personalisht do jap gjithë mbështetjen e nevojshme blegtorëve që mbarështojnë dhitë në mënyrë që numri i krerëve të dhirta të rritet në përmasa të konsiderueshme. Kjo do jetë ndihma ime e drejtpërdrejtë. Për të nxitur blegtorët që të mbarështojnë Dhinë e Hasit pranë bashkisë do krijojmë një zyrë të këshillimit dhe në mënyrë të veçantë një zyrë të shërbimit veterinar. Ndërkohë që do përmirësojmë infrastrukturën rrugore dhe do nxisim marketingun. Infrastruktura rrugore është shumë e rëndësishme sepse krijon lehtësi në grumbullimin e qumështit të dhisë në linjën e përpunimit që ndodhet në fshatin Cahan. Por edhe marketingu është shumë i rëndësishëm pasi ky prodhim blegtoral me vlera shumë të larta bio po nuk pati marketing nuk mund të konkurrojë si duhet në treg. Në do të bëjmë edhe promocion për të bërë të njohur edhe jashtë Shqipërisë, dhinë e Hasit dhe produktet dhe nënproduktet e saj.