Interview9 Jun 2015

Genc Deromemaj: Do të punoj për turizmin gjithëvjetor në Vlorë

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë Vlorë premton administratë jopartiake, linjë transporti turistike me Sazanin, Karaburunin dhe Orikumin si dhe punësimin e intelektualëve për të shmangur largimin e mëtejshëm të njerëzve të kulturuar nga ky qytet.

Author: Jerola Ziaj BIRN Vlorë
Print

Genc Deromemaj

Genc Deromemaj

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Vlorë dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Unë do të veçoja si problemin më të madh moskomunikimin e adminsitratës së bashkisë me qytetarët dhe biznesin. Demokracia do të thotë përfshirje; dhe pa këtë përfshirje edhe zgjedhjet në prag të të cilave jemi do të ishin të kota. A ka pasur pjesëmarrje të qytetarëve apo biznesit në vendimmarrje të rëndësishme që kanë pasur të bëjnë me qytetin dhe banorët, me interesat e zonës, me të ardhmen në afat të mesëm apo të gjatë? Jo, nuk ka pasur. Kjo do të thotë se zinxhiri i komunikimit është këputur dhe kjo është reflektuar në kulturën refraktare të vendimmarrjes, në pakënaqësitë e komunitetit dhe në ecjen kuturu të politikave të zhvillimit, të cilat mund të quhen  fare mirë të moszhvillimit.

Meqë jemi te politikat e zhvillimit, mund të përmend si problem të dytë të madh të Bashkisë mungesën e një strategjie për zhvillimin e qytetit. Në të gjitha planet: insfrastrukturore, urbanistike, kulturore, turistike, e të tjera. Kjo reflektohet sidomos në turizëm që është Industria e Vlorës.

Nuk mund të anashkaloj këtu as humbjen e fuqisë intelektuale të qytetit. Pse ka ardhur kjo? Nuk ka pasur stimulim të kapaciteteve intelektuale. Atyre nuk u janë krijuar kushtet që t’i zhvillojnë profesionet apo talentet e tyre në Vlorë dhe për këtë i janë drejtuar Tiranës apo kanë ikur jashtë Shqipërisë.

Është e lidhur kjo pikë e tretë apo mangësi, me dy të parat. Në një mënyrë shumë organike, nëse vendimet për fatin e një qyteti nuk merren me konsulencën e më të shkolluarve, e më të talentuarve, e më të diturve, do të thotë se merren vendime të cekëta, të merren vendime jostrategjike, të papeshuara mirë.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Vlorës?

Ndërhyrja e parë është një plan emergjence, ose më saktë një përcaktim prioritetesh për 100 ditëshin e parë të qeverisjes. Nëse problemet akute shtyhen për më vonë ato kthehen në gangrenë. Duhet filluar prej tyre duke i vënë në rrugën e zgjidhjes, ose duke i zgjidhur menjëherë, dhe vetëm atëherë të kalohet në vënien në punë të strategjive. Sigurisht, kjo bëhet pas një analize të detajuar të ndërhyrjeve më emergjente sipas zonave. Vlora e re ka një gjeografi të zgjeruar pas ndarjes administrative, kështu që edhe lupa ekzaminuese duhet të jetë më e kujdesshme.

Do të na shërbejnë si lëndë e mirë për të shtruar rrugën e administrimit të bashkisë edhe gjithë ato që kemi parë e dëgjuar gjatë fushatës elektorale. Në bazë të shqetësimeve të ngritura nga banorët do të bëhet edhe një buxhetim efikas për vitin 2016.

Gjithashtu viti i parë do të jetë edhe një shtrëngim bulonash, që do të thotë kontroll rigoroz i  bashkisë ndaj institucioneve të varësisë dhe kontraktorëve. Nuk mund të lejohen abuzime, nuk mund të pranohen shpenzime të kota. Çdo gjë e tepruar duhet ridrejtuar drejt zërave në buxhet që zgjidhin problematika të banorëve të Vlorës.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Vlorë dhe cilat janë ato?

Mbështetja në ligjin për pushtetin vendor do të jetë ABC-ja e marrëdhënies time apo kontraktualitetit tim me administratorët e njësive administrative të Bashkisë Vlorë. Unë dua ta konsideroj bashkinë dhe satelitët e saj jo si një fortesë të politikës apo të një krahu të cakuar, por si qeveri demokratike të njerëzve të zonës. Në këtë kuptim integriteti, profesionalizmi, pasioni për punët e mira për qytetin, do të jenë pasaporta që unë kërkoj nga vartësit dhe jo karta e anëtarësimit në parti, cilado qoftë ajo, blu apo rozë. Politizimi i tepruar i ka dëmtuar administratat vendore dhe shembujt janë të shumtë. Vlonjatët vetë e dinë se si dhe sa.

Nëse ju do të zgjidheshit kryebashkiak, cilat janë planet tuaja lidhur me planin urbanistik të qytetit të Vlorës? Në cilin drejtim do të shtrihet dhe zgjerohet zona e banuar e qytetit dhe shërbimet turistike?

Dua të vë në dukje një fakt ndoshta të lënë në heshtje me qëllim dhe ndoshta të paditur. Një pjesë e mirë e zonave që përbëjnë Vlorën e re të pasndarjes administrative e kanë ndërkohë një plan rregullues. Duhet filluar nga shfrytëzimi i punëve të bëra, në mënyrë që të mos e hapim thesin e parave të publikut për të sponsorizuar plane të reja, seminare të reja dhe debate të tjera për plane e punë që ndërkohë janë bërë dhe paguar njëherë. Pra, do të bëjmë gërshetimin e këtyre planeve në një, duke dalë me një masterplan për Vlorën. Kjo do të na hante më pak kohë dhe më pak shpenzime. Duke qenë se kemi humbur shumë kohë e shpenzuar po aq para, duhet të jemi kursimtarë me të dyja.

Vizioni im për Vlorën parashikon një zgjerim të zonës urbane në drejtim të veriut të qytetit. Sa u takon shërbimeve turistike unë kam ndërmend një rikonceptim të infrastrukturës turistike. Përpjekjet e mia do të investohen për një turizëm gjithëvjetor dhe Vlora i ka kushtet për këtë. Një zonë që shtrihet nga grykëderdhja e Vjosës për të përfunduar në Llogara, duke patur ndërmjet lagunë, gadishull, ishull, qytete antike, vijë bregdetare ranore dhe shkëmbore, gërshetuar me trashëgimi kulturore, nuk mund t’i dorëzohet fatit të tre muajve sezon plazhi. Për të arritur te turizmi gjithëvjetor, le ta pranojmë, duhet punuar me infrastukturën, mjedisin, dhe sigurisht konceptin dhe mentalitetin e të bërit turizëm.

Cilët hapa konkrete do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin e mbetjeve urbane dhe sistemimin e ujërave të zeza?

Lidhur me problemin e menaxhimit të mbetjeve urbane, duhet filluar me ndërgjegjësimin e komunitetit dhe individit në veçanti. Këtu e kam fjalën për ndarjen e mbetjeve familjare gjatë hedhjes dhe grumbullimit në kontenierët publikë, si dhe për rëndësinë në tërësi të trajtimit të mbetjeve. Këto kosha dhe kontenierë do të shtohen duke patur në konsideratë numrin e banorëve dhe tipologjinë e ndërtimit për çdo zonë të qytetit. Këtu veç të ardhurave nga bashkia do të punohet për përthithjen e investimeve të huaja dhe donacioneve në një pikë kaq kyçe. Gjithashtu do kemi parasysh një plan të qartë dhe orare të përcaktuara për mbledhjen e mbeturinave nga kontenierët publikë dhe dërgimin në vendin e grumbullimit.

Me grumbullimin final të mbetjeve do të ndërtohet një landfill sipas standardeve europiane, gjë e cila i ka munguar për kaq kohë menaxhimit të mirë të mbetjeve urbane. Me ndërtimin e landfillit do merret në konsideratë ndërtimi i një impianti riciklimi si një nga mënyrat më efiçente dhe ekologjike të trajtimit të mbetjeve.

Për këtë është i rëndësishëm dhe nuk duhet harruar koordinimi dhe mbështetja te shoqatat mjedisore në rang lokal apo kombëtar.

Çfarë hapash do të ndërmerrni lidhur me sigurimin e një rrjeti më të gjerë dhe funksional të transportit publik dhe menaxhimin e trafikut sidomos gjatë sezonit turistik?

Transporti urban në Vlorë nuk përbën problem për infrastrukturën e qytetit. Rëndesa në trafik, që shpesh bën miqtë dhe vlonjatët që gjatë sezonit të presin me orë, vjen nga mungesa e infrastrukturës hyrëse dhe dalëse nga qyteti. Shtoji kësaj keqmenaxhimin dhe pamja e përftuar bëhet kaotike.

Strategjia e ndërhyrjes duhet të jetë te studiuar para se të merren masat dhe jo të premtohen investime multimilionëshe për të zgjidhur çështjen. Zbatimi i ligjit dhe sinjalistika janë të nevojshme në qytet, nuk janë luks. Nuk mund të pretendojmë që edukimi do vijë nëse ne nuk shkruajmë rregulla, pra sinjalistika rrugore si detyrë direkte e bashkisë. Inxhinierimi i trafikut në Vlorë është pjesë e programit tonë për zgjidhjen. Deri tani ky proces nuk është studiuar dhe konsideruar me seriozitet.

Vlorës i mungon një stacion autobusësh, furgonësh, mungon radiotaxia, mungon lehtësia për të kontaktuar transportin publik, mungon infomacioni se si mund të shkohet në pika të caktuara të qytetit duke përdorur transportin publik, mungon sinjalistika dhe shumë elementë bazë të cilat mund të realizohen jo me buxhete marramendëse, por thjesht me modele organizimi të përshtatshme. Çfarë duhet që në faqen e bashkisë të jetë harta e transportit, apo që autobusëve t’i shkruhet linja sipër, apo oraret në stacione. Aktualisht, me përdorimin e teknologjisë, shoqërite e transportit mund të kotrollohen 24/7 mbi performancën. Edhe kontrolli teknik i pjesshëm i mjeteve mund të merret në kohë reale. Vërtet çmimi i biletës së urbanit nuk është i lartë në Shqipëri, por kjo nuk do të thotë që siguria e pasagjerëve mund të negociohet.

Gjithashtu, me një Vlorë të dyfishuar në territor dhe popullsi është emergjente një ripërcaktim edhe i linjave qytetëse e ndërqytesëse. Dy linjat aktuale, njëra publike e tjetra private, nuk i mbulojnë dot nevojat e Vlorës së re. Unë do të punoj fort që në 100 ditëshin e parë ta zgjidhim këtë ngërç. Duhen autobusë më cilësorë dhe një shtim i numrit të tyre, por edhe rritje e numrit të linjave për të mbuluar më shumë territor. Sa i takon shfryrjes së trafikut, tashmë ka filluar bypass-i i qytetit të Vlorës që fillon në fundin e autostradës dhe mbaron në Dukat Fushë. Kjo do të shërbente si aks paralel lëvizjeje si për mjetet e transportit të rëndë edhe për ato mjete të tjera që nuk kanë Vlorën si destinacion.

Kjo do të zgjidhte rëndimin e trafikut edhe gjatë stinës së verës. Politikat e mia si administrator do të përqendrohen te mikro dhe makromenaxhimi njëkohësisht. Sistemimi fillon nga gjërat e vogla. Vlonjatët, ashtu si dhe unë, besoj se janë të lodhur nga bombardimet me mesazhe të ‘industrisë së rëndë’.

Një risi e imja do të jetë transporti detar. Një rrjet anijesh të vogla dhe varkash do të lundrojnë në intinerarin Nartë, Vlorë, Radhimë, Orikum, Karaburun, Sazan duke ofruar për turistët dhe vlonjatët ture ditore në këto mrekulli që Zoti i ka falur zonës sonë.

Si do të zgjidhni problemin e koncensionit lidhur me vendparkimet në qytetin e Vlorës?

Koncepti i koncesionit është shumë i mirë, por është një logjikë biznesi ku bashkia është një arbitër dhe mbrojtës i interesit publik. Ne duam që të zgjidhim çështjen e parkimeve në qytet sepse është ankesë qytetare, por njëkohësisht nuk duam t’i detyrojmë qytetarët të lëshojnë pjesë nga hapësirat e tyre për të rritur monopole. Ne duam të luajmë një rol rregullator, jo të favorizojmë operatorët ekonomikë.

Cila është strategjia juaj lidhur me moslejimin e ndërtimeve abuzive dhe pa leje në bashkinë e re?

Ndërtimi pa leje ka disa aspekte që unë mendoj se janë shumë lehtë të menaxhueshme:

– Të krijosh hapësira ku mund të ndërtohet dhe t’u japësh leje qytetarëve të ndërtojnë sipas ligjit dhe kritereve teknike;

– Të lehtësosh procesin e dhënies së lejeve dhe të automatizosh dhe standardizosh dhënien e tyre. Nëse një qytetar do arrinte të merrte një leje rikonstruksioni në bashki për një javë atëherë do ishte shumë më e kontrollueshme nga bashkia çështja e ndërtimeve pa leje; dhe

– Bashkia i ka mekanizmat për të përdorur policinë dhe INUV në funksion të plotësimit të  kërkesave dhe standardeve teknike duke qenë shumë bashkëpunues me qytetarin. Ngërçi më i madh i ndërtimeve pa leje ndodh nga mospasja e planeve urbanistike dhe nga arbitrariteti i dhënies së lejeve të ndërtimit.

Në lidhje me ndërtimet abuzive, është shumë e thjeshtë: nuk do të firmos për to. Koncepti im është ai i një qyteti modern që e sheh infrastrukturën si zhvillim dhe jo si ndërtim. Do të pranohen vetëm ato projekte që sillen nga zhvillues dhe jo nga ndërtues. Dmth jo nga një kompani që sheh sa për të ndërtuar një pallat apo dy, për të mbledhur lekët dhe pë të lënë pas grinë e pluhurit dhe sytë e shqyer të gropave. Një zhvillues vjen me një koncept për zonën ku ka ndërmend të ndërtojë, si do të lidhet ndërtimi i tij me pjesën tjetër, ç’hapësira të gjelbra parashikon, a do të shtrojë rrugën që lidhet me objektin e tij apo kamionët do të dëmtojnë edhe atë rrugë që ekziston ndërkohë, etj.

Vlora do të ‘rithemelohet’sipas një plani urbanistik. Koncepti primar i këtij planifikimi do jetë ndarja e territorit në zona me specifika të ndryshme, ku do të bazohet edhe intensiteti i ndërtimit apo kritere të tjera.