Interview10 Jun 2015

Jorgo Goro: Synoj zgjatjen e sezonit turistik

Kryetari aktual i bashkisë Himarë dhe kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e re premton vijimin e punëve të mandatit aktual, kësaj here në territorin e një bashkie më të madhe.

Author: Jerola Ziaj BIRN Himarë
Print

Jorgo Goro

Jorgo Goro

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Himarës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh ashtu siç edhe e kam përmendur shpesh është “zgjatja me sa më shumë muaj të sezonit turistik”. Himara ka një potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi të turizmit e cila do të sjellë padyshim më shumë burime ekonomike të qëndrueshme për të gjithë banorët e bashkisë Himarë. Tjetër element është “prona”, e cila kohët e fundit po njeh ndryshime rrënjësore në ri-konceptimin dhe ri-dimensionimin e vlerës së saj. Grupe pune janë ngritur fillimisht në Dhërmi, ku banorët janë njohur me vendimet e reja të Qeverisë Shqiptare për të kryer një proces regjistrimi transparent dhe mjaft të dobishëm. Dhe problemi i fundit janë rrugët lidhëse mes qendrave të banuara në bashkinë Himarë, rrugët që të çojnë drejt bregdetit dhe që lidhin lagjet me njëra-tjetrën.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Himarës?

Bashkia e Himarës nuk është më ajo që unë drejtova në këto 4 vite të mandatit tim si Kryetar, pasi ajo tashmë është më e madhe si territor kjo nga procesi i ndarjes së re territoriale. Pra tashmë nuk kemi të bëjmë vetëm me një Himarë siç edhe ishte më parë, por me një Himarë që normalisht ka ndryshuar dhe ka mjaft specifika të veçanta sidomos në infrastrukturë. Vija e gjatë bregdetare duke filluar nga Llogaraja dhe duke përfunduar në kufi me qytetin e Sarandës, ka nevojë për ndërhyrje të vogla kryesisht në mirëmbajtje apo edhe në sinjalistikë. Një tjetër veçori është investimi në rrugët e reja të fshatrave të Lumit të Vlorës. Unë kam shkuar shpesh javët e fundit në këto fshatra, dhe kam parë që duhet një investim i shpejtë, sidomos në infrastrukturën rrugore. Rrugët lidhëse të këtyre fshatrave kanë nevojë për një ndërhyrje urgjente. Një projekt ka nisur i cili do të lidh Kucin me Himarën dhe një tjetër projekt do të jetë ai i rrugës së Lumit të Vlorës, ku pjesë e kësaj rruge është edhe Kuç-Tërbaç-Hore Vranisht.

Për sa i përket shkollave, unë kam vizituar të gjitha shkollat që ka bashkia Himarë e “reja” dhe e “vjetra”. Stafi im ka marrë shënimet përkatëse dhe do të ngrihet një grup pune për të sjellë në normalitet mësimin në këto shkolla brenda fillimit të sezonit të ri shkollor 2015-2016. Ka vend për më shumë investime dhe më shumë kujdes për edukimin e brezit të ri, si një garanci mjaft e madhe për një Himarë të zhvilluar.

 

Ndërkohë për shëndetësinë po punojmë një projekt me një ambasadë të huaj në vend dhe një shoqëri private e cila ka ofruar falas një projekt pilot për të mbuluar me shëndetësi “mobile” të gjithë territorin e bashkisë Himarë. Krahas spitalit rajonal të Himarës, qendrat shëndetësore do të asistohen nga ky projekt i lëvizshëm mjekësor kudo në Himarë. Gjithashtu në prioritetet e mia është edhe ndërtimi shumë shpejt i një Kabineti Dentar në Himarë, e cila do t’i shërbejë banorëve të Himarës për të pasur edhe këtë shërbim mjekësor të munguar.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Himarë dhe cilat janë ato?

Objektivi im është fitorja e këtyre zgjedhjeve, dhe rikonfirmimi im si kryetar i bashkisë Himarë, duke përfaqësuar një aleancë mjaft të gjerë dhe historike, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Unë kam një natyrë bashkëpunuese dhe i vlerësoj kapacitetet njerëzore të cilët ofrojnë me profesionalizmin e tyre, ndihmë në mbarëvajtjen e punëve në bashkinë Himarë. Do të bashkëpunoj me cilindo profesionist për më të mirën e Himarës. Ende nuk kam një ide për kritere të tjera përveçse profesionalizmit, kapaciteteve njerëzore, ndershmërisë dhe përkushtimit në punë për cilindo.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Çdo gjë që unë kam bërë në këto 4 vite që drejtoj Bashkinë e Himarës, ka qenë mëse transparente. Gjithcka qe unë kam zhvilluar gjatë këtyre 4 viteve ka qenë e trajtuar dhe dëgjuar me të gjithë grupet e interesit në Himarë. Publikimi i gjithçkaje që ne kemi bërë ka qenë i përhershëm, si në site zyrtar të bashkisë Himarë, ashtu edhe në ambientet e brendshme të bashkisë. Aq më tepër që sot bashkia Himarë është më e madhe në territor, nga ku do të duhet një bashkëpunim akoma dhe më i mirë me të gjithë banorët për gjithçka që ndodh në Himarë, kudo ku ajo shtrihet.

Cila është strategjia juaj lidhur me mos-lejimin e ndërtimeve abuzive, pa leje ose jashtë standardeve gjatë këtij mandati?

Ka një ndërhyrje të vazhdueshme dhe mjaft efikase për këtë fenomen nga ana e Qeverisë Shqiptare, ku padyshim pjesa më interesante ka qenë bregdeti. Respektimi i ligjit duhet të jetë një fenomen që duhet të respektohet nga të gjithë. Natyrisht që interes për të ndërtuar në bregdet ka pasur dhe do të ketë gjithmonë. Nëse respektohen proceduarat, në bazë të zonave studimore të aprovuara për të ndërtuar, atëherë besoj se nuk ka vend këtu për rolin që një kryetar bashkie duhet të ketë. Banorët e Himarës apo të tjerë që vijnë në Himarë për të ndërtuar, duhet të konsultohen më parë me institucionin e bashkisë, i cili është i gatshëm në çdo kohë t’i informojë.

Cilët do të jenë hapat konkretë që do të ndiqni gjatë këtij mandati në mbështetje dhe nxitje të zhvillimit të një turizmi të qëndrueshëm bregdetar dhe malor? Si do të nxisni këtë të fundit në mënyrë që të zgjatet sezoni turistik në këtë bashki?

Problemi më i madh ashtu siç edhe e kam përmendur shpesh është “zgjatja me sa më shumë muaj të sezonit turistik”. Himara ka një potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi të turizmit. Kjo falë gërshetimit të destinacioneve turistike si ato përgjatë vijës bregdetare, me destinacionet e tjera të cilat po gjejnë interes kohët e fundit falë investimeve që po kryhen. E kam fjalën për investimet e fundit të kryera nga Qeveria Shqiptare përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ku transformimi rrënjësor i qendrave të fshatrave tona, do të sjellë një numër të madh vizitorësh. Kemi filluar me Kudhësin për të vazhduar me Pilurin, Palasën dhe më pas kudo në çdo qendër të banuar të bashkisë Himarë. Po kështu ndërtimi i një shëtitoreje në Qeparo do të jetë një tjetër risi dhe një model se si do të jetë vija bregdetare në disa plazhe të bukura të bashkisë Himarë.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë këtij mandati lidhur me sigurimin e një rrjeti të gjerë dhe funksional të transportit publik në këtë bashki, në funksion të banorëve por dhe turistëve?

Himara ka një distancë të konsiderueshme largësie mes qendrave të banimit, dhe aq më tepër me Vlorën apo Sarandën deri me Tiranën. Ky shërbim deri tani mbulohet nga kompanitë private të udhëtimit, të cilat kanë plotësuar më së miri kërkesat e banorëve të Himarës për të udhëtuar gjatë gjithë vitit, por edhe të turistëve të cilët zgjedhin këtë lloj transporti për të udhëtuar drejt Himarës apo te tjera vende si Borshi apo Lukova deri në fshatrat e Lumit të Vlorës. Ndërkohë nga ana e bashkisë Himarë po shohim mundësinë e vendosjes së disa linjave urbane kryesisht gjatë sezonit turistik.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin e mbetjeve urbane dhe përdorimin funksional të landfillit?

Të dy këto elementë janë nga më të klikuarit për interesin e banorëve të Bashkisë Himarë. Secili prej tyre është mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e një jete normale dhe të shëndetshme, thithjen e sa më shumë turistëve dhe natyrisht potencial i jashtëzakonshëm edhe për investimet që do të thithen në Himarë për realizimin e tyre.

Cila do jetë strategjia juaj lidhur me dhënien në shfrytëzim të bregdetit ose bizneseve pranë tyre?

Kemi një ndryshim të tablosë gjatë këtij sezoni turistik pasi qeveria shqiptare ka kërkuar nga ana e të gjitha bashkive në vend, respektim të Ligjit për Funksionimin e Turizmit. Pra, këtë sezon turistik mund të themi që do të ndalohet abuzimi me plazhet publike duke ja kthyer ato pushuesve. E kam fjalën për disa nga plazhet qe iu bashkuan rishtas bashkisë Himarë, pasi në Himarë është viti i dytë radhazi që ne ja kemi kthyer plazhet publikut. Bizneset apo ndryshe operatorët turistik duhet të njihen me procedurat e pajisjes me leje për shfrytëzimin e këtyre plazheve, duhet të paguajnë taksat si detyrim që rrjedh nga respektimi i ligjit për taksat vendore si dhe të mbajnë ambientin rreth bizneseve dhe të kujdesen për mjedisin ku ata operojnë.

Cilët hapa konkretë do të ndiqni gjatë këtij mandati për mbështetjen e blegtorisë dhe bujqësisë në këtë zonë?

Kemi një Himarë që preferohet nga qindra mijëra turistë vendas dhe të huaj, të cilët krahas bukurisë së detit dhe plazheve tona duhet të shijojnë edhe produktet BIO të Himarës. Bashkia Himarë është e pasur me toka të cilat prodhojnë perime dhe fruta të disa llojeve. Imagjinoni nëse do të bëhej një gërshetim i tillë kaq i domosdoshëm mes operatorit turistik dhe prodhuesit. E njëjta gjë edhe për blegtorin i cili duhet t’i tregojë sa më shumë interes kësaj mundësie. Bashkia Himarë falë projekteve që do të zhvillojë së shpejti, do të krijojë dhe avantazhojë bashkëpunimin mes prodhuesit dhe operatorit turistik. Do të promovojë dhe natyrisht subvencionoj ndërmarrjet prodhuese për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë në këtë Bashki.

Një tjetër element është edhe ngritja e strukturave të praktikës mësimore në prodhim dhe shërbim. Krijimi i disa Instituteve të Kulinarisë, Shkollave Profesionale, dhe ofrimi i këtyre njerëzve të specializuar tregut si të prodhimit ashtu edhe të turizmit, është elementi më kryesor që Bashkia Himarë po i mëshon me shumë interes për ta zhvilluar.