Interview1 Jun 2015

Kodhel Çala: Vizioni im për Gramshin

Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar bashkie mendon se do të mund të shfrytëzojë hidrocentralin e Devollit dhe planin për rrugën Elbasan-Gramsh-Korçë për zhvillimin e kësaj zone malore

Author: Bardha Nergjoni BIRN Gramsh
Print

Kodhel Cala

Kodhel Cala

Cili mendoni se është problemi më i madh i bashkisë së Gramshit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Unë mendoj e problemi më i madh që ka bashkia Gramsh, është hartimi sa më shpejtë i Planit të Përgjithshëm Vendor.

Në vlerësimin tim, ky plan duhet të jetë i harmonizuar dhe në koherencë të plotë me Planin e Përgjithshëm Kombëtar, por edhe ato sektoriale të zonës, kjo për vetë pozicionin që ka Gramshi, por edhe kohën,  pasi aktualisht në bashkinë e Gramshit po ndërtohet kaskada e Devollit, një investim madhor dhe strategjik për ekonominë e vendit.

Po të mendojmë për një çast se Durrësi është porti më i madh i vendit ku hyjnë e dalin import-eksportet më të shumta të vendit, duke vazhduar me Tiranën që është qendra më e madhe administrative e vendit dhe shtetit, duke vazhduar me Elbasanin ku janë të përqendruar industria e hekurit e çimentos, duke vazhduar me Gramshin ku do të vendoset një minipark energjetik dhe që vazhdon me rrugën Gramsh-Korçë, e cila lidh vendin tonë me një vend tjetër të bashkimit Evropian si Greqia, unë mendoj se ky do të jetë bosht i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit dhe në mënyrë imperative koha kërkon hartimin e menjëhershëm të Planit Përgjithshëm Vendor të bashkisë Gramsh e veçanërisht edhe Planin e Detajuar Vendor në distancë 250 metra linear në të dy anët e aksit nacional Banjë-Gramsh-Korçë.

Natyrisht që në hartimin e këtij plani do të merret në konsideratë edhe TAP-i, i cili kalon në kufi me Gramshin dhe duhet të mendohet gazi si burim energjitik.

Përsa kohë kompetenca  kryesore e organeve të qeverisjes vendore është kontrolli dhe zhvillimi i territorit, unë mendojë se Planifikimi i Territorit është problemi më i madh i bashkisë Gramsh.

Hapat kryesor për realizimin e tij janë:

  • Monitorim dhe kontroll rigoroz nga strukturat e inspektoriatit urbanistik vendor dhe policisë bashkiake në bashkëpunim me policinë e rendit, sepse tashmë ndërtimi paligjshëm është krim që cënon regjimin juridik të Kotës dhe garantohet edhe nga legjislacioni penal. Me qëllim që situate të mos agravojë më.
  • Mbledhja e të dhënave statistikore nga institucionet, privatë e të tretë me qëllim hartimin e detyrës së projektimit.
  • Shpallja e konkursit kombëtar apo edhe ndërkombëtar për realizimin e planit në maksimumi 6 muaj të vitit. Financat janë plotësisht të mundshme të mblidhen nga të ardhurat e vetë bashkisë Gramsh bazuar vetëm tarifat e një viti.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Gramshit? (Shënim! Kërkohet një listë sa më konkrete e objekteve/rrugëve që synohen të riparohen).

  1. Në gjykimin tim, të gjitha rrugët e bashkisë Gramsh, rurale dhe urbane janë të rëndësishme. Unë mendoj që në fillim duhet të rehabilitoj dhe sistemoj kanalet e ujërave sipërfaqësore, sepse janë ato kanceret e territorit dhe vetë rrugëve. Para se të filloj të sistemojë rrugët, në fillim do të disiplinoj të gjitha nënkalimet e tubave përgjatë rrugëve duke vendosur edhe tuba bosh aty ku janë dy tre tuba, sepse aty ekziston mundësia që të çahet prapë karrexhata.
  2. Më pas do të sistemoj të gjitha rrjetet nëntokësore, sepse nuk mund të riparosh karrexhatën dhe më pas ta rihapësh për tubacione e puseta.
  • Në të gjithë territorin do të evidentoj se ku kam karriera natyrore në pronësi të bashkisë Gramsh, me qëllim që rrugët rurale të pa asfalutuara të karikohen vetëm me çakull me 10% argjil e jo më me zhavorr.
  1. Në qytet mendoj se ndërhyrja e parë është rikonstruksioni rrjetit shpërndarës të ujit të pijshëm me furnizim nga depoja e re. Me sa di, ky projekt ekziston e mund të ketë nevojë për ripunim, mbase edhe përkthim në anglisht apo italisht, dhe të kërkoj kredi për ta financuar, sepse Gramshi ujin e ka me vetë rrjedhje, uji paguhet edhe me kamatë vonesa dhe kthimi investimit është i garantuar.
  2. Objekti parë që mendoj që duhet të ndryshojë pozicion është komisariati policisë Gramsh, vendndodhja e të cilit për kohën që jetojmë është e papërshtatshme, por mbi të gjitha ka zënë një sipërfaqe të konsiderueshme strategjike dhe në mes të qytetit.

 A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Gramsh dhe cilat janë ato?

Unë mendoj se administrata ekzistuese e bashkisë Gramsh  është më e informuara dhe e azhornuara me situatën administrative, ligjore dhe problematike që mbart territori bashkisë Gramsh. Lidhur me kriteret për shkarkim, besoj se i vetmi kriter do të jeta puna dhe përkushtimi tyre në raport me detyrat respektive. Pra, unë nuk do të heq njeri nga puna, vetëm nëse ata me punën e tyre dhe sjelljen ndaj qytetarit Gramshit do të heqin veten. Në këtë rast, unë nuk do të mbroj askënd.

  • Në lidhje me emërimet, platforma e vetme do të jetë konkurrimi i hapur e transparent.
  • Superimi periudhës së provës prej të rekrutuarit.
  • Vlerësimi në fund viti nga eprorët përkatës dhe bërja publike e tyre.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Do të ndërtoj një sistem shume efektiv me qytetarët. Besoj se ky është një projekt prioritar që do të kulmojë me vendosjen e serverave dhe monitorëve me prekje që do të ketë në qendrën e informacionit në hyrje të bashkisë.

Numrat e verdhë të bashkisë në çdo qendër administrative përkatëse do të jenë mundësia më aktive.

Çdo fund tre mujori, gjashtë mujori, nëntë mujori në qendrat respektive, dhe analiza vjetore në godinën qendrore,  do të ketë analizë pune në çdo qendër administrative deri më 31-12-2017. Më pas vetëm në bashkinë qendrore.

Një muaj para se të fillojë hartimi i projekt-buxheteve, do të bëhet njoftim me mediat lokale dhe shpallje për mbledhjet që do të organizohen, takimet me qëllim dëgjimin e qytetarëve rast pas rasti përpara vendimmarrjeve përkatëse.

Cili është afati kohor brenda të cilit premtoni se do të zgjidhni përfundimisht problemin e furnizimit me ujë të pijshëm të zonës? Çfarë do të bëni konkretisht për rikonstruksionin dhe mirëfunksionimin e depos së ujit që pavarësisht investimeve të mëdha është ende jashtë funksionit?

Unë besoj se depoja e ujit të pijshëm 2000 m3 në lagjen “Llapushaj” vihet në punë. Me sa di, investimi fundit është kryer në vitin 2004 e për këtë shkak, është parashkruar çdo lloj fakti penal. Unë nuk do të merrem me të shkuarën e saj, sepse është shuar.

Unë besoj se kam eksperiencën e mjaftueshme, aftësinë organizative, njoh njerëzit e duhur që kanë aftësitë dhe potencialet profesionale përkatëse që brenda disa javësh dhe me investim minimal, ajo të bëhet e përdorshme dhe me siguri absolute gjatë përdorimit. Unë besoj se kjo gjë arrihet shumë shpejt, aq sa do të çuditen të gjithë kur ta vë në punë.

Unë di që kjo depo ka një linjë furnizimi nga depoja e re tek ajo 380 m3 ekzistuese.

Depoja e re është  87 m presion uji mbi qytet, që i korrespondon rreth 8.7 atmosferë presion, çka furnizimi linjave ekzistuese nga depo e re do të qe vrastare. Të tërë tubat do të dilnin jashtë përdorimi.

Nëse fitoj, këtë gjë do ta bëj të parën dhe kostoja, mesa jam konsultuar me specialistë, besoj se do të jetë tejet minimale me investimet e mëdha që janë bërë.

Cilat hapa konkretë do të ndërmerrni në ndihmë të rehabilitimit të numrit të madh të përdoruesve të substancave narkotike në këtë zonë? Në cilën mënyrë do të mbështesë bashkia qendrat sociale në ndihmë të tyre dhe a do të ngrejë bashkia e re qendra rehabilitimi ose sociale nën administrimin e saj?

Ky është një problem tejet shqetësues në qytet dhe në gjithë bashkinë. Kontrolli mbi territorin nëpërmjet administratorëve lokalë dhe policisë bashkiake do të jetë më i rreptë. Po ashtu, unë mendoj se në bashki duhet të jetë një seksion brenda drejtorisë së social-kulturës apo shërbimeve që duhet të ndërtojë politika lokale, të cilat do t’i paraqesim në këshillin bashkiak për miratim duke ngritur struktura të posaçme që mund të jenë edhe qendra rehabilitimi. Mbase në bashkëpunim edhe me organet e qeverisë qendrore, do të mund të hartojmë një program pilot për Gramshin, për dezintoksikimin, rehabilitimin dhe njëkohësisht parandalimin, sepse Gramshi ka vetëm një rrugë lidhëse ku qarkullon lënda narkotike. Mendoj të krijoj një  sektor policie bashkiake  që të merret edhe me këtë problem dhe në pozicione të caktuara të instalojë kamera për të parandaluar këto lloj fenomenesh.

Cilat janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me nxitjen e turizmit malor dhe ekoturizmit të qëndrueshëm në këtë bashki gjatë këtij mandati?

Territori bashkisë Gramsh ofron mundësi të shuma për turizëm malor. Hartimi një guide turistike përkatëse nga specialistët e bashkisë në bashkëpunim me administratorët lokal dhe me Agjensinë Kombëtare të Turizmit do të ishte rruga e vetme e promovimit të këtyre vlerave.

Mendoj se është i nevojshëm krijimi i një faqe interneti për bashkinë Gramsh, ku një vend të rëndësishëm duhet të zërë ky element.

Unë kam edhe disa ide të tjera, të cilat jam duke i studiuar me specialistët e mi, e nëse qytetarët gramshiotë do të më japin votën e tyre më 21 qershor, unë do t’i materializojë dhe do t’ua kthej në shërbim cilësor me impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së tyre. Koha do ta vërtetojë se kush di të punojë dhe kush di të bëjë mashtrime elektorale dhe demagogji.