News6 May 2015

KQZ kallëzon Dakon në Prokurori për shtim artificial të 2 mijë votuesve në Durrës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon Prokurorisë të hetojë shtimin e rreth 2 mijë votuesve në Durrës, ndërsa kryebashkiaku Dako thotë se ky fenomen lidhet me lëvizjen e lirë të njerëzve.  

Author: BIRN Tiranë
Print

Vangjush Dako, kryebashkiak i Durrësit dhe kandidat për një mandat të tretë. Foto: LSA

Vangjush Dako, kryebashkiak i Durrësit dhe kandidat për një mandat të tretë. Foto: LSA

Edhe pse motorët e fushatës elektorale të 21 qershorit nuk janë ndezur ende zyrtarisht, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë ngritur dyshimet e para për manovra manipulimi me listat e zgjedhësve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar një raport auditi të realizuar nga eksperti i Partisë Demokratike, Armand Teliti, sipas së cilit në Bashkinë e Durrësit janë shtuar mbi 2 mijë votues përgjatë periudhës 10 mars-25 prill 2015.

Përmes një njoftimi për mediat, KQZ tha se e kishte shqyrtuar raportin e auditit të Telitit dhe me shumicë votash vendosi t’ia dërgonte Prokurorisë për hetime të mëtejshme. Pesë anëtarë të KQZ votuan pro dërgimit të tij në Prokurori, ndërsa dy anëtarë të tjerë votuan kundër.

Në rolin e teknicienit të PD-së, Teliti tha në KQZ se në Durrës po rritet artificialisht numri i votuesve. “Kemi një fluks të jashtëzakonshëm, 7 herë më të lartë se mesatarja e dy viteve të kaluara,” tha Teliti. “Vetëm gjatë dy javëve në prill janë shtuar 1412 veta,” shtoi ai para KQZ-së.

Eksperti i PD-së hodhi dyshime se zhvendosja e votuesve drejt Durrësit po orkestrohet nga kryetari aktual i Bashkisë, Vangjush Dako, i cili garon për një mandat të tretë nën siglën e Partisë Socialiste.

Teliti shtoi se banorët e rinj të Durrësit janë regjistruar në Gjendjen Civile falë kontratave të qirasë, të firmosura nga Ndërmarrja Komunale e Plazhit. Kjo ndërmarrje, sipas tij është nën administrimin e Bashkisë së drejtuar nga Dako.

Por kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako thotë se ai nuk ka tagrin të pengojë lëvizjen e lirë të njerëzve, një e drejtë sipas tij e fituar nga shqiptarët që në vitet 1990.

“Unë nuk bëj as regjistrime, as ç’regjistrime nga Gjendja Civile. Ky është një fenomen që lidhet me lëvizjen e lirë,” i tha Dako BIRN në një bisedë telefonike.

“Sipas tyre unë duhej të ndaloja edhe Grida Dumën, e cila u regjistrua si banore e Durrësit vetëm dhjetë ditë më parë,” shtoi ai.

Vangjush Dako nuk hedh poshtë shifrat e prezantuara nga Teliti në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi thotë se Bashkia nuk ka bërë një audit paralel për këtë çështje. Por ai shtoi se ky fenomen ka qenë i zakonshëm para fushatave elektorale dhe asnjëherë nuk është bërë problem në të shkuarën.

“Edhe në vitin 2007, kur Armand Teliti humbi në Durrës denoncoi të njëjtën gjë. Unë nuk isha kryetar bashkie atëherë. Në zgjedhjet e 2011, Lulzim Basha mbushi bodrumet e Tiranës me votues shtesë.  Askush nuk e bëri problem,” thotë Dako, duke e quajtur këtë kallëzim një sulm në prag të zgjedhjeve.

Shtimi artificial i votuesve në prag të zgjedhjeve është kthyer një manovër të zakonshme për partitë politike dhe kandidatët e tyre, të cilët synojnë të mbushin hambarin e votave në zonat e pasigurta elektorale. Megjithatë, rasti i fundit i denoncuar për Bashkinë e Durrësit është ndër të pakëtët e kallëzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Prokurori.