Interview10 Jun 2015

Lefteri Prifti: Do të zgjidh problemin e pronave dhe të lejeve të ndërtimit

Kandidatja e Partisë Demokratike për bashkinë e re Himarë premton certifikimin e pronave dhe leje ndërtimi të rregullta për investime të sigurta. Ajo premton gjithashtu se do të favorizojë banorët në dhënien e plazheve për shfrytëzim në krahasim me bizneset.

Author: Jerola Ziaj BIRN Himarë
Print

Lefteri Prifti

Lefteri Prifti

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Himarës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh në bashkinë Himarë mendoj se është problem i pronave dhe për këtë me fondet e bashkisë do të bëj azhornimin e tokave dhe hedhjen në sistem. Do bëj lidhjen me Kthimin e Pronave për vendimet që ka marrë. Gjithashtu do lidhem me Arkivën Qendrore të shtetit për pronat e vjetra. Si dhe do bëj kalimin e të gjitha pronave të bashkisë në pronësi të saj dhe shpërndarjen tek pronari.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Himarës?

Ndërhyrja për përmirësimin e infrastrukturës do të bëhet vitin e parë në fshatrat që është më emergjente. Ndërhyrja do jetë në rrugët që lidhin fshatrat e Lumit të Vlorës me rrugën nacionale; në rrugën Himarë-Kuc, Borsh-Fterr dhe Borsh-Corraj dhe në rrugën që lidh Borshin me Shkallën.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Himarë dhe cilat janë ato?

Kriteret për emërimin e administratoreve janë të qarta:

— Duhet të jenë me shkollë të lartë.

— Të aftë për të menaxhuar.

— Të pëlqyeshëm për komunitetin.

— Të pakorruptueshëm.

— Të zbatojnë ligjin.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Këshilli Bashkiak (i detyrueshëm) si përfaqësues i tyre dhe kryepleqësitë.

  • Biznesi
  • Drejtuesit e institucioneve
  • Përfaqësues nga të persekutuarit.
  • Përfaqësues nga shoqëria civile.
  • Përfaqësues nga të rinjtë.
  • Njerëz të rëndësishëm në qytet.

Cila është strategjia juaj lidhur me moslejimin e ndërtimeve abuzive, pa leje ose jashtë standardeve gjatë këtij mandati?

Strategjia është e qartë. Do të ndërtohet vetëm me leje. Do të zbatohen gjithë kriteret një për një për marrjen e një leje ndërtimi me qëllim që ky investim të jetë i sigurt.

Cilët do të jenë hapat konkretë që do të ndiqni gjatë këtij mandati në mbështetje dhe nxitje të zhvillimit të një turizmi të qëndrueshëm bregdetar dhe malor? Si do të nxisni këtë të fundit në mënyrë që të zgjatet sezoni turistik në këtë bashki?

 

Pastërti shembullore për një sezon të pasur.

  • Zyrë turistike në bashki me punonjës të aftë.
  • Hapjen e zyrave turistike në disa fshatra.
  • Bashkëpunim me Danimarkën, Suedi, Gjermani dhe Maqedoni dhe Serbi për afrimin e turisteve.
  • Reklamë të turizmit tonë detar dhe malor.
  • Zgjatjen e sezonit

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë këtij mandati lidhur me sigurimin e një rrjeti të gjerë dhe funksional të transportit publik në këtë bashki, në funksion të banorëve por dhe turistëve?

Do të funksionojnë linjat urbane për të lidhur fshatrat me qytetin e Himarës.

  • Linja urban për të lidhur fshatrat e Lumit të Vlorës me Himarën.
  • Palas-Himarë-Nivicë.
  • Kudhës –Himarë.
  • Himarë –Jalë; Himarë-Dhërmi; Himarë –Borsh. ( sezon vere për plazhe).

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin e mbetjeve urbane dhe përdorimin funksional të landfillit?

Gjate vitit të parë do të ndryshoj mënyra se si kryhet pastrimi sot. Do të ketë një pastrim model i cili do të përfshirë pastrimin e qytetit, te plazhit, dizifektimin, gëlqerëzimin dhe funksionimin pa ndërprerje të landfillit. Nuk do të ketë ndotje të ambientit nga landfill.

Cila do jetë strategjia juaj lidhur me dhënien në shfrytëzim të bregdetit ose bizneseve pranë tyre?

Bregdeti do të shërbejë në radhë të parë qytetarëve dhe pastaj biznesit. Raporti qytetar-biznes do të jetë në favor te të parëve. Shërbimi i tyre do të jetë bashkëkohor dhe i arsyeshëm.

Cilët hapa konkretë do të ndiqni gjatë këtij mandati për mbështetjen e blegtorisë dhe bujqësisë

në këtë?

Në mbështetje të bujqësisë dhe blegtorisë do të përdorim subvencionimet të cilat do të krijon kushte për zhvillimin e saj. Do të krijojmë tregje për shitjen e produkteve në favor të qytetarëve shitës dhe blerës.