Interview14 Jun 2015

Ndrec Dedaj: Vizioni im për Mirditën

Kandidati i Partisë Socialiste për Mirditën Ndrec Dedaj, shprehet se zona ka shumë probleme emergjente që kërkojnë një ndërhyrje radikale.

Author: Bashkim Shala BIRN Tiranë
Print

Ndrec Dedaj

Ndrec Dedaj

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Mirditës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Mendoj se problemet janë të shumta, por më emergjente është infrastruktura rrugore. Është ndërtuar autostrada, por rrjeti rrugor i brendshëm është në gjëndje të mjerueshme çka rrit koston e jetesës për banorët. Duke pasur parasysh se Mirdita ka një shtrirje të konsiderueshme kodrinore dhe malore, është emergjente stimulimi i bujqësisë me ndërhyrje në rrjetin vaditës, pothuajse i paralizuar prej 24 vitesh. Lista e emergjencave që kërkojnë ndërhyrje radikale është e gjatë, por edhe strehimi i një kategorie njerëzore që jetojnë në geto, në rrethinat e qytetit do të jetë një ndër përparësitë e punës time.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Mirditës?

Siç theksova më lart, situata në rrugët e brendshme të Mirditës është mjaft e rëndë, ndaj edhe kërkohen masa konkrete dhe afate të mirpërcaktuara. Kështu, unë kam marrë përsipër publikisht para zgjedhësve, por edhe me shkrim në kontratën elektorale në një libërth që do e çoj në çdo familje mirditase, se brenda 300 ditëve të para të mandatit tim të gjitha rrugët që shkojnë në qendrat e fshatrave do të jenë të aksesueshme nga automjetet e vogla. Ndërhyrja do të jetë qoftë edhe me çakëll apo inerte të tjera, më pas brenda dy viteve do të përfundojë shtrimi me asfalt i tyre. Brenda këtij mandati katër-vjeçar do të asfaltohen në parametra bashkohorë rrugët Rrëshen – Kurbnesh me drejtim Lurën, Rrëshen – Kaçinar, Rrëshen – Malaj dhe Rubik – Velë të cilat janë në gjendje katastrofike edhe pse lidhin qendrën e Mirditës, Rrëshenin, me qendra të komunave të deritanishme. Po ashtu, brenda këtij mandati, me synim dy vitet e para, do të ndërtohet rruga që lidh qytetin Rrëshen me autostradën, e cila në mënyrë të çuditshme është lënë në gjendje të mjeruar.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Mirditës dhe cilat janë ato?

Duhet të theksoj se këtë çështje delikate e ka zgjidhur statusi i nëpunësit civil i Republikës së Shqipërisë. Bashkia qendër, ajo e Rrëshenit, ka një staf të caktuar të cilin e mbron statusi i nëpunësit civil i cili do të respektohet rigorozisht nga ana jonë. Por do të punohet intensivisht që kjo administratë të trainohet për t’u përshtatur me sfidat e reja. Duhet theksuar me forcë se koha kërkon administratë të përgatitur, konkurruese, të aftë për të suportuar kërkesat e BE-së për aplikim projektesh, fondesh për mbulimin e tyre, etj. Pra kërkohet një administratë që të njohë ambientet europiane ku tashmë kemi trokitur pas marrjes së statusit kandidat, por edhe së shpejti do prekim anëtarësimin në këtë formacion euro atlantik. Ndërsa do të dalë e nevojshme shtimi i administratës sidomos në zyra projektesh apo marrëdhëniesh me jashtë. Këto përzgjedhje do të jenë të kujdesshme, brenda ligjit të statusit të nëpunësit civil, por përmes konkurrencës do të synohet rekrutim cilësor, punonjës të arsimuar brenda apo jashtë vendit, njohës të mirë të gjuhës së huaja dhe specialistë për aplikim projektesh që tashmë janë të hapur për konkurrues të aftë dhe seriozë.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)

Natyrisht janë të njohur hapat që ndiqen në kësi rastesh. Janë dëgjesat publike që do të organizohen herë pas here, por edhe bashkëpunim permanent me grupet e interesit.

Si do të përdoren të ardhurat nga renta minerare nga bashkia?

Bashkia do të jetë shumë e vëmendshme ndaj resurseve që ka territori ku ushtron sovranitetin e saj. Janë rentat minerare, taksat e mjedisit nga digat e shumta të hidrocentraleve, qeratë nga shfrytëzimi i lumenjve për ujin që kalon në rrugët e turbinave, shfrytëzimi i inerteve, aktivizimi i disa prej minierave të bakrit dhe kromit në Mirditë etj. Evidentimi i këtyre resurseve dhe konvertimi i tyre ligjor në të ardhura për zhvillimin e zonës do të ulte presionin, me tendencë ulje taksash ndaj taksapaguesve të vegjël, me biznese në nivel tregu të thjeshtë që mezi mbahen në këmbë.

Çfarë do të bëni ju për të rregulluar dhe menaxhuar koncesionet në zonat pyjore të bashkisë Mirditë?

Natyrisht që do të studiohet ligji përkatës dhe VKM-të që do të prodhohen në kuadër të zgjerimit të autonomisë së pushtetit vendor dhe natyrisht do të operohet në të mirë të komunitetit mirditas.

Çfarë do të bëni për të nxitur turizmin kulturor dhe për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të Mirditës brenda mandatit tuaj?

Janë evidentuar pikat përkatëse që do të ndiqen hap pas hapi deri në realizimin e plotë të tyre dhe konkretisht:

  • Krijimi i hartës turistike për Mirditën;
  • Shtimi i monumentevetë trashëgimisë historike, kulturore dhe natyrore për t’i përfshirë në databazën e Ministrisë së Kulturës;
  • Prodhimi i doracakut turistik për Mirditën (shqip-anglisht);
  • Vendosja e sinjalistikës turistike në për të gjitha vendet me monumente historike apo natyrore;
  • Ndërhyrja në kullat monument sinë Rubik, Selitë, Përlat, Orosh, Fan, Kaçinar, etj;
  • Qarkullimi i “MirditësTuristike”si aktivitet i përvitshëm në çdo zonë të Mirditës;
  • Harta dixhitale e turizmit të zejeve dhe artizanatit, bartës vetë folkut, etj;
  • Krijimii destinacioneve turistike, duke aplikuar projekte konkrete si për Udhën e Madhe (Vau i Dejës-Vig-Ungrej-Bukmirë-Simon-Shpal-Orosh-Nënshejt-Xhuxhë emëtej), pordhe zona të tjera;
  • Do t’i jepet rëndësi turizmit speleologjik (turizmit të shpellave) duke listuar dhe kujdesur për to;
  • Nxitja e krijimit të agjencive turistike të munguara në Mirditë.

A keni ndonjë plan për të integruar zhvillimin urban me atë rural,për të integruar fshatin me qytetin pas bashkimit të ish komunave me bashkinë e Rrëshenit?

Ky do të jetë një synim rëndësishëm i joni. Pikërisht për këtë arsye kam renditur si emergjencë rehabilitimin e rrugëve lidhëse, por edhe çuarjen e ujit të pijshëm dhe atë për vaditje në çdo familje apo qendër lagjeje. Kjo do të zvogëlonte diferencat mes fshatit dhe qytetit, por edhe me qendrat e komunave.

Si do të veproni me konçensionet e HEC-eve dhe lejet minerare të dhëna pa kriter në ish tokat dhe pronat publike të ish komunave, por edhe të bashkisë me kontrata klienteliste. A e shihnit nevojshme me ketë rast të ngrini një zyrë apo sektor në bashki që do të merret me aktet e pronësisë, kryesisht të tokës?

Shikojmë të nevojshme çdo variant që përmirëson punën tonë në këto drejtime, pra edhe hapjen e një zyre përkatëse me specialistë të aftë dhe të përgatitur. Koncesionet e HEC-eve janë mjaft të rëndësishme për komunitetet përkatëse. Janë këto resurse, përfshirë ato çfarë cituam mësipër si renta minerare, marrja nën kontroll e pyjeve dhe lumenjve, vlerave turistike etj, por edhe partneriteti korrekt me qeverinë shqiptare, vendosja marrëdhënieve korrekte me bashki analoge europiane si dhe aplikimet pranë BE-së, mbi të cilat janë bazuar edhe programet tona.