Profile16 May 2015

Profili i bashkisë Fier

Si një zonë industriale e rëndësishme e kohës së komunizmit, Fieri vuan papunësinë e lartë në zonat rurale dhe ndotjen mjedisore të lënë pas nga industria e shfrytëzimit të naftës. 

Author: Ina Baçinozi Birn Fier
Print

Harta e re territorirale e bashkisë Fier

Harta e re territorirale e bashkisë Fier

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re:

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-fier/

Të dhëna të përgjithshme:

Zona Gjeografike: Bashkia e re Fier kufizohet në veri me bashkinë Divjakë, në lindje me bashkitë Patos dhe Roskovec, ndërsa në jug me bashkinë Vlorë. Ajo shtrihet në Ultësirën Perëndimore, mes lumenjve Seman dhe Vlorë. Pjesa dërrmuese e bashkisë së re shtrihet në zonë fushore të ulët ndërsa komunat Cakran dhe Frakull kanë territor kodrinor. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Fierit.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 në territorin e bashkisë së re banojnë 120.655 njerëz ndërsa në regjistrin civil rezultojnë banorë 196.324 njerëz. Sipërfaqja e bashkisë së re është 619.9 km2. Në bazë të censusit, densiteti i popullsisë është 194.6 banorë për kilometër katror ndërsa në bazë të regjistrit civil, densiteti është 316.70 banorë/km2.

Kjo bashki përbëhet nga dhjetë njësi administrative, të cilat janë: Fier, Cakran, Mbrostar Ura, Libofshë, Qendër, Dërmenas, Topojë, Levan, Frrakull dhe Portëz. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Fierit dhe qarkut Fier. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 85 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i bashkisë

Bashkia e re e Fierit përfshin zonat bujqësore më të rëndësishme të vendit, si dhe një pjesë të konsiderueshme të industrisë që lidhet me përpunimin e naftës.

Më shumë se 55 për qind e popullsisë së bashkisë së re jetojnë në zonat rurale, gjë që tregon rëndësinë e sektorit të bujqësisë në jetën ekonomike të bashkisë së re. Prodhimi bujqësor i kësaj zone është i shumëllojshëm nga drithi te zarzavatet, bostanoret, blegtoria dhe nënproduktet e saj.

Në territorin e bashkisë së re gjenden toka shumë pjellore, të cilat dikur kanë qenë këneta dhe që sot janë të rrezikuara vazhdimisht nga përmbytjet.

Bashkia e re do të ketë një vijë bregdetare të konsiderueshme që shtrihet nga grykëderdhja e lumit Vjosë deri në grykëderdhjen e lumit Seman në kufijtë e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta.

Si një zonë industriale e rëndësishme e kohës së komunizmit, Fieri vuan në veçanti nga papunësia e lartë e shkaktuar nga mbyllja e fabrikave, si dhe nga ndotja mjedisore e lënë pas nga industria tashmë e mbyllur. Përveç ndotjes së trashëguar, qyteti rrezikohet edhe nga ndotja që shkaktohet nga industria që ka mbijetuar. Pjesa më e madhe e ndotjes vjen nga industria e naftës dhe rafineritë e vajit ushqimor, të cilat ndosin ajrin sidomos gjatë periudhës së natës.

Bashkia e re ka një vijë bregdetare të konsiderueshme, si dhe pjesë e saj është dhe parku arkeologjik i Apollonisë, krahas objekteve të tjera të trashëgimisë kulturore.

Shfrytëzimi i bregdetit për turizëm është ende në fillesat e veta. Njësitë administrative Topojë dhe Dërmenas kanë një vijë bregdetare ranore prej 30 kilometrash, e gjitha shumë e përshtatshme për turizmin familjar. Vlerësohet se rreth 10 mijë vetë në vit sakaq zgjedhin këtë vijë bregdetare për pushime verore, kryesisht afatshkurtra.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Rehabilitimi i territorit të dëmtuar nga industria si dhe pastrimi i ujërave identifikohen si dy ndër sfidat kryesore të bashkisë së re, të cilat lidhen ngushtë dhe me zhvillimin e turizmit të qendrueshëm në këtë zonë. Ndalimi i ndotjes industriale apo të ujërave të lumenjve, veçanërisht Semanit, mund të ndihmojë në zhvillimin e një mjedisi të pastër dhe të përshtatshëm për turizmin.

Zgjerimi i funksioneve të bashkisë ekzistuese të qytetit të Fierit në një territor të gjerë pritet të përbëjë një tjetër sfidë, veçanërisht për shkak të nevojave shumë të ndryshme nga qyteti që kanë të 85 fshatrat që përfshihen në bashkinë e re. Në zonat rurale, mirëmbajtja e infrastrukturës së vaditjes dhe kullimit të cilat janë përgjegjësi e pushtetit vendor identifikohen nga komuniteti si shqetësimet kryesore.

Zona e bashkisë së re, përfshirë edhe vetë qytetin e Fierit, janë shumë të prekura nga përmbytjet e shpeshta, rrjedhimisht shtimi i investimeve në infrastrukturën mbrojtëse nëpër komunat përgjatë lumit Vjosë edhe mirëmbajtja e infrastrukturës ekzistuese, pastrimi i shtrateve të lumenjve dhe kontrolli i ndërtimeve pa leje përgjatë lumit Gjanicë identifikohen ndër sfidat kryesoreme të cilat pritet të përballet bashkia e re.

Bashkia e Fierit ka një sërë problemesh infrastrukturore. Rrugët e brendshme të qytetit janë tërësisht të amortizuara dhe investimet raportohen të mangëta. Rrugët lidhëse me shumë fshatra janë në gjendje të keqe. Krijimi i një shërbimi për transportin publik në shërbim të të 85 fshatrave mund të ndihmojë në zhvillimin e jetës komunitare brenda njësisë së re administrative, si dhe marrjen e shërbimeve më lehtë të aksesueshme.

Një ndër problematikat e tjera të rëndësishme për komunitetin e kësaj bashkie të re është dhe furnizimi me ujë të pishëm dhe kontrolli i cilësisë së tij.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Fierit kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 153,988 votues. Votuesit janë të ndarë në 218 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 41 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti. Për të lexuar listën shumëemërore të kandidatëve për këshill bashkiak të kësaj bashkie klikoni këtu.

Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Fierit janë:

–        Albert Çaçi, kandidat i Partisë Social Demokrate (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–        Armando Subashi, kandidat i Partisë Socialiste, pjesë e  Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–        Enkelejd Alibeaj, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e  Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)