Profile12 May 2015

Profili i bashkisë Selenicë

Miniera e bitumit në Selenicë punëson një pjesë të mirë të banorëve të zonës, por përballë bashkisë së re shtrohet sfida e pastrimit të burimeve të shterura të naftës në Vllahinë.

Author: Jerola Ziaj Birn Selenicë
Print

Harta e re territoriale e bashkisë Selenicë

Harta e re territoriale e bashkisë Selenicë

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re:

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-selenice/

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Bashkia e Selenicës kufizohet në veri me bashkinë Fier, në lindje me bashkinë Mallakastër, Tepelenë dhe Memaliaj, në jug me bashkinë Himarë dhe perëndim me bashkinë Vlorë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Selenicës.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, zona e bashkisë së re Selenicë ka një popullsi prej 18.476 banorësh ndërsa në Regjistrin Civil rezulton me 35.793 banorë. Dallimi i madh mes shifrave të regjistrit civil dhe të censusit flet për një shkallë të lartë emigrimi. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 561.24 km2. Sipas të dhënave të censusit, bashkia e re ka një densitet prej 32.9 banorësh për kilometër katror ndërsa sipas regjistrit civil, densiteti është 63.77 banorë/km2.

Kjo bashki përbëhet nga 6 njësi administrative, të cilat janë: Selenicë, Armen, Vllahinë, Kotë, Sevaster dhe Brataj. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Vlorës dhe qarkut të Vlorës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 47 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i bashkisë

Bashkia e re e Selenicës shtrihet në një zonë kodrinore në bregun e majtë të lumit Vjosa si dhe përgjatë lumit Shushicë, i cili është tributar i Vjosës. Bashkia e re ka në territorin e saj minierën historike të bitumit në Selenicë, ku punësohen edhe banorët e fshatrave përreth, si dhe zonën naftëmbajtëse të Vllahinës ku nafta është drejt shterimit duke lënë pas një zonë të madhe të ndotur.

Bashkia e re përbëhet nga disa komuna të cilat nuk kanë lidhje organike me qytetin e Selenicës, si dhe nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë rrugore me këtë qytet, duke vështirësuar në këtë mënyrë komunikimin mes tyre.

Bujqësia dhe blegtoria është aktiviteti kryesor ekonomik i bashkisë së re, popullsia e të cilës bazohet veçanërisht shumë te remitancat nga emigracioni për të siguruar të ardhurat e saj.

Si zonë bujqësore, bashkia e re është e lidhur ngushtë me bashkinë e Vlorës, si treg i rëndësishëm për produktet e saj.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Ndotja mjedisore në zonën e Vllahinës e shkaktuar nga industria e naftës, zhvillimi i infrastrukturës ndërlidhëse të komunave përbërëse me qytetin e Selenicës, si dhe zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë identifikohen si sfidat kryesore të bashkisë së re.

Rehabilitimi i territorit të ndotur nga nafta dhe nga gazi është një proces i kushtueshëm që sugjerohet se duhet të kryhet nga pronari i këtyre puseve, kompania shtetërore e naftës Albpetrol.

Si zonë kodrinore me klimë të butë, Selenica dhe komunat përbërëse janë zonë e përshtatshme për zhvillimin e drurëve frutorë, ndërsa Lumi Vjosë mund të përdoret për turizmin e aventurës.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Selenicës kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 27,115 votues. Votuesit janë të ndarë në 47 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 21 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.
Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Selenicës janë:

–        Kazem Cenaj, kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pjesë e  Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
–        Përparim Shameti, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e  Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)