Interview1 Jun 2015

Qamil Boja: Brenda tre viteve do të furnizoj me ujë Cërrikun

Kandidati i të djathtës premton lehtësi fiskale, ndihmë për familjet në nevojë dhe furnizim 24 orësh me ujë brenda tre vitesh.

Author: Bardha Nergjoni BIRN Cërrik
Print

Qamil Boja

Qamil Boja

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Cërrikut dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh për Bashkinë Cërrik është varfëria e tejskajshme e qytetarëve e cila vjen nga këto faktorë: Largimi nga skema e ndihmës ekonomike në mënyrë arbitrare nga Drejtoria e Shërbimit Social Shtetëror Elbasan, papunësia në rritje çdo ditë, ngritja e tatimeve dhe e taksave duke filluar nga buxheti i vitit 2014-2015.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Cërrikut? (Shënim! Kërkohet një listë sa më konkrete e objekteve/rrugëve që synohen të riparohen).

Brenda vitit të parë të mandatit do të realizojmë:

  • Futjen në mënyrë të menjëhershme në skemën e ndihmës ekonomike të familjeve të hequra padrejtësisht nga qeveria.
  • Uljen e menjëhershme te taksave dhe tarifave të shërbimit aq sa e lejon ligji me vendim të Këshillit Bashkiak.
  • Riorganizimi i institucioneve të reja në Bashki dhe përmirësimi i shërbimit ndaj qytetarëve.
  • Zhbllokimi i lejeve të ndërtimit dhe hapja e fronteve të punës në sektorin e ndërtimit.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Cërrik dhe cilat janë ato?

Kriteret për punësimin në bashki do të jenë: Arsimi i duhur sipas pozicionit përkatës të punës, figura e pastër morale, niveli sa më i lartë profesional, aftësia për të komunikuar me publikun. Shkarkimi do të bëhet vetëm në rastet që parashikon Kodi i Punës dhe akte të tjera nënligjore.   Do të zbatohet me përpikmëri ligji i nëpunësit civil.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Qeverisja lokale do të organizohet me pjesëmarrjen e qytetarëve:

a- Gjatë hartimit të buxhetit.

b- Gjatë vendosjes së prioriteteve në hartimin e listës së Investimeve dhe Shërbimeve.

c- Komunikimin me grupet e interesit gjatë planifikimit të territorit.

Cilët hapa konkretë do të ndërmerrni në ndihmë të familjeve në nevojë gjatë këtij mandati? (Politika fiskale në ndihmë të bizneseve; ndërtimi i banesave sociale; mirëadministrimi i ndihmës ekonomike, etj)

Hapat që do të ndërmarrë Bashkia e Re në ndihmë të familjeve në nevojë.

– Bashkia e Cërrikut do të aplikojë për herë të parë problemin e strehimit për familjet në nevojë.

– Bashkia do të planifikojë nga fondet për të ndihmuar familjet në nevojë.

– Bizneset e reja do të stimulohen që të punojnë një vit pa taksa.

Cili është afati kohor brenda të cilit premtoni se do të zgjidhni përfundimisht problemin e furnizimit me ujë të pishëm të qytetit të Cërrikut?  

Brenda 3-viteve qytetarët e Bashkisë Cërrik do të funizohen me 24-orë ujë të pijshëm.

Cila do të jetë mbështetja e bashkisë së re gjatë katërvjeçarit të ardhshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në këtë zonë?

Mbështetja e Bashkisë gjatë katërvjeçarit të ardhshëm në zhvillimin e qëndrushëm të Bujqësisë do të jenë:

– Ndryshimi menjëherë i skemës aktuale të subvencionimit në blektori, pemëtari, ullishta, vreshtari, serave etj.

– Ndryshimi i skemës aktuale të ujitjes dhe kullimit.

– Rikonstruksion i rrugëve të arave.

– Stimulimi i aktiviteteve të përpunimit të prodhimeve Bujqësore dhe Blegtorale.

– Ulja e çmimit të karburantit për makineritë Bujqësore.