Interview2 Jun 2015

Rexhë Byberi: Vizioni im për Tropojën

Kandidati i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në Tropojë thotë se dëshiron të investojë në ndërtim rrugësh në bashkinë e re.

Author: Bashkim Shala BIRN Bajram Curri
Print

rexh-byberiCili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Tropojës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Infrastruktura e Sheshit Kryesor të Qytetit dhe lagjeve të tij. Rikonstruksioni dhe rritja e shërbimeve  në Arsim dhe Shëndetësi në nivele shumë të larta. Lidhja e qendrave të të gjitha fshatrave me  qytetit me rrugë të asfaltuara, mirëmbajtja e rrugëve të bjeshkëve. Përfundimi dhe vënia  në punë e rrjetit të kanaleve vaditëse, mirëmbajtja dhe administrimi i rezervuarëve Gjallërimi i jetës kulturore, artistike dhe sportive. Ndërtim të politikave sociale për integrimin e shtresave në nevojë dhe personave me aftësi të kufizuara. Ndërtim i urave lidhëse për bashkëpunim ndërkufitar dhe puna për krijimin e zonës se lire ekonomike.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Tropojës?

Ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore do të përqendrohen në asfaltim i rrugës së sheshit kryesor të qytetit, asfaltim i rrugës  Kam – Qafë Prush si dhe riparimin e rrugës Pac –Mash – Radogosh –Visoçe. Në fushën e infrastrukturës arsimore do të kryejmë rikonstruksion e gjimnazit “Asim Vokshi”, kopshtin në lagjen “Dardania”, rikonstruksion i shkollave  9-vjeçare në Visoçe, Zherke, Vlad, Degë,  si dhe qendrave shëndetësore në fshatin Prush dhe Zherkë. Ndërkohë që do të kthejmë në  funksion 60% të kanaleve vaditëse si dhe mirëmbajtjen dhe administrimin e rezervuarëve, si dhe ndërtimin e ujësjellësve në fshatrat Llugaj, Bujan e Brice si dhe riparimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së bjeshkëve dhe hartimin e një programi strategjik dhe të veçantë për zhvillimin e turizmit.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Tropojës dhe cilat janë ato?

Kriter  do të jete profesionalizmi, përkushtimi për punën  si dhe arritja e rezultateve në punë.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)

Ngritja e bordeve këshillimore me intelektualë, biznesmenë, arsim, shëndetësi si dhe për të gjitha fushat e tjera, pjesëmarrja dhe diskutimet  tyre do jenë pjesë e vendimmarrjes.

Si do të përdoren të ardhurat nga renta minerare nga bashkia?

Kërkesë pranë qeverise për rritjen e përqindjes së rentës minerare, si dhe përdorimi i saj për zonat minerare si në infrastrukturë dhe shërbime të tjera .

Është bërë një investim prej disa milionë eurosh për ujësjellësin e Bajram Currit dhe akoma nuk ka ujë. Çfarë masash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për ta vënë në funksionim këtë investim dhe për të zgjidhur problemin e furnizimit me ujë në qytet?

Vënia në eficensë e ndërmarrjes së ujësjellësit nëpërmjet kalimit në administrim të bashkisë është prioritet. Ndërkohë që menjëherë do fillojë realizimi i një projekti për vënien e  matësave të ujit për të ndaluar kështu shpërdorimin dhe keqpërdorimin e ujit të pijshëm .

Cilat do të jenë politikat e menaxhimit të mbetjeve urbane. Çfarë do të behet  konkretisht me to?

Si në të gjithë vendin edhe në Tropojë është i shënjuar si problem shqetësues, menaxhimi i mbetjeve urbane. Personalisht brenda mundësive unë kam dhëne një shembull të izoluar për luginën e Valbonës,por kjo nuk është e mjaftueshme.

Prandaj në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, A.K.M ( Agjencia Kombëtare e Mjedisit ) suportuar nga grante dhe donatore të ndryshëm i jemi bashkëngjitur një strategjie kombëtare integrale ku do të përfshihen ndërtimi i landfilleve si dhe trajtimi bashkëkohor i këtyre mjeteve.

Në programin tim të ardhshëm të cilin po e përfundojmë jo vetëm në konsultim profesional por dhe të mbështetur financiarisht me qeverinë shqiptare përveç punës sensibilizuese dhe aktivizimit të shoqërisë civile, kemi parapare si thelbësore zbatimin rigoroz të ligjeve tashmë të aprovuara që mbrojnë mjedisin. Tashmë Tropoja ka 2 parqe kombëtare funksionimi i të cilave rregullohet me status të veçantë. Me të njëjtin seriozitet mendojmë të trajtojmë dhe 2 liqenet hidroelektrike të Fierzës dhe Komanit, duke i funksionalizuar jo vetëm për turizëm por dhe për peshkim. Garancia financuese nga qeveria dhe donatoret është e siguruar për projekte të tilla.

Çfarë politikash do të ndiqen për të parandaluar ndërtimet pa leje dhe a do të prishen ndërtimet aktuale pa leje që dëmtojnë peizazhin në zonën e Valbonës?

Siç jeni në dijeni Valbona dhe Lugina e saj mbrohen nga ligjet ekzistuese si park kombëtar. Këto zona kanë nevojë për rigorozitet në zbatimin e këtyre ligjeve. Përveç ndjeshmërisë se qytetareve e cila duhet të rritet edhe me tutje, korrektësia ndaj ligjit do të jete e panegociueshme. Ajo qe mund të deklaroj është fakti se ndërtimet aktuale në parkun e Valbonës në tërësinë e tyre nuk e prishin aspak imazhin turistik dhe në një farë mënyrë i janë adaptuar sa traditës arkitekturore karakteristike po aq dhe modernitetit e bashkëkohësisë. Por ju siguroj se që në ditën e parë të mandatit e deri në fund të tij ne do të jemi shumë të kujdesshëm që secili ndërtim të jetë në parametrat që kërkohen dhe pjesë integrale e një plani modern urbanizimi e zhvillimi. Bashkia dhe pushteti qendror do të jene koherent dhe vigjilent që çdo investim t’i adaptohet funksionalitetit, estetikes dhe perspektives.

Çfarë politikash do të ndiqen për ndërtimin e HEC-eve në zonën e Valbonës dhe në Nikaj Mertur pasi këto zona janë të mbrojtura ?

Jo vetëm në Luginen e Valbonës por dhe në të gjithë vendin dhënia e lejeve dhe koncesioneve hidro-energjetike ka rezultuar të jene me jo pak probleme! Me tepër se kudo kjo është e ndjeshme në zona të tilla sidomos ato turistike ku rrezikohet jo vetëm biodiversiteti natyror por dhe krejt funksioni turistik i tyre. Unë

jam në dijeni se lejet e dhëna abuzivisht dhe problematika të tilla po rishikohen me shumë vëmendje nga instancat përgjegjëse shtetërore dhe së shpejti do të kemi një vendim final qeveritar, sa shkencor po aq dhe human në mënyrë që harmonia natyrore, ekologjia, flora dhe fauna të mos kenë dëmtime. Agjencitë shtetërore janë në përvijim të një strategjie kombëtare ku patjetër parqet tona të bukura do të jenë në vëmendje të veçantë.

A do të kemi një politikë për zonat turistike në luginën e Valbonës, Nikaj Merturin dhe zonën Çerem-Plavë?

Unë mendoj se është bëre jo pak deri më sot me mundësitë dhe kontekstin që na është paraqitur sidomos për Luginën e Valbonës. Kemi që prej vitit 2009 një strategji zhvillimore të aprovuar dhe të zbatuar për menaxhimin dhe zhvillimin e kësaj zone në tërë kompleksitetin e saj. Në krye të bashkisë Tropojë e cila tashmë do të përfshijë gjithë rrethin unë siguroj se me emergjencë e njëjta strategji zhvilluese do të ndiqet dhe për zonën e Nikaj-Merturit.

Ka ikur koha që ndërtimet dhe investimet të jenë kaotike dhe jofunksionale e perspektive. Bukurisë së rrallë të trevës sonë do t’i shtohen edhe ndërtime e investime moderne e bashkëkohore. Kjo pasuri brilante nuk do të shihet vetëm si një aset thjesht turistik për t’u shijuar por si një resurs i fuqishëm ekonomik për të na pasuruar.

Çfarë projektesh keni për administrimin e pyjeve shtetërore dhe komunale ,masivet e gështenjave, bimëve medicinale apo boronicës, si burim të ardhurash për komunitetin, por edhe mineralet?

Malësia e Gjakovës ka një pasuri të rrallë pyjore. Masivi alpin i gështenjave është i papërsëritshëm por kërkon me emergjence një trajtim shkencor që të ndalojë degradimin masiv dhe të siguroje ripërtëritjen. Ne disponojmë si asnjë zone tjetër në Mesdhe bime të çmuara medicinale me karakteristika biologjike të rralla.

Pasuria nëntokësore sidomos ajo e mineralit të kromit është në rezerva dhe cilësi që na pozicionon në vende të para në rajon e shumë me gjerë. Problem ka qenë shfrytëzimi, sa pa kriter po aq dhe joprofesional i tyre, si dhe mungesa e impianteve të përpunimit të tyre në vend. Kjo do të ulte jo vetëm koston dhe do shumëfishonte fitimin por së pari do të rriste në shkalle të lartë punësimin.

Tropoja është e pasur jo vetëm në traditën e shfrytëzimit të tyre por disponon një fuqi intelektuale shumë profesionale sidomos në fushën e kërkimit dhe nxjerrjes së mineraleve. Ky aset i çmuar jo vetëm është injoruar por ka ndikuar direkt në keqshfrytezimin e kësaj pasurie kombëtare. Kësaj situate do t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë. Ligji dhe vetëm ligji bashkërenduar me interesin me të mirë të Tropojës do të prevalojnë në 4 vitet që presim.

Si do veprohet me koncesionet në sipërmarrjet private të mineralit të kromit që janë dhënë padrejtësisht leje për shfrytëzimin e vendburimeve minerare,sidomos në zonën e Bytyçit?

Jam i keqardhur si njëri si pushtetar lokal i Tropojës për realitetin aspak të mirë të kujdesit në shfrytëzimin barabar të këtyre pasurive qe përpara se të jenë individuale, janë asete strategjike kombëtare. Ka një frymë ndryshimi mbarëkombëtare në zbatimin e ligjeve me rigorozitet edhe në këto fusha në mënyrë që kjo eksperiencë e keqe të largohet e të harrohet përgjithnjë. Shfrytëzimi i mëtejshëm do të jete plotësisht i disiplinuar vetëm me ligj.

A do këtë një plan urbanistik për zonat turistike?

Lugina e Valbonës është tashmë në një pistë të mirë e të sigurt planifikimi e zhvillimi perspektiv tejet shkencor e ligjor urban. Kjo eksperiencë jo vetëm do të adaptohet kudo në të gjithë Tropojën,  por do perfeksionohet me gjerë. Është koha të mendojmë e veprojmë me vizion dhe me përkushtim. Këtë ja kemi borxh të ardhmes së gjeneratave që pasojnë.