Interview30 May 2015

Safet Gjici: Do të korrigjoj padrejtësitë ndaj qytetarëve

Kandidati i majtë i Bashkisë Kamëz beson se problemi më i madh është neglizhenca e qeverisjes aktuale ndaj një pjese të madhe të popullsisë si dhe premton se investimi i parë do të jetë për furnizimin me ujë.

Author: Lindita Çela BIRN Kamëz
Print

Safet Gjici

Safet Gjici

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë Kamëz dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh i Bashkisë Kamëz është keqmenaxhimi i fondeve publike nga kryetari  aktual i Bashkisë. Kjo vërtetohet me investimet që ka bërë, duke i ndarë fondet sipas ideve, sipas krahinave, sipas feve. Atyre që kanë votuar Xhelal Mziun ai ua ka çuar ujin, ua ka shtruar rrugët, ua ka dërguar shërbimet; ndërsa ata që nuk e kanë votuar janë të destinuar të vdesin. Kjo është e papranueshme për një kryetar bashkie që presupozohet se është kryetari i  të gjithë qytetarëve. Janë shumë probleme të cilat duhet t’i zgjidhim një herë e mirë.

Kjo do të thotë se pas 21 qershorit, njeriu i duhur dhe drejtimi i duhur do të eliminojë totalisht padrejtësitë që u janë bërë qytetarëve.

Ky keqmenaxhim i fondeve publike nga Kryetari i Bashkisë ka bërë që në shumë lagje të ketë mungesë të ujit të pijshëm, të kanalizimeve, të rrugëve të shtruara, të shërbimeve, si: çerdhe, kopshte, shkolla. Madje, u ka shtuar edhe taksa të reja qytetarëve për ato shërbime që ata nuk marrin. Fjala është për taksën e gjelbërit. Qytetarët e Kamzës paguajnë taksë gjelbërimi ndërkohë që nuk ka as gjelbërim dhe as pastrim  të qytetit. Ajo që ne garantojmë është që edhe ata që nuk na votojnë, edhe ata që na votojnë, do të marrin shërbime me standarde… të gjithë, pa përjashtim.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë Kamëz?

Pothuajse në të gjithë Bashkinë e Kamzës mungon uji i pijshëm. Investimi i parë do të jetë ai në rrjetin e ujësjellësit. Ky invetim do të fillojë nga Babrruja dhe deri në Kamëz. Duke pasur afër Bovillën që furnizon Tiranën, por ka ujë edhe për të furnizuar Paskuqanin, Kamzën, madje ka mundësi të furnizojë edhe qytete të tjera. Unë me stafin tim do të ndërhyjmë në këtë drejtim që në muajin e parë që do të jemi në krye të Bashkisë Kamëz.

Ne kemi takuar dhe dëgjuar të gjithë qytetarët për nevojat që ata kanë dhe shohim që shumë lagje janë pa çerdhe, pa kopshte, pa qendra shëndetësore, madje edhe pa farmaci. Nuk kanë ku të bëjnë një serum, ndaj shkojnë vetëm për këtë deri në spitalin ushtarak.

Ne kemi një projekt edhe për këtë çështje. Qeveria ka programuar  ndërtimin e një spitali modern me 600 shtretët në Bashkinë Kamëz, i cili do të plotësojë jo vetëm nevojat e Kamzës por edhe të bashkive të qarqeve të veriut. Spitali është një projekt i madh, dhe do të ndërtohet brenda tre viteve të mandatit tim të parë si Kryetar Bashkie.  Projektin për këtë spital e kemi ne, ndërsa fondet janë të Qeverisë Shqiptare  dhe të Bashkimit Europian.

Kanalizimet janë emergjenca e emergjencave. Në Kamëz ka lagje ku njerëzit ikin nga era e tyre e padurueshme. Në këto 8 vite, zotëria [Xhelal Mziu] as ato kanale nuk i ka pastruar. Pra duhet që të ndërhyjmë në mënyrë urgjente në ujësjellës dhe kanalizime, sepse janë të lidhura ngushtësisht me njëra tjetrën.

Pallatin e Kulturës, ku është bërë një investim i konsiderueshëm, ne do ia kthejmë qytetarëve. Aty do të ketë një sallë vetëm për pensionistët. Ne u kemi premtuar pensionistëve që do u sponsorizojmë gazetën Pensionisti. Do u japin sallën dhe do u ofrojmë dhe një kafe mëngjesi falas. Këto janë detyrime minimale që bashkia ka dhe do të realizojë për moshën e tretë; dhe unë do e realizoj këtë sapo të marr mandatin.

Kryetari aktual ka bërë një  plan të pjesshëm të Bashkisë Kamëz dhe, për hir të së vërtetës, ka shkatuar një panik të madh tek qytetarët, sepse në këtë studim parashikohet të prishen 4 mijë shtëpi. Pra sot, nuk legalizohen 4 mijë shtëpi sepse në planin e studimit të këtij zotërisë [Xhelal Mziu], ato do të prishen dhe në vend të tyre do të ndërtohen pallate. Me fitoren time është e sigurt që ky plan studimi do të anullohet. Ne do të bëjmë një masterplan për të gjithë Bashkinë e Kamzës.

Do të përfundojë bulevardi i Paskuqanit.  Unë do të bashkëpunoj me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të  rakorduar të githë projektin i cili do të ndryshojë totalisht gjëndjen e Paskuqanit. Paskuqani është qendra lidhëse me Tiranën, por sot është një urë që mezi kalon aty. Brenda mandatit tim të parë do të ndërtohet kjo urë që do të jetë pjesë e bulevaridit të Paskuqanit.

Ne do të krijojmë fond të posaçëm për të trajtuar fëmijët jetimë dhe invalidët. Ata do të marrin  pension mujor. Kam marrë grup ekspertësh që po e studion këtë çështje.

Unë nuk kam bërë një mijë premtime. U kam thënë qytetarëve, në dëgjesat që kemi, se unë pesë premtime bëj dhe kjo është kontrata ime. Kjo do të jetë platfomra ime.  Do të jetë e shkruajtur, do të jetë shtëpi më shtëpi, tek i majtë dhe i djathtë.

Unë do të jem kryetar bashkie për të gjithë qytetarët.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Kamëz dhe cilat janë ato?

Kriteri i parë dhe i vetëm do të jetë ai i meritokracisë, që do të thotë ai që e meriton dhe plotëson kriteret ligjore dhe kualifikimit përkatëse. Nëse do të ketë persona të tillë të aftë në administratën aktuale të bashkisë, ata nuk do e humbasin vendin e punës. Ne mendojnë se kryetari aktual pikërisht se ka zgjedhur staf të paaftë në administratë ka dështur në mirëmenaxhimin e fondeve publike. Ajo që do të jetë risi në Bashkinë Kamëz të drejtuar nga unë është se pjesëmarrja e grave do të jetë në masën 50 për qind. Sigurisht edhe gratë do të plotësojnë kriteret ligjore dhe profesionale për të fituar të drejtën e punësimit.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë së re?

Ne do të bëjmë takime me qytarët e çdo lagjeje për të diskutuar projektet që ne kemi ndërmend të planifikojmë, si dhe për të kuptuar emergjencat që kanë nevojë për ndërhyrje. Aty ku ka emergjenca, do të bëjmë investimet e para, që do të thotë se nëse është uji i pijshëm ne do të fillojmë me ujin e pijshën, nëse është emergjente infrastruktra ne do të fillojmë punën me infrastukturën.

Unë do të shkoj bashkë me stafin të bëjë dëgjesa në çdo lagje. Ky do të jetë një takim i përmuajshëm vetëm për të folur për investimet dhe ndarjen e buxhetit që ka Bashkia. Për të gjitha fondet publike që vijnë nga taksapaguesit shqiptarë, qytetarët do të japin mendimet e tyre se ku dhe si duhen shpenzuar. Për hir të së vërtetës, këto fonde do të jenë të mëdha sepse ne kemi biseduar me Kryeministrin Rama, i cili na ka premtuar se do të na mbështesë me fonde që do të kalojnë dhjetra qindra milionë euro vetëm për investime në këto shtylla kryesore që janë shumë të rëndësishme për jetën e qytetarëve në Bashkinë Kamëz.

Çfarë hapash do të ndërmerrni për të shtuar hapësirat e gjelbra, trotuaret dhe sheshet publike në Bashkinë Kamëz? Çfarë mund të presin qytetarët e bashkisë suaj në këtë drejtim në fund të mandatit katërvjeçar?

Po të bësh një panoramë të të gjithë Kamzës, Paskuqanit dhe Babrroit, do të shohësh që s’ka një metër katror asflat, a thua se është xhungël. Aty s’ka asnjë metër katror gjelbërim. Nuk kanë ku të lozin fëmijët, pleqtë nuk kanë ku të rrijnë.  Shiko Kamzën, nuk ka as parqe, nuk ka as stola.  Pensionistët ulen në tulla dhe lozin në pluhur.

Pikërisht për të krijuar parqe dhe gjelbërim do të ngrihet një studio projektimi nga më të mirat. Pra konceptet menaxhuese do të jenë si të botës së biznesit, prej të cilës unë vij. Nëse nuk ke projkte, ta harrosh që të marrësh fonde. Çdo institucion nuk akordon fonde pa pasur një projekt.

Po të shohesh rrugët që janë investuar nuk ka asnjë pemë, as një kosh plehrash. Paskuqani nuk ka një bulevard, ndërsa për ndriçimin as nuk mund të flasësh. Edhe në qendër të Kamzës është si të jesh në xhungël.

Ato që do të presin qytetarët në fund të mandatit tim është ndërtimi pallatit të sportit, spitali, si dhe shtimi i hapësirave të gjelbra.

Si do e zgjidhni problemin e kostos së lartë të transportit publik dhe aboneve të ndara që kanë aktualisht bashkia Kamëz dhe bashkia Tiranë?

Ky është një problem shumë i madh për qytetarët, por sidomos për ata njerëz që punojnë dhe janë të detyruar të shkojnë në Tiranë. Studentët duhet të ndërrojë disa autobuza dhe shpeshherë, për shak të këtij shërbimi shumë të dobët, humbasin orët e mësimit. Nuk ka linja direkte për Kamzën, për shembull nga 5009 deri në Tiranë. Po të marrim vetëm këtë aks bëhet shumë e vështirë lëvizja e qytetarëve.

Me të marrë drejtimin e bashkisë, që në muajin e parë, do të ndryshojë krejtësisht shërbimi i kësaj linje. Ne kemi biseduar paraprakisht edhe me z.Veliaj dhe me Ministrin e Trasporteve për të caktuar vendin ku do të jetë stacioni, linjë  kjo që do të ndihmojë  jashtëzakonisht  qytetarët e kësaj zone, të cilët paguajnë 2 mijë lekë të vejtra  për të ardhur  në Tiranë. Mendoni pak për një student çfarë kostoje ka transporti. Bashkë me përmirësimin e kësaj linje ne do të aplikojmë funksionimin e aboneve. Invalidët dhe familjet në nevojë do të kenë abone falas nga bashkia.

A mendoni se bashkia Kamëz duhet të ndihmojë një pjesë të familjeve që jetojnë në kushte shumë të këqija banimi me ndihma për riparimin e shtëpive? Nëse po, çfarë do të ndërmerrni konkretisht?

Bashkia Kamëz, nën dretimin tim,  do të bashkëpunojë ngushtësisht me Entin e Banesave për të ndërtuar pallate për familjet në nevojë. Ne jemi të sigurtë që bashkia ka hapësira për të ndihmuar këtë shtresë të popullsisë. Atyre që u takon të marrin shtëpinë falas, do e marrin falas. Të tjerëve që nuk u takon që të përfitojnë shtëpi falas, por janë familje në nevojë, do të marrin një kredi të butë. Pra do të bëjmë kategorizimin e shtresave në nevojë; familje  që plotësojnë kriterin për të përfituar falas shtëpinë; familje që janë në nevojë dhe do të mbështeten me kredi të buta; familje që nuk kanë mundësi të ndërtojnë një shtëpi, të cilave bashkia do u sigurojë kreditimin e tyre për një afat mbi 30 vjet.

Ky kategorizim i familjeve do të bëhet që në vitin e parë të mandatit.  Nuk them se do të ndërtohen pesë mijë shtëpi apo një mijë shtëpi për një vit, por do të ketë çdo vit ndërtime banesash për këto familje.

Pra, ajo që unë garantoj është se, me mua kryetar, Bashkia Kamzës do të jetë në funksion të qytetarëve. Bashkia do jetë ajo derë ku qytetarët do të kenë pikën e parë të takimit. Në bashkinë e re do të ketë njerëz të punës, njerëz në shërbim të qytetarëve, njerëz që do të ndryshojnë totalisht mënyrën e funksionimit të bashkisë, përsa i përket shërbimeve me standarte për të gjithë, pa dallim feje, krahine apo edhe ideje politike.