Interview5 Jun 2015

Shukri Xhelili: Me ndihmën e Ramës do të rindërtoj shkollat

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Dibër thotë se gëzon mbështetjen personale të kryeministrit Edi Rama për të gjetur fonde për punë publike në bashkinë e re.

Author: Hysen Likdisha BIRN Peshkopi
Print

Shukri Xhelili

Shukri Xhelili

Cili mendoni se është problem më i madh i Bashkisë Dibër dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem brenda vitit te pare te mandatit tuaj?

Rrethi i Dibrës ka problematika nga më të ndryshmet dhe  që janë krejtësisht evidente nga qytetarët. Pothuajse kudo dhe në çdo gjë dallohet qartë dora e shkatërrimit ose më mirë të themi dora e arnimit të gjërave sa për të kaluar radhën.

Në zallamahinë e problemeve të krijuara nga keqadministrimi i deritanishëm i qeverisjes lokale  nga të zgjedhurit e PD  do të veçoja katër probleme kryesore që për mendimin tim kërkojnë ndërhyrje urgjente brenda vitit të parë të mandatit 4 vjeçar:

  1. a) Furnizimi me ujë 24 orë në 24 i qytetit të Peshkopisë dhe në veçanti i të gjitha qendrave shëndetësore dhe shkollave të qytetit.
  2. b) Ndërhyrje të menjëhershme në të 42 shkollat 9 vjeçare dhe të mesme të Bashkisë së Dibrës në drejtim të rehabilimit të të gjitha tualeteve me ujë të rrjedhshëm dhe krijimin e kushteve të duhura higjeno-sanitare nëpër shkolla dhe kopshte pasi ne nuk mund të lejojmë shkollimin e brezit të ri në kushte të tilla mizerabël si një përgjegjësi direkte e pushtetit vendor.
  3. c) Ndërhyrje të menjëhershme për të ndaluar katastrofën mjedisore dhe urbane në të gjithë njësitë e reja administrative pasi ky është shkatërrimi më i madh që po i bëhet Dibrës.
  4. d) Marrja nën mbrojtje të menjëhershme nga bashkia e re e të gjitha aseteve kulturore dhe historike që ka Dibra për të ndalur shkatërrimin e kujtesës historike dhe kulturore.

Ndërsa lidhur me problematikën e gjerë që ka Dibra unë kam një program të detajuar të zhvillimit rajonal dhe të integruar të bashkisë së re të cilin po e diskutojmë me qytetarët gjatë këtyre ditëve të fushatës elektorale dhe që pas 21 qershorit do ta vëmë në zbatim me mbështetjen e qeverisë qendrore dhe personalisht te Kryeministrit Rama.

  1. Cilat janë ndërhyrjet qe ju planifikoni te ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore , godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Dibrës?

Brenda vitit parë të mandatit do të transformojmë tërësisht pamjen e qytetit të Peshkopisë nëpërmjet projektit tashmë të filluar të  Qeverise Rama për “Rilindjen Urbane të Qyteteve” për të cilën kam marrë garanci personale nga ana e kryeministrit dhe ky projekt transformimi është gati dhe në ditët në vazhdim do ta prezantojmë përpara opinionit qytetar dibran. Duke ndryshuar imazhin e qytetit në drejtim të traditës dhe modernes ne mendojmë në radhë të parë ti kthejmë çdo dibrani atë copë të humbur nga qyteti i dikurshëm që për fatin tonë të keq u shkretua në këto 12 vjet nga kryetari i bashkisë në ikje z. Krosi.

Pjesë e kësaj rilindje urbane në godinën e saj historike do të jetë edhe  gjimnazi i famshëm i Peshkopisë si pjesë e krenarisë së dhjetëra gjeneratave që sot drejtojnë me sukses në të gjitha fushat e jetës shoqërore brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ndërkohe që brenda vitit të parë të mandatit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të pajisim të gjitha shkollat e mesme dhe 9-vjeçare me bazën e nevojshme didaktike dhe mësimore dhe nuk do të ketë me shkolla çatitë e të cilave çfarë pikon jashtë e fusin brenda.

A keni një listë kriteresh për emërimin apo shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Dibër dhe cilat janë ato?

Lidhur me qëndrimin tim ndaj administratës vendore dhe kryesisht, të administratoreve sociale, jam i hapur dhe bindshëm në zbatim të ligjit  152/2013 “Për statusin e nëpunësit civil” në zbatim të të cilit, administratat e organeve të qeverisjes vendore, janë nëpunës të shërbimit civil.

Ajo që me duhet të them qartazi në lidhje më ketë është se projekti im lidhur me nëpunësit e administratës është,”Një administratë profesionale në shërbim të qytetarit”. Të gjithë administratorët sociale, do të jenë persona të cilët të kenë formimin e duhur ligjor dhe profesional, në shërbim të publikut ,të gatshëm të ofrojnë zgjidhje të problemeve të cilat kanë të bëjnë me të përditshmen dhe perspektivën e qytetarëve dibranë, nga qyteti deri në zonat më të thella.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyre që të siguroni pjesëmarrjen edhe konsultimin me qytetarët ne procesin e vendimmarrjes së Bashkisë?

Një qeverisje lokale është e suksesshme  nëse funksionojnë si duhet dy shtylla të rëndësishme: komunitet-bashki-qeveri qendrore dhe komunikim-transparence-bashkëpunim, duke i dhënë rolin e duhur komunitetit të qytetarëve, shoqërisë civile, këshillit bashkiak, administratës së bashkisë por edhe bashkëpunimit me qeverinë qendrore. Ketë do ta bëjmë duke miratuar si fillim një strategji rajonale  të zhvillimit të bashkisë së Dibrës për tu dhënë mundësinë  qytetarëve  të dinë se ku do te shpenzohet çdo qindarkë e taksave të tyre.

Cilat janë hapat që do të ndiqni në mbrojtjen dhe rigjallërimin e pyjeve dhe turizmit malor në Bashkinë e Dibrës gjatë mandatit tuaj?

Deri në korrik 2017 të gjitha pyjet do kalojnë në pronësi të bashkisë Dibër. Në bazë të ligjit për pyjet duhet që për çdo 2500 ha pyje do të punësohet një specialist pyjesh. Dibra ka rreth 80 mije ha pyje, ka parkun e Lurës, parkun natyror Korab-Koritnik, shume monumente të natyrës si dhe një faune të pasur. Të gjitha këto përbëjnë një atraksion shumë të madh për turizmin dhe agro-turizmin.

Bashkia do të bëjë të mundur që fermerët të marrin në ruajtje dhe përdorim një pjesë të mirë të pyjeve të ulëta dhe t’i shfrytëzojnë për të gjeneruar të ardhura.

Gjithashtu bashkia e re plotëson kushtet për të aplikuar me projekte për të përfituar nga fondet IPA dhe Cros-Border për përmirësimin e pyjeve dhe rritjen e turizmit.

Bashkia do të bashkëpunojë  me shoqatat dhe organizatat e zonës dhe të huaja për promovimin e turizmit dhe vlerave të shumta qe ofron zona. Gjithashtu do të nxisë krijimin e shtigjeve, zonave për ecjen me biçikleta e për të gjithë apasionuarit e sporteve malore.

  1. Cili është plani juaj për menaxhimin e burimeve termale dhe zhvillimin e turizmit shëndetësor?

Lidhur me menaxhimin e burimeve termale gjëja e parë që do të bëjmë do të jetë transparenca në administrimin e të ardhurave që ky aset natyror i ka dhënë bashkisë së Dibrës pasi sot ky kompleks nga nje pasuri qe do te duhej te ishte motor i zhvillimit ekonomik dhe i turizmit shëndetësor rajonal por dhe më gjerë është kthyer në gropën e zezë të korrupsionit bashkiak ku kanë zhytur duart i madh e i vogël  për  12 vite me radhë.

Plani jonë është krejt i thjeshtë:

Kthimi i këtij kompleksi në një qendër kurative dhe e turizmit shëndetësor elitar duke i ri-investuar 100% të ardhurat e krijuara nga ky kompleks në transformimin rrënjësor të kushteve të duhura akomoduese  për të ofruar një shërbim sa më cilësor klientëve jabanxhinj por edhe banorëve të Dibrës duke e harmonizuar këtë edhe me turizmin familjar tashmë të krijuar nga banoret e zonës të cilëve do tu krijohen të gjitha lehtësirat e duhura për shërbimet në këmbim të nxitjes së punësimit sezonal në bashkëpunim me zyrën e punës pranë bashkisë.

Pika e fundit por më kryesorja do të jetë adoptimi  i një modeli menaxhimi i një standardi që sot ofrohet për komplekse të tilla simotra në rajon dhe në Europë.

Cilat janë hapat që do të ndërmerrni për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë në Bashkinë e Dibrës?

Pavarësisht emërtimit juridik Bashki, Bashkia e Re Dibër me shumë se 70 %  te banorëve, mbi 90 % të territorit të saj shtrihet në zonë rurale. Bashkia e Re do të ketë në përbërje të saj 14 Njësi Administrative ish Komuna tërësisht në zona rurale. Nisur nga sa më sipër zhvillimi i zonave rurale kryesisht nëpërmjet zhvillimit të bujqësisë do të jetë ndër prioritetet bazë të punës sime si Kryetar Bashkie. Si do ta realizojmë këtë:

Së pari; pavarësisht ekzistencës së strukturave shtetërore si Drejtoritë e Bujqësisë apo Bordet e Kullimit ne do të krijojmë një Departament  të Zhvillimit Bujqësor dhe Rurale në Bashki i cili do të ketë si detyrë konstatimin e problemeve dhe nevojave dhe hartimin mbi këtë bazë të strategjisë dhe projekteve të zhvillimit bujqësor dhe rural.

Strategjia e Bashkisë së Re do të jetë të mbështes fermerët në iniciativat e tyre për shtimin e sipërfaqeve  të pemëve frutore, të shtimit të numrit të krerëve në blegtori kryesisht të bagëtive të imta.

Pozita gjeografike dhe klimatike e Bashkisë Dibër është e tillë që sektorët që kanë nevojë për mbështetje dhe zhvillim të mëtejshëm janë Pemëtaria dhe Blegtoria. Aktualisht me gjithë iniciativat individuale të fermerëve për mbjelljen e pemëve frutore si dhe shtimin e numrit të krerëve të imtave në blegtori jemi larg kapaciteteve natyrore në këto 2 sektor.

Dibra para viteve 90 prodhonte rreth 40 mijë ton fruta ndërsa sot jemi në limitet e 5 mijë deri në 6 mijë ton.

Por a do të ishte e plotë mbështetja vetëm duke mbështetur sektorin e prodhimit? Padyshim që jo. Nëse nuk kemi një strategji të qartë për mbështetjen e tregtimit dhe përpunimit të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale nuk kemi bërë asgjë por vetëm kemi futur më keq në vështirësi fermerët.

Para disa vitesh Bashkia Peshkopi ndërtoi një treg për produktet bujqësore dhe blegtorale, treg i cili nuk funksionoi asnjë dite për shkak të pozicionit të gabuar të ndërtimit por edhe mungesës të pushtetit lokal. Ai tashmë është kthyer në objekt në shërbim të shërbimit zjarrfikës.

Bashkia Dibër që në vitin e parë të punës do të hartoj një projekt për ndërtimin e një tregu të ri për tregtimin e frutave dhe produkteve blegtorale i cili të mos shërbej thjesht si një vend për shitjen me pakicë por edhe si një vend reklamimi dhe promovimi të prodhimeve dibrane gjë që do të çoj edhe në lidhje të kontratave për shitje me shumicë dhe të garantuar të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.

Bashkia e re do të  jetë një partnere e fuqishme në thithjen e projekteve dhe donatorëve të huaj që duan të investojnë direkt apo të mbështesin bujqësinë në Dibër. Aktualisht Dibra është pjesë e një projekti Danez-Gjerman për zhvillimin e zonave të pazhvilluara, SARED me një fond prej 6.5 milion euro për 6 qarqe dhe ne do të mbështesim fermerët në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Bujqësisë që fermerët dibranë të thithin sa më shumë nga këto fonde të cilat kanë si destinacion zhvillimin e pemëtarisë dhe të blegtorisë.

Sektori i blegtorisë kërkon mbështetje kryesisht në përpunimin dhe tregtimin e produkteve të tij. Edhe në këtë sektor do të krijojmë mundësinë e sjelljes së projekteve nga donator vendas dhe të huaj për krijimin e linjave të përpunimit të qumështit dhe të mishit.

Indirekt këto projekte do të çojnë në shtimin e kapaciteteve prodhuese nga vetë fermerët, pasi sipas modeleve të BE do jenë këta investitor që do të investojnë në përpunim dhe tregtim të produkteve që do të mbështesin fermerët në rritjen e prodhimit të tyre.

Një problem madhor që ka sot bujqësia në Dibër është ujitja e tokave. Të gjithë janë dëshmitar të shkatërrimit të sistemit të ujitjes pas viteve 90. Fusha të tëra tashmë janë pa ujë megjithëse Dibra shquhet për burime ujore. Në këtë fushe në bashkëpunim edhe me qeverinë por edhe me donator të huaj do të bëjmë të mundur që të shtojmë kapacitetet ujitëse, duke rindërtuar veprat e dëmtuara por edhe ndërtimin e veprave të reja si rezervuare, kanale vaditëse e të tjera.

Bashkia do të shoh edhe mundësinë e krijimit të një fondi garancie për fermerët që kërkojnë të investojnë në bujqësie që tu bëjë të mundur atyre të aplikojnë dhe përfitojnë kredi nga bankat për mbjellje të reja apo investime në blegtori.