Interview16 Jun 2015

Tërmet Peçi: Vizioni im për Tepelenën

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Tepelenë thotë se shpreson që reforma administrative do të krijojë më shumë burime për ekonominë.

Author: Raimond Kola BIRN Tepelenë
Print

Termet Peci

Termet Peci

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Tepelenë dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh është punësimi dhe varfëria. Në mandatin e dytë do të shfrytëzoj të gjitha avantazhet që jep reforma administrativo-territoriale duke na krijuar mundësi dhe resurse të mëdha. Nxitja e sipërmarrjeve të vogla e të mesme, duke u krijuar atyre lehtësira në zhvillimin e biznesit, dhe investimet e mëdha që po kryhen në këtë Bashki japin mundësi punësimi jo vetëm gjatë realizimit të investimit, por krijon dhe kushte për të nxitur biznese të reja si dhe për të zhvilluar më tej ato ekzistueset. Zhvillimi i turizmit kulturor dhe natyror do të jenë një nga drejtimet kryesore të punës, pasi Tepelena ka një trashëgimi të madhe historike që po merr vlerë dhe më të madhe me investimet që po kryhen në qytet, gërshetuar me bukuritë natyrore që ka kjo njësi e re. Do të punojmë ngushtësisht dhe me kompanitë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin tonë me qëllim nxitjen e tyre për të rritur kapacitetet dhe rrjedhimisht dhe numrin e të punësuarve.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Tepelenë?

Me marrjen e detyrës do të kryej inventarin e të gjithë infrastrukturës rrugore, godinave arsimore dhe atyre shëndetësore, do të përcaktoj prioritetet dhe brenda 300 ditëve të para do të mund të buxhetoj dhe të realizoj ndërhyrjet e menjëhershme në mirëmbajtje dhe meremetime si dhe do të mundësoj realizimin e një sërë investimesh për përmirësimin e mëtejshëm të gjendjes. Konkretisht kemi gati projektin e gjimnazit Abaz Shehu në Tepelenë, do të kërkojmë mbështetjen e qeverisë për ndërhyrjen e menjëhershme në rrugën e Kurveleshit dhe atë të Lopsit, investime këto që do t’i japin një zhvillim të madh këtyre zonave. Do të ndërhyj me buxhetin e Bashkisë në të gjitha institucionet e arsimit dhe ato shëndetësore në të gjithë territorin e njësisë duke mundësuar dhe ngritjen e qendrave shëndetësore të reja.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Tepelenë dhe cilat janë ato?

Në emërimin e administratorëve të njësive administrative kriteri i vetëm do të jetë ai ligjor dhe profesional. Do të synoj që administratorët të jenë profesionistë të fushave dhe përzgjedhja e tyre do të jetë e hapur në bazë të konkurimit, duke u mbështetur fort në kërkesat e ligjit.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)?

Hartimi i të gjithë buxheteve, planeve  urbanistike dhe investimeve prioritare do të kalojë nëpërmjet konsultimit me qytetarët. Buxhetet, si shprehje sasiore e objektivave që kërkohen të realizohen, do të mbështeten tërësisht në kërkesat dhe interesat e qytetarëve si dhe grupeve të interesit. Kjo do të arrihet nëpërmjet dëgjesave dhe takimeve të herëpashershme të punës që do të bëjnë administratorët e njësive dhe këshilltarët si perfaqësues të tyre në paralamentin vendor.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për të nxitur turizmin në bashkinë Tepelenë?

Bashkia Tepelenë ka mundësi të mëdha të turizmit kulturor dhe atij natyror. Për këtë arsye unë do të realizoj:

  • Hapjen dhe plotësimin me profesionistë të fushës së zyrës së turizmit në Bashki;
  • Hartimin e një guide të plotë turistike në shqip dhe anglisht për të gjitha atraksionet turistike dhe kulturore që ofron Tepelena;
  • Ndërtimin e një faqeje interneti për promovimin e të gjithë llojeve të turizmit në Tepelenë;
  • Krijimin e guidave dhe hartave të lëvizjes për ekskursione ditore dhe gjysëmditore; dhe
  • Ofrimin e incentivave për ferma e biznese agro-bujqësore për të zhvilluar agro-turizmin.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për restaurimin e  Kalasë së Ali Pashës e cila ka shumë probleme me degradimin e mureve dhe elementeve brenda saj?

Restaurimi i kalase së Ali Pashës ka qenë një nga drejtimet kryesore të punës sime në mandatin e parë dhe do të mbetet prioritet dhe në këtë mandat. Menjëherë sa mora detyrën në mandatin e parë, realizova pastrimin rrënjësor të kalasë nga mbeturinat shumëvjeçare. Munda të realizoj një investim deri në 4 milion lekë për ndëryrje emergjente në disa çarje të mureve rrethuese dhe tani së fundmi inevstim në sheshin kryesor të qytetit, duke mundësuar nxjerrjen në pah të vlerave historike të kalasë së Ali Pashës duke e bërë atë një destinacion turistik mjaft të rëndësishëm.

Ky investim është vetëm fillimi i një punë të madhe që do të kryejmë si në restaurimin e mureve të kalasë, ndërtimin e një pedonaleje për ta bërë të vizitueshme në të gjithë perimetrin e saj, si dhe ndërhyrjen brenda kalasë me investime të mëdha për ta bërë atë të vizitueshme dhe njëkohësisht dhe një burim punësimi dhe të ardhurash për banorët e kalasë.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për të nxitur përpunimin e qumështit në bashkinë Tepelenë?

Njesia e re e Bashkisë Tepelenë ka një aset të madh blegtorinë, tek e cila ne do të fokusohemi që blegtorëve t’u krijojmë kushtet sa më të favorshme për shtimin e tufave të tyre por do të ndërhyjmë si nëpërmjet infrastrukturës dhe nëpërmjet nxitjes së sipërmarrjeve për të krijuar qendra të grumbullimit dhe përpunimit të produkteve blegtorale.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për gjallërimin e sipërmarrjeve të vogla të bimëve medicinale dhe si do gjenden rrugë të reja për eksportimin e  tyre?

Gjallërimi i sipërmarrjeve të vogla në fushën e kultivimit të bimëve medicinale dhe gjetja e mundësive për eksportin e tyre do të jetë një nga drejtimet e punës sonë dhe pjesë e programit dhe e kontratës me qytetarët për këtë 4-vjeçar. Do të mundësoj mbjelljen e çdo m² tokë bujqësore me qëllim arritjen e objektivave tona si në nxitjen e punësimit dhe në përmirësimin e gjendjes ekonomike të banorëve tanë.