Profile16 Maj 2015

Profili i bashkisë Durrës

Durrësi  është qyteti me aktivitetin më të madh ekonomik pas Tiranës, por urbanizmi i shpejtë dhe pa kriter ka krijuar një varg problemesh që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm.

Autor: Lindita Çela BIRN Durrës
Printo

Harta e re territoriale e bashkisë Durrës

Harta e re territoriale e bashkisë Durrës

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re: 

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-durres/

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Bashkia Durrës kufizohet në perëndim me Detin Adriatik, në veri me bashkinë Kurbin, në lindje me bashkitë Krujë, Vorë e Shijak dhe në jug me bashkinë Kavajë.

Popullsia: Sipas censusit të vitit 2011, në territorin e bashkisë së re Durrës banojnë 175,110 vetë ndërsa sipas regjistrit civil popullsia rezidente është 299,989 vetë. Me një sipërfaqe prej 338.30 kilometrash katrorë, densiteti i popullsisë sipas të dhënave të Censusit 2011 është 517 banorë km2 ndërsa sipas Regjistrit Civil është 680 banorë km2.

Kjo bashki përbëhet nga gjashtë njësi administrative, të cilat janë: Durrësi, Sukthi, Ishmi, Katundi i Ri, Rrashbulli dhe Manëz.

Të gjitha njësitë e bashkisë së re bëjnë pjesë në rrethin Durrës, qarku Durrës. Në territorin e bashkisë së re gjenden tre qytete, Durrës, Sukth dhe Manëz si dhe 39 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i Bashkisë

Bashkia e Durrësit shtrihet përgjatë bregut të detit, nga grykëderdhja e lumit Ishëm në veri deri në kufi me Kavajën në jug. Vija e gjatë bregdetare që i shtohet qytetit të Durrësit e thekson tiparin e kësaj bashkie si zonë turistike, pasi përveç plazhit të Durrësit asaj i shtohet i gjithë gjiri i Lalëzit si dhe Kepi i Rodonit, të cilat deri tani kanë qenë pjesë e komunave Ishëm, Sukth, Katund i Ri dhe Rrashbull.

Durrësi ka gjithashtu portin më të madh në Shqipëri, ku përpunohet mbi 90 për qind e të gjithë volumit të ngarkim-shkarkimit portual, gjë që e bën atë nyjën më të rëndësishme tregtare në vend.

Për shkak të lehtësisë që krijon porti, Durrësi është zhvilluar edhe si një qytet i rëndësishëm për manifakturën, ndërsa joshja nga turizmi ka shkaktuar gjatë dy dekadave të fundit një bum në sektorin e ndërtimit. Durrësi është një zonë me shkallë të lartë të migrimit të brendshëm, gjë që ka sjellë zgjerimin e shpejtë dhe informal të qytetit në zonën e ish-Kënetës si dhe përgjatë vijës bregdetare në jug të qytetit.

Durrësi është gjithashtu një zonë e rëndësishme arkeologjike, pasi nën qytetin aktual gjenden disa shtresa qytetërimesh antike. Zbulimet arkeologjike janë të shumta, ndërsa ndërtimet e dekadave të fundit kanë dëmtuar një pjesë të kësaj trashëgimie.

Me mbi 5600 aktivitetet ekonomike të tij dhe 15% të investimeve të huaja, Durrësi është renditur në vendin e dytë si ekonomia më e fortë e vendit, pas Tiranës.

Turizmi veror dhe kulturor është një industri me ndikim të rëndësishëm në ekonominë e Durrësit. Me mbi 750.000 vizitorë në vit, kjo është zona më e rëndësishme e vendit në lidhje me turizmin masiv. Sipas Zyrës Rajonale të Punës të Durrësit, forcat aktive për të punuar llogariten rreth 54,000 njerëz. Niveli i të papunëve për rrethin e Durrësit shkon në rreth 10,38%, ku papunësia është më e përhapur te femrat. Sektori privat ka punësuar rreth 31,3%, i ndjekur nga sektori bujqësor privat me 36,7%, dhe sektori shtetëror me 21.3%.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Urbanizimi i shpejtë ka krijuar probleme të rënda me zaptimin e hapësirave të gjelbra dhe dëmtim të trashëgimisë arkeologjike të qytetit të Durrësit, ndërsa urbanizimi i shpejtë i bregut të detit ka krijuar mbingarkesë të shërbimeve publike dhe vështirësi në krijimin e infrastrukturës së nevojshme.

Durrësi është një nga zonat më problematike sa i përket furnizimit me ujë, për shkak se burimet ujore aktuale janë të kufizuara dhe gjenden në distancë të largët, ndërsa bashkia e re nuk ka në afërsi të saj burime të tjera të pastra për shtimin e furnizimit me ujë.

Ndërtimet pa kriter kanë mbingarkuar infrastrukturën aktuale urbane si kanalizimet e ujërave të ndotura, rrugët apo parkingjet publike si dhe rrezikojnë të dëmtojnë të ardhmen turistike të qytetit.

Pavarësisht mbingarkimit të zonës aktuale urbane me ndërtime, zgjerimi i bashkisë me komunat përgjatë bregut të detit krijon një sfidë të mëtejshme, pasi edhe Gjiri i Lalzit ka filluar të sulmohet për ndërtime me apo pa leje.

Balancimi i nevojës për zhvillimin e turizmit me nevojën për të ruajtur një mjedis të pastër dhe kthimi i turizmit në një aktivitet të qëndrueshëm është sfida kryesore e bashkisë së re.

Ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme në zonat e urbanizuara gjatë dy dekarave të fundit si dhe ndërtimi i impianteve të përpunimit të ujërave të zeza për të shpëtuar ndotjen e bregdetit konsiderohen sfida me rëndësi të veçantë.

Gjatë viteve të fundit, në qytetin e Durrësit janë krijuar lidhje rrugore me daljen e qytetit, të cilat sërish janë të pakëta për të përballuar fluksin.

Lidhja me transport publik të fshatrave përbërëse të bashkisë së re me qytetin e Durrësit është një zgjidhje që shërben njëkohësisht për turizmin si dhe për vetë banorët.

Shtrirja e shërbimit të pastrimit në të gjithë territorin e bashkisë së re është e domosdoshme veçanërisht për shkak se një pjesë e bregdetit si Kepi i Rodonit është i ngopur me mbetje plastike të sjella nga lumenjtë.

Zhvillimi i bujqësisë në zonat rurale përreth bashkisë aktuale është një mundësi, veçanërisht sa i përket produkteve ushqimore të specializuara në shërbim të tregut turistik.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Durrësit kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 230,550 votues. Votuesit janë të ndarë në 310 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 51 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti. Për të lexuar listën shumëemërore të kandidatëve për këshill bashkiak të kësaj bashkie klikoni këtu.

Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Durrësit janë:

–       Grida Shqina Duma, kandidate e Partisë Demokratike, pjesë e Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–       Vangjush Dako, kandidat i Partisë Socialiste, pjesë e Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)