Features5 Apr 2015

Zall Bastari, mirësevini në lagjen më të re të Tiranës

I gjendur në një zonë të thyer malore dhe i përbërë nga 12 fshatra, zona e Zall Bastarit do të jetë pjesë e Bashkisë së Tiranës pas zgjedhjeve të qershorit. Për banorët e këtyre fshatrave, pushteti vendor ka qenë thuajse inekzistent në 25 vitet e fundit dhe reforma nuk përbën ndonjë arsye për shqetësim. Por se sa vëmendje do t’i kushtojë kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës kësaj zone, kjo mbetet për t’u parë.

Author: Lindita Çela, Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Print

Tabela mbi urën e Babrroit që lajmëron pikën veriore të Tiranës. Foto: Lindita Çela/BIRN

Tabela mbi urën e Babrroit që lajmëron pikën veriore të Tiranës. Foto: Lindita Çela/BIRN

Është dreka e të shtunës që 14 marsit në lagjen më të re të Tiranës. Në një lokal, ofrohen qofte të bëra vetë, djathë i njomë jo për të lënë mendtë, ujë i freskët selite. Në televizor, lajmet japin fjalimet e krerëve të politikës me rastin e një panairi produktesh ushqimore të zhvilluar në Elbasan për Ditën e Verës. Kreu i qeverisë lavdëron industrinë vendëse si dhe “përpjekjet e saj jo vetëm për të mbuluar tregun vendës të prodhimeve bujqësore, por edhe për të eksportuar”. Kreu i opozitës thotë nga i njëjti panair se sipas vlerësimit të tij, shqiptarët e kanë humbur shpresën.

Dy djem janë ulur në një tavolinë pa porositur gjë dhe pa patur mendjen te lajmet. Po presin një ndeshje futbolli.

Pyesim Muharremin, të zotin e lokalit, nëse mund të na sjellë edhe ca domate për të shoqëruar qoftet. “A doni domate turshi?!” përgjigjet Muharremi. “Po, turshi kam!”

Lagjja më e re e Tiranës quhet Zall Bastar, një fshat malor përtej Malit të Dajtit. Fshati gjendet në lartësi të tillë ku domatet piqen vetëm vonë në gusht dhe ku rrushi prodhohet me vështirësi. Domatet ruhen për në dimër si turshi ose si domate të thata. Në pjesën tjetër të vitit, zarzavatet që ne në Tiranë i kemi të disponueshme në dyqane pavarësisht stinës, në këtë lagje të re të Tiranës nuk janë.

Babrroi, fshati ngjitur me Tiranën që i përket Kamzës
Mjafton një hap për të kaluar nga Bashkia e re e Tiranës për në Bashkinë e re të Kamzës në vendin e quajtur historikisht Ura e Babrroit, pranë Alliasit mbi Lumin e Tiranës. Pikërisht aty, në fund të urës, gjendet një tabelë që kryeqyteti i Shqipërisë mbaron këtu.
Ndërsa autoriteti i Bashkisë së Tiranës është zgjeruar për të përfshirë rreth 120 fshatra të shtrira në një territor prej mbi 1 mijë kilometrash katrore, Babrroi, i cili historikisht ka qenë fare pranë Tiranës dhe i lidhur në të gjitha kuptimet me Tiranën, do të jetë pjesë e Bashkisë Kamëz, me të cilën duket se nuk ka ndonjë lidhje.
“Unë jam vendali dhe me Kamzën nuk kam asnjë lidhje. Historikisht asnjëherë nuk kam pasur punë atje. Para se viteve 90-të nga Babrroi deri në Kamëz nuk ka pas asnjë shtëpi. Kanë qenë vreshta dhe pemëtari. Unë edhe po të dal në dritare shoh Tiranën. Të gjithë jetën time kam punuar në kryeqytetet. Fëmijët, që në fillore kanë shkuar në Tiranë për shkollë,” thotë Rexhep Kurti, 53 vjeç.
Ai është një nga shumë banorët e Babrroit, i cili sot më së shumti njihet si Komuna Paskuqan, që ankohen se bashkimi i kësaj komune me Kamzën është e pakuptimtë.
Megjithatë, përveç ndjesisë së përkatësisë në Tiranë, banorët e zonës nuk shfaqin ndonjë interes të veçantë për ndarjen e re administrative dhe territoriale me përjashtim të frikës se mos infrastruktura aktuale e shërbimeve publike ndryshin.
“Sa herë kam nevojë për të bërë analiza apo kontroll shëndetësor shkoj në spital, e kam më afër. Rreth 15 minuta në këmbë, ndërsa që të shkoj në poliklinikë, në Paskuqan, më duhet një orë”- të thotë Naze Mata. Për të, çdo gjë është në rregull në rast se nuk detyrohet të shkojë për kujdes shëndetësor në Kamës në vend që të shkojë në Tiranë.
Banorët e Babrroit kanë pak a shumë të njëjtat probleme dhe shqetësime me banorët e Tiranës, nga të cilët, i ndan simbolikisht lumi. Ndotja është e lartë dhe plehrat nuk pastrohen. “E morëm rrugën nga vendlindja për të ardhur këtu e bënë për një jetë më të mirë dhe për t’u dhënë mundësi fëmijëve që të lindin dhe rriten në kryeqytet, jo në një vend ku nuk është as fshat dhe as qytet. Në një vend ku nuk të ofron punë e asnjë mundësi jetese”-të thotë Hysni Plaku i ardhur nga Sllatina e Dibrës.
Sa i përket idesë së propaganduar nga qeveria se ndarja e re territoriale do të çlirojë më shuëm fonde në shërbim të investimeve publike dhe do të rrisë mirëadministrimin, banorët duket se i interpretojnë këto fjalë si premtime të zakonshme elektorale që nuk bindin askënd.
“Më 25 maj 2013 Edi Rama erdhi dhe na tha se do të ulë komplet taksën e biznesit të vogël, do të ulë faturat e energjisë elektrike si dhe do të na jepte mundësi punësimi. Prej asaj here askush nuk qeveria e tij nuk është dukur më këtej. Sikur mos të mjaftonin fallet tona, jemi kthyer dhe në kosh plehrash të Tiranës. Plehrat që na hidhen në breg të lumit, mu rrëzë shtëpisë sonë”, thotë Petrit Luga.
Ndërsa banorët e rinj ankohen se parajsën që kërkuan pranë Tiranës nuk e gjetën, banorët e vjetër të Babrroit kujtojnë me nostalgji kohën kur Lumi i Tiranës qe i pastër dhe ku në të mund të bëje plazh apo edhe të peshkoje. Kjo është një kohë e harruar tashmë, ku shqetësimi kryesor është heqja e plehrave, të cilat në të ardhmen do të jenë përgjegjësi e përbashkët e dy njësive administrative që ndahen nga Lumi i Tiranës, Kamza dhe Tirana. Plehrat që hidhen në lumin e Tiranës, kur janë të lehta, lundrojnë më tutje drejt lumit Ishëm e më pas, drejt Detit Adriatik.
Por se sa do të ndihmojë ndarja e re administrative dhe territoriale për të luftuar nivelin e skajshëm të ndotjes, kjo mbetet për t’u parë.

I gjendur vetëm 17 kilometra larg Tiranës, fshati është sërish së paku një orë e gjysmë larg qendrës së qytetit me të cilën lidhet me një rrugë, e cila, në kohët e vjetra përdorej nga karvanët në drejtimin Tiranë-Dibër, por që edhe në shekullin e 21 ka mbetur pak a shumë në të njëjtën gjendje. Në shtratin e rrugës dallohen herë pas here gurët e një kalldrëmi të lashtë, ndërsa makina rënkon duke ecur me marsh të parë me shpejtësi që vështirë se mund të kalojë 7 kilometrat në orë.

Por para se të mbërrish te rruga e lashtë me kalldrëm, kalon nëpër një rrugë të gjerë të sapondërtuar, por kurrsesi të papërfunduar, si dhe një tunel të konsiderueshëm që çan shkëmbin në Shkallën e Tujanit.

Është një investim në rendin e dhjetëramilionë eurove, por që aktualisht nuk kryen ndonjë funksion pasi shtrati i zgjeruar i rrugës dhe tuneli janë të paasfaltuara, shirat kanë krijuar gropa e gunga dhe rruga nuk dallon shumë nga segmenti me kalldrëm i rrugës së vjetër për nga shpejtësia me të cilën mund të ecësh.

Komuna e Zallbastarit përbëhet nga 12 fshatra të shtrira në një territor të gjerë prej 155 kilometrash katrore të një terreni të thyer malor. Komuna u krijua më 1992 nga shkrirja e dy fshatrave të bashkuar.

Ndërsa në Tiranë po diskutohet për cilësitë që duhet të ketë kryetari i ardhshëm i bashkisë së kryeqytetit, duke u përqendruar në tema të tilla si niveli i ndotjes apo ruajtja e hapësirave të gjelbra, për shumë është ende e paqartë se kryebashkiaku i Tiranës do të ketë së shpejti përgjegjësi për një territor të gjerë prej mbi 1 mijë kilometrash katrorë, një zonë e përzjerë urbane dhe rurale, fushore dhe malore, me probleme të shumta që variojnë nga niveli i ndotjes dhe mungesa e hapësirave të gjelbra në qendër deri te mirëmbajtja e infrastrukturës bujqësore në mbi 120 fshatrat përbërëse të bashkisë së re.

Por se sa do të jetë në gjendje kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës për të ofruar vëmendje dhe shërbime për zonat periferike, si Zall Bastari, Kllojka apo Myshqetaja, Vrapi apo Derja, me buxhetin aktual për pushtetin vendor të konsideruar si gjerësisht të pamjaftueshëm, kjo mbetet për t’u parë.

“Vetëm këta të mos jenë”

Banorët e fshatit Shupal dhe Zall Bastar (apo banorët e fshatit Babrru, i cili nuk do të jetë pjesë e Tiranës) me të cilët BIRN foli, duken shumë të painteresuar se çfarë do të ndodhë me qeverisjen vendore pas reformës administrative dhe territoriale.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi një hartë të re të administrimit vendor vitin e kaluar duke e ndarë Shqipërinë në 61 bashki të mëdha dhe duke bashkuar efektivisht shumë komuna nën varësinë e një bashkie referuese. Aktualisht pritet që komunat dhe bashkitë që shkrihen nga reforma do të transformohen në njësi administrative nën varësinë e një administratori i cili do të emërohet dhe shkarkohet nga kryebashkiaku që do të dalë nga zgjedhjet e qershorit për pushtetin vendor. Struktura aktuale e komunave, përfshirë numri i të punësuarve, do të mbetet i pandryshuar së paku deri në vitin 2017 dhe gjatë kësaj kohe pritet që këshillet bashkiake të vendosin për riorganizimin e strukturave të administrimit dhe shërbimeve vendore. Ndryshimi pritet të ketë impakt të gjerë. Shumë ekspertë kanë frikë se periudha e tranzicionit që ka nisur mund të kthehet në kaos dhe në mungesë shërbimesh në rast se nuk menaxhohet siç duhet.

Plehra të hedhura anës rrugës në fshatin Shupal në lindje të Tiranës. Pas qershorit, presupozohet se mbledhja e taksës së pastrimit si dhe heqja e plehrave të këtij fshati me 60 familje do të jenë përgjegjësi e Bashkisë Tiranë. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Plehra të hedhura anës rrugës në fshatin Shupal në lindje të Tiranës. Pas qershorit, presupozohet se mbledhja e taksës së pastrimit si dhe heqja e plehrave të këtij fshati me 60 familje do të jenë përgjegjësi e Bashkisë Tiranë. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Por për banorët e Zallbastarit të gjitha këto duken çështje jo shumë të rëndësishme.

Për ta, qeverisja aktuale vendore pothuajse nuk ka ekzistuar për të ofruar shërbime, premtimet e përsëritura për riparim rrugësh apo ndërtim urash apo mirëmbajtje të infrastrukturës vendore thjeshtë kanë mbetur pa u realizuar.

“Çfarëdo gjëje që të bëhet, do të jetë më mirë pa ta,” thotë Muharremi, një polic në pension, nga fshati Zall Bastar, duke iu referuar komunës së Zallbastarit aty pranë.

“Komuna ka ekskavatorë që duhet të mirëmbajnë rrugët, por duket se këto mjete nuk punojnë, pavarësisht se nafta harxhohet,” shton ai. Një banor tjetër i Zall Bastarit shpjegon se sipas mendimit të tij, nëse strukturat aktuale të shërbimeve vendore ruhen, atëherë reforma nuk ka pse të sjellë probleme.

Gjithsesi, askush nuk pret ndonjë ndryshim të madh. Indiferenca e banorëve për këtë çështje të krijon përshtypjen se pushteti vendor nuk ka ekzistuar përgjatë 25 viteve të fundit dhe rrjedhimisht, shkrirja e tij nuk do të sjellë ndryshim real në jetët e tyre.

Gjithsesi, në Zall Bastar dhe në Shupal, të tregojnë për dy probleme që kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës duhet të zgjidhë. “Lumi Tërrkuzë po gërryen tetë hektarë tokë të fshatit tonë,” thotë Muharremi. Kjo është sa gjysma e sipërfaqes së tokës së punueshme të komunës. Dikush duhet të vendosë një pritë për ta ndalur lumin. Komuna aktuale nuk e ka bërë. Gjatë vitit 2014, kjo komunë mori nga qeveria qëndrore një grant të pakushtëzuar prej 23 milionë lekësh.

“Ne kemi një problem sepse liqeni i fshatit tonë është, por një tub që duhet ta sjellë ujin për të vaditur tokat është bllokuar dhe askush nuk e zëvendëson,” thotë Shaban Maznaku, 64 vjeç nga fshati Shupal, i cili punon si roje në një gurore pranë fshatit Brar. “Komuna nuk e bën, nuk e dimë se a do ta bëjë bashkia e re,” shton ai.

Tubi është një çështje thelbësore për fshatin me 60 banorë i cili gjendet buzë lumit të Tiranës menjëherë pas grykës së Tujanit. I gjendur mes maleve dhe pa shumë orë me diell, prodhimet bujqësore rriten me vështirësi dhe mungesa e ujit e bën edhe më të vështirë ekonominë përtej blegtorisë rudimentare. Në mungesë të ujit, punimi i tokës sakaq të varfër të fshatit rezulton pa leverdi. “Tokat janë djerrë për shkak se punimi i tyre është i shtrenjtë e rrjedhimisht nuk ke leverdi për t’i mbjellë”, thotë një banor i fshatit Besh, ndërsa ka zbritur në Shupal për të pirë një kafe.

Por banorët e Zall Bastarit kanë një avantazh në krahasim me pjesën tjetër të Shqipërisë. Megjithëse zonë e vështirë malore, ajo gjendet “vetëm” një orë e gjysmë larg Tiranës, ku shumica e të rinjve të fshatit vijnë çdo ditë për të punuar.

Ndërsa infrastruktura aktualisht konceptohet thjeshtë si ekzistenca apo jo e një rruge të asfaltuar, kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës do të duhet të merret me punë shumë më pak pompoze se sa jeta kulturore e kryeqytetit, si psh tubi i liqenit artificial të Shupalit apo barriera për ndalimin e erozionit të tokave të Zall Bastarit. Dhe për të theksuar rëndësinë e infrastrukturës së nevojshme bazë për veten e vet, banorët e Zall Bastarit kanë një humor për Tiranën: Ne këtu gjendemi mbi lumin Tërrkuzë. Ujërat tona të zeza përfundojnë aty. Por një kilometër e gjysmë më poshtë gjendet Bovilla, nga ku banorët e Tiranës furnizohen me ujë.

Rruga e re e zgjeruar e njohur si Rruga e Arbërit pranë fshatit Brrar në lindje të Tiranës. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Rruga e re e zgjeruar e njohur si Rruga e Arbërit pranë fshatit Brrar në lindje të Tiranës. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Tuneli i Tujanit pranë fshatit Brrarr i ndërtuar gjatë përpjekjeve të qeverisë për rrugën e Arbrit. Punimet janë ndërprerë që prej një viti. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Tuneli i Tujanit pranë fshatit Brrarr i ndërtuar gjatë përpjekjeve të qeverisë për rrugën e Arbrit. Punimet janë ndërprerë që prej një viti. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Qendra e fshatit Zall Bastar. Një segment i rrugës së Arbrit fotografuar më 14 mars 2015. Punimet janë ndërprerë prej një viti. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Qendra e fshatit Zall Bastar. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Selia e Komunës së Paskuqanit në fshatin e njohur si Babrru në veri të Tiranës. Foto: Lindita Çela/BIRN

Selia e Komunës së Paskuqanit në fshatin e njohur si Babrru në veri të Tiranës. Foto: Lindita Çela/BIRN

Qendra e Babrroit. Foto: Lindita Çela/BIRN

Qendra e Babrroit. Foto: Lindita Çela/BIRN

Shtëpi në fshatin Shupal fotografuar më 14 mars 2015. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Shtëpi në fshatin Shupal fotografuar më 14 mars 2015. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Nërtesë ish-shtetërore e braktisur në fshatin Shupal. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Nërtesë ish-shtetërore e braktisur në fshatin Shupal. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Kanioni i Lumit të Tiranës pranë grykës së Tujanit. Në këtë pikë, lumi është i pastër dhe i pandotur. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Kanioni i Lumit të Tiranës pranë grykës së Tujanit. Në këtë pikë, lumi është i pastër dhe i pandotur. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Një segment i rrugës së Arbrit fotografuar më 14 mars 2015. Punimet janë ndërprerë prej një viti. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Një segment i rrugës së Arbrit fotografuar më 14 mars 2015. Punimet janë ndërprerë prej një viti. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Një segment i rrugës së Arbrit fotografuar më 14 mars 2015. Punimet janë ndërprerë prej një viti. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Një segment i rrugës së Arbrit fotografuar më 14 mars 2015. Punimet janë ndërprerë prej një viti. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Lumi i Tiranës i parë nga ana lindore e grykës së Tujanit, fotografuar më 14 mars 2015. Një segment i rrugës së Arbrit fotografuar më 14 mars 2015. Punimet janë ndërprerë prej një viti. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Lumi i Tiranës i parë nga ana lindore e grykës së Tujanit, fotografuar më 14 mars 2015. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Mali i Dajtit i parë nga ana lindore. Një segment i rrugës së Arbrit fotografuar më 14 mars 2015. Punimet janë ndërprerë prej një viti. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Mali i Dajtit i parë nga ana lindore. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Qendra e fshatit Zall Bastar. Një segment i rrugës së Arbrit fotografuar më 14 mars 2015. Punimet janë ndërprerë prej një viti. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Qendra e fshatit Zall Bastar fotografuar më 14 mars 2015. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Kullotë në komunën e Zall Bastarit. Sipas banorëve vendës, modeli ekonomik i zonës bazohet te shitja e gjizës në Tiranë në shkkëmbim të miellit të domosdoshëm për të jetuar në këtë zonë të ashpër ku toka e punueshme është e paktë. Qendra e fshatit Zall Bastar. Një segment i rrugës së Arbrit fotografuar më 14 mars 2015. Punimet janë ndërprerë prej një viti. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Kullotë në komunën e Zall Bastarit. Sipas banorëve vendës, modeli ekonomik i zonës bazohet te shitja e gjizës në Tiranë në shkkëmbim të miellit të domosdoshëm për të jetuar në këtë zonë të ashpër ku toka e punueshme është e paktë. Foto: Gjergj Erebara/BIRN