Profile10 May 2015

Profili i bashkisë Vlorë

Bashkia e re e Vlorës shtrihet mes tre qendrave të rëndësishme të turizmit detar, por betonizimi i viteve të fundit dhe degradimi i shërbimeve publike kanë frenuar zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.    

Author: Jerola Ziaj Birn Vlorë
Print

Harta e re territoriale e bashkisë Vlorë

Harta e re territoriale e bashkisë Vlorë

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re:

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-vlore/

Të dhëna të përgjithshme:

Zona Gjeografike: Bashkia e re e Vlorës kufizohet në veri me bashkinë Fier, në lindje me bashkinë Selenicë dhe në jug me bashkinë Himarë. Kryeqendra e bashkisë është qyteti i Vlorës.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 bashkia e re ka 104.827 banorë. Gjithsesi, në regjistrin civil në këtë bashki rezultojnë si popullsi banuese 194.147 njerëz. Bashkia e re e Vlorës ka një sipërfaqe prej 616.85 km2. Nëse merren parasysh të dhënat e censusit, densiteti i popullsisë në këtë bashki është 169.9 banorë për km2 ndërsa sipas të dhënave të regjistrit civil, densiteti është 314.73 banorë për km2.

Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Vlorë, Orikum , Qendër Vlorë, Novoselë dhe Shushicë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Vlorës dhe qarkut të Vlorës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Vlorë dhe Orikum) dhe 37 fshatra. Në listën e fshatrave përfshihet edhe Sazani. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i bashkisë

Bashkia e re e Vlorës do të përfshijë të gjithë zonën bregdetare nga Lumi i Vjosës në veri deri në Qafën e Llogarasë në jug, duke përfshirë nominalisht gadishullin e Karaburinit dhe Ishullin e Sazanit. Në këtë territor shtrihen tre qendra të rëndësishme të turizmit detar, Vlora, Radhima dhe Orikumi, ndërsa bashkisë i shtohen edhe zonat rurale blegtorale të Tragjasit.  Kjo zonë ka në përbërje dhe parkun detaro-bregdetar Sazan-Karaburun, që është i vetmi i këtij lloji në vedin tonë. Zona ka praninë e minorancave etnike, përkatësisht minorancës Greke në zonën e Nartës dhe asaj rome në Novoselë.

Tendencat demografike kanë qenë ato të një qyteti që ka pësuar si emigrimin edhe migrimin nga zonat rurale në atë urbane. Në fshatin Nartë, kemi një pakicë etnike greke dhe kryesisht banorët e këtij fshati jetojnë në shtetin fqinj kurse fshatrat e thella kanë lëvizur drejt Vlorës. Emigrimi i popullsisë dallohet edhe nga diferenca e theksuar mes numrit të popullsisë të regjistruar në gjendjen civile dhe numrit të nxjerrë nga censusi.

Qyteti i Vlorës ka një aktivitet të vogël tregtar përmes Portit të Vlorës, i cili përpunoi 64 mijë tonë mallra gjatë vitit 2013, rreth 1.6 për qind të volumit të mallrave të përpunuara nëpër portet shqiptare.

Vlora ka si burim kryesor ekonomik turizmin dhe bujqësinë e përqendruar te blegtoria dhe ullinjtë. Si një qytet bregdetar, Vlora është edhe një qendër e rëndësishme e peshkimit.

Qytetet e Vlorës dhe të Orikumit si dhe fshati Radhimë janë përfshirë përgjatë dekadës së fundit nga një bum ndërtimi i cili ka krijuar probleme të rënda në mjedis dhe në menaxhimin e mbetjeve të gurta si dhe ka krijuar mbingarkesë të madhe mbi shërbimet publike bazë si rrugët, ujësjellësi dhe kanalizimet.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Menaxhimi urban dhe infrastruktura bazë janë problemet kryesore me të cilat pritet të përballet bashkia e re bashkë me menaxhimin e mbetjeve të gurta apo mbetjeve të zakonshme. Qyteti ka nevojë për një plan urbanistik gjithëpërfshirës për të gjithë vijën bregdetare në mënyrë që të shmangë ndërtimet pa plan, të cilat e bëjnë shtrirjen e shërbimeve komunale më të vështirë.

Furnizimi me ujë dhe ndëtimet e shumta me gropa septike, sidomos përrreth ujësjellësit në Ujin e Ftohtë, janë problematike për zonën. Gjithashtu për t’u theksuar është edhe problemi i manaxhimit të mbetjeve urbane dhe sidomos atyre të gurta në një bashki të pushtuar nga ndërtimet pa leje.

Ndërtimi i bypass-it të Vlorës, i cili synon të shmangë nga qendra e qytetit trafikun drejt zonës së bregut (bashkisë Himarë) dhe që është aktualisht në fazë projektimi mund të zgjidhë një pjesë të problemit, por qyteti nuk ka një plan të qartë të zgjerimit të rrjetit rrugor, veçanërisht përgjatë bregut të detit në drejtim jugor, e cila është zona edhe më e prekur nga ndërtimet me dhe pa leje.

Zhvillimi i një sistemi gjithëpërfshirës të transportit publik për periudhën turistike dhe për vetë banorët, sistem që duhet të përfshijë të gjithë zonën turistike, mund të ndihmojë për të lehtësuar trafikun. Problem mbetet edhe menaxhimi i koncensioneve të ndryshme, sidomos ai lidhur me vendparkimet në qytet.

Një tjetër element shqetësues është edhe rritja e transparencës së Këshillit Bashkiak përmes krijimit të një rrjeti kamerash për transmetimin në kohë të këtyre mbledhjeve.

Ndërsa dy qytetet e bashkisë së re, Vlora dhe Orikumi, kanë probleme të konsiderueshme me ndotjen me karakter urban, zonat rurale të komunave Qendër, Novoselë dhe Shushicë, si dhe zonat rurale që deri tani kanë qenë pjesë e Bashkisë Orikum kanë nevojë për të zhvilluar potencialin e tyre të lartë bujqësor e blegtoral, si dhe mirëmenaxhimin e infrastrukturës bujqësore.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Vlorës kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 153,358 votues. Votuesit janë të ndarë në 212 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 41 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti. Për të lexuar listën shumëemërore të kandidatëve për këshill bashkiak të kësaj bashkie klikoni këtu.

Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Vlorës janë:

–        Dritan Leli, kandidat i Partisë Socialiste, pjesë e  Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–        Genc Deromemaj, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e  Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–        Vasil Bedinaj, kandidat i pavarur (Kliko këtu për të lexuar CV-në)